Me rastin e kremtimit të shpalljes së Pavarësisë, zyrtarë të lartë të Shqipërisë morën pjesë në ceremonitë zyrtare të mbajtura në Vlorë. Nga Biden tek Macron dhe Mattarella, mesazhet e liderëve botërorë për 109-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Meta dhe Rama shmangin takimin, Basha “feston” në Tiranë.
Në 109 vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë drejtuesit e vendit zhvilluan dje ceremoni zyrtare pranë monumentit të Pavarësisë. Ndonëse ishin të pranishëm të gjithë kahet, u duk edhe ndasia politike, që edhe në ditë të shënuara nuk bëhen bashkë. Kreu i shtetit Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama shmangën takimet mes tyre, duke bërë gjithçka në anën protokollare që të qëndronin të paktën tre metra larg. Në një prononcim për mediat, kreu i shtetit nuk komentoi mbi pyetjen që edhe këtë 28 nëntor politika shqiptare ishte sërish e përçarë, por tha se “sot kemi vetëm mesazhe bashkimi, kudo për të gjithë shqiptarët sepse ky është flamuri i të gjithë shqiptarëve”. Sipas Metës, ditë e Pavarësisë është një frymëzim për t’u bashkuar dhe për të reflektuar, në mënyrë që Shqipëria të jetë vërtetë zonjë dhe të ketë vendin që meriton prej kohësh në Bashkimin Europian.
“Vlora do të jetë në krye të bashkimit në të gjitha kohët, siç ka qenë gjithmonë, me patriotizëm, për të mirën e Shqipërisë. Kreu i shtetit postoi ne rrjetet sociale nje album fotosh nga ceremonia e ngritjes se flamurit ne Vlorë dhe e shoqëroi me këtë mesazh: “Në Vlorën e lavdishme të Pavarësisë u përula sot (dje) me nderimin dhe respektin më të thellë para themeluesit të shtetit tonë modern dhe Atit të Shqipërisë, Ismail Qemalit, kujtimit dhe veprës së ndritur të Tij dhe të shumë patriotëve të tjerë, që realizuan 28 Nëntorin e vitit 1912! Të mbrojmë dhe të lartësojmë simbolet tona kombëtare dhe të mos humbasim më kohë për përmbushjen e ëndrrës për një Shqipëri plotësisht europiane sepse 109 vite janë mëse të mjaftueshëm për të dëshmuar pjekurinë dhe seriozitetin e një shteti modern.
Urime 28 Nëntorin e Gjergj Kastrioti Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, të Isa Boletinit dhe Adem Jasharit!”, tha Meta. Një mesazh urimi e dha edhe kreu i qeverisë së Kosvës Albin Kurti. “Padyshim që kjo është një ditë që na mbush edhe me gëzim edhe me krenari, por edhe me përgjegjësi, për shkak se detyrat para nesh për të ngritur mirëqenien e shqiptarëve dhe qytetarëve tanë, për të zhvilluar vendin tonë, për të shtuar demokracinë në Republikën tonë janë më të rëndësishme se kurrë më parë”, ka shkruar Kurti. Në Vlorë vihej re edhe mungesa e liderit demokrat Lulzim Basha, i cili ditën e djeshme zgjodhi që të kremtojë 109-vjetorin e Pavërësisë së Shqipërisë në Tiranë. Ai vendosi kurora me lulë në Varrezat e Dëshmorëve, duke përkujtuar në këtë mënyrë edhe ditën e çlirimit të vendit. Ndërsa e majta e përkujton ditën e sotme.
