Nisma e ministrisë së Bujqësisë, për krijimin e një “Akademie për barinjtë”, ka shkaktuar reagime të forta në rrjet.
Gjatë prezantimit të buxhetit 2022 për bujqësinë, kryeministri iu përgjigj të gjithë atyre që “bëjnë humor me këtë nismë”.
Rama sqaroi se “Akademia e Barinjve”, është një strukturë që do të japë informacion për fermerët, ndërsa takimet do të jenë sezonale.
“Bëjnë humor me akademinë e barinjve, që në fakt të tjerët e kanë, ata që janë më budallenj se ne e kanë. Akademinë e barinjve, të peshkatarëve, të bletarritësve. Çfarë do të thotë kjo, vihen ne dispozicion struktura që ju japin informacion çdo vit. Nuk do thotë se hajdeni tek akademia e shkencave. Mblidhen këta njerëz për një sezon të caktuar, çdo vit, dhe ju japin informacion për tregun, për ekonominë”, tha kryeministri.
Një ditë më parë, përveç akademisë së barinjve, Rama njoftoi se do të hapet edhe një shkollë profesionale për peshkatarët.