Nga Erlad Shulla
Jetojmë në Tiranën tonë, e cila ndodhet bashkë me ne midis problematikave të mbartura nga gabimet që i kemi bërë vetë gjatë modernizinit posdiktatorial të kryqytetit. Disa nga ato gabime, në fakt faje, na duhet t’i vuajmë çdo ditë e përgjithmonë. Ndoshta si ndëshkim! Dhe s’të ngushëllon fare ajo kënga ku këndon dhe Kryeministri i tanishëm “Jetojmë në Tironën tonë”, ku ndërtohet pa plan të harmonizuar arkitektonik normal, por ashtu rrëmujshëm, që pastaj kthehet në kaos, siç shfaqen më qartazi në trafikun e automjeteve në rrugët tona. Në çdo mëngjes sapo dalim nga shtëpia përpara se të mbërrijmë në punë, shkollë, spital, bankë apo kudo tjetër apo që shkojmë të gjejmë punë apo të ankohemi zyrave qe s’na dëgjojnë, të marrim ilaçet a pensionin që s’mjafton as për ilaçet, etj, etj, duhet të përballemi me kaotiken: TRAFIKUN e madh që kanë rrugët e Tiranës. Rrugë të stërmbushura me automjete të të gjitha llojeve dhe tonazheve nga veturat private dhe ato të transportit publik e deri tek betonieret e shumta që punojnë ditë e natë në shërbim të pallateve që nuk ndalin së ndërtuari në kryqytetin tonë e deri te ndonje karricë a lopë si e porsambërritur nga Afganistani. “O bo bo trafik” apo ” Uffff çfarë trafiku” dhe sharje që s’i shkruaj dot por që i dëgjon dhe në debatet televizive nga politikane a deputetë, eh, këto shprehje i kemi të gjithë njëkohësisht në majë të gjuhës, nga mëngjesi që kur zgjohemi e deri kur ngrysemi. Edhe në ëndërr. Ja ashtu shfryjmë e shajmë kot në ajër këdo që mendojmë se eshtë fajtori i stresit tonë në rrugë. Pa harruar shtetin. Të parin. Stresi prej trafikut na bën të paduruar, sepse jo vetëm vonohemi e pengohemi me orë të tëra në trafikun e rrugëve të Tiranës tonë, por humbim kohë e nerva dhe veten. Aq sa në shumicën e rasteve nuk ka kuptim as shprehja “rrugët ishin lumë me makina” sepse gjatë gjithë kohës janë rrugët të mbushura plotë dhe lumi ynë Lana i zbrazët. Eh sikur të ishte e kundërta që Lana të ishte më e mbushur, jo me ujra te zeza, dhe rrugët më të zbrazëta. Por le të kthehemi tek ajo që vërtet dua të them në këtë shkrim timin, mes trafikut të fjalëve, se nuk dua të merrem as me ndërtimin e vazhdueshëm dhe të beftë në zhvillimin e pakonturueshëm të infrastrukturës të Tiranës, e cila prej dekadash ka një transformim të jashtëzakonshëm, natyrisht dhe të duhur, se është normale të ndodhi, që Tirana të jetë vendi i shumë mundësive për shqiptarët, dhe “shyqyr!”, që zhvillohet prandaj dhe në të sipas statistikave janë 35% e automjeteve që ndodhen në të gjithë Shqipërinë.
Nuk mund të rrija pa shkruajtur dhe shprehur për atë tashmë që është kthyer në trendy të lëvizjes duke shpërfillur trafikun në rrugët e Tiranës. I keni vënë re që çdo ditë e më shumë hasim të shtohen përdoruesit të monopatinave elektronike në rrugët e kryeqytetit. Besoj i keni parë? Janë ata që parakalojnë serbes serbes trafikun dhe të gjithë ne, që ndodhemi aty të ndalur e të stresuar duke pritur se mos po lirohet pak rruga e të vazhdojmë përpara. Monopatina elektrike edhe pse e shpikur dhe e prodhuar në Azi, po na vjen shumë në ndihmë ne këtu në Tiranë. U interesova për të pasur disi informacion më shumë për Monopatinën Elektrike, ajo është e karikueshme me energji elektrike me bateri, ecën me një shpejtësi nga 30 km/h deri në 50km/h pak a shumë sa biçikleta dhe kushton nga 300 dollarë deri 600 dollarë. Pjesa dërrmuese e përdoruesve me aq sa unë kam vënë re janë kryesisht të rinj, që ndoshta refuzojnë përdorimin e linjave të autobuzëve urban të kryeqytetit, që janë gjatë gjithë kohës plot, aq sa dyert e tyre ka raste nuk i mbyllin dot sepse autobuzi është ding me njerëz. Do të doja të shihja që ky trend i përdoruesve të Monopatinave elektrike të rritej në mënyrë të vazhdueshme. E para sa më shumë përdorues të biçikletave dhe monapatinave do sillte më pak përdorues të makinave brenda qytetit. Normalisht që kjo do të thotë më pak trafik në rrugët tona dhe pse jo më pak karburant të lëshuar në ajër, pra më pak smog. Kjo e fundit është temë dhe shqetësim më vete sepse ndotja e ajrit në Tiranë është tejet çdo norme dhe standardi, që kjo gjë jo pak i shkaktohet nga trafiku i madh në rrugë. Edhe njëherë dua të uroj sa më shumë gjëra inovative të mira për t’i shpëtuar të këqijave që kemi nga e shkuara e ndërtuar keq. Të kuptohemi, folja është në kohën e se shkuarës së tanishme.
©Copyright arkiva.fjala.al/
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës Fjala, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gazeta Fjala dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