Mesazhe urimi nga liderët botërorë
Mesazhi i Biden
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka uruar presidentin shqiptar, Ilir Meta, me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë. Në letrën drejtuar Metës, Biden shkruan se dy vendet kanë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe vlerat demokratike. Ai shton më tej se ato që ka arritur Shqipëria që nga viti 1991 janë mbresëlënëse, ndërsa shton, se vendi ynë është mik i ngushtë i SHBA dhe një aleat i rëndësishëm i NATO-s. “Në Ditën tuaj të Pavarësisë, e uroj Shqipërinë në emër të popullit amerikan! Këtë vit ne përkujtojmë tridhjetëvjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve tona diplomatike dhe festojmë një miqësi të mbështetur në lidhjet e familjes dhe historisë, si dhe mbi vlerat tona demokratike dhe përkushtimin ndaj të drejtave të njeriut, që ndajmë sa bashku. Ato që Shqipëria ka arritur që nga viti 1991 janë mbresëlënëse. Sot, Shqipëria është një vend mik i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një aleat i rëndësishëm i NATO-s, dhe një anëtare e sapofutur në Këshillin e Sigurisë të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu Shqipëria po i tregon botës mikpritjen e saj të madhe duke pritur si dhe duke iu dhënë një strehim të sigurt afganëve në rrezik. Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë ndërsa ju forconi institucionet tuaja demokratike, përmbushni reformat e rëndësishme në sektorin e drejtësisë, luftoni korrupsionin për të siguruar një klimë transparente dhe të barabartë sipërmarrjeje për investitorët shqiptarë dhe ata të huaj, si dhe teksa ndiqni të ardhmen tuaj europiane. Marrëdhënia jonë dypalëshe në rritje të tregtisë dhe investimeve, sidomos në sektorin e rëndësishëm energjetik, është kyçe për rimëkëmbjen e Shqipërisë si dhe për thellimin e partneritetit tonë. Dëshiroj t’i uroj popullit shqiptar, edhe në emër të të gjithë amerikanëve, një Ditë të paqtë të Pavarësisë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Shqipërinë një vend mik, partner dhe aleat”-shkruan Biden në letrën e urimit.
Mesazhi i Mattarellës
Me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka marrë mesazh urimi nga Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella. Në mesazhin e tij, drejtuar Kreut të Shtetit shqiptar, Presidenti Mattarella uron shqiptarët për një të ardhme të begatë. Ai shprehet se Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri. Mattarella thekson në mesazhin e tij se Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit. “Kremtimi i Ditës kushtuar Pavarësisë më jep mundësin t’ju përcjell Ju dhe të gjithë bashkëqytetarëve Tuaj urimet më të përzemërta për një të ardhme të begatë për Republikën e Shqipërisë! Tiranën dhe Romën i bashkon një marrëdhënie tejet e konsoliduar në rritje të vazhdueshme, falë edhe rolit dinamik të komunitetit shqiptar në vendin tonë, si edhe atij italian në Shqipëri. Italia ndan plotësisht aspiratën e ligjshme të Shqipërisë për t’u bërë pjesë e familjes europiane dhe mbështet me bindje e vendosmëri çeljen pa hezitim të negociatave të anëtarësimit. Marrëdhëniet midis vendeve tona janë shumë të ngushta, edhe në nivel shumëpalësh si rrjedhojë e të qenit pjesë e Aleancës Atlantike dhe bashkëpunimit të nisur në funksion të mandatit të Shqipërisë si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara për dyvjeçarin 2022-2023. Me këtë frymë dhe me ndjenja miqësie të sinqertë, ju shpreh dhe njëherë urimet e mia më të përzemërta, Juve dhe popullit shqiptar me rastin e kësaj date të shënuar!”, shkruan Presidenti i Italisë në mesazhin dërguar Presidentit Meta”-shkruan presidenti italian.
Mesazhi i Macron
Me rastin e 109-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Francës Emmanuel Macron. Në mesazhin e Presidentit të Republikës Franceze shkruhet ndër të tjera se marrëdhëniet tona dypalëshe duhet të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që është miratuar në vitin 2019. Macron konfirmon mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë. “Zoti President, me rastin e Festës Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dëshiroj t’ju përcjell gjithë përgëzimet e mia dhe në emër të popullit francez! Dëshiroj që marrëdhëniet tona dypalëshe të vazhdojnë të forcohen, pikërisht në fushën ekonomike, në përputhje me strategjinë franceze për Ballkanin Perëndimor që kam miratuar në vitin 2019! Përfitoj nga ky rast për të konfirmuar mbështetjen e plotë të Francës ndaj perspektivës europiane të Shqipërisë. Në këtë kontekst përshëndes përpjekjet e mëdha të Qeverisë dhe të popullit shqiptar për të plotësuar kushtet e përcaktuara nga Këshilli në lidhje me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare të negociatave të aderimit mes Bashkimit Europian dhe Shqipërisë. Ashtu si dhe gjatë Samitit të fundit të Brdos, ju siguroj për angazhimin e Francës në realizimin e kësaj konference të parë. Përshëndes gjithashtu qëndrimin e vendit tuaj në mbështetje të plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë së përbashkët të Bashkimit Europian dhe më gëzon fakti i bashkëpunimit që do të kemi së shpejti në gjirin e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara. Duke ju përtërirë përgëzimet e mia më të sinqerta, ju lutem të pranoni, Zoti President, sigurinë e konsideratës time të lartë.”, shkruan Macron.