Ëndrra e Milanit për të vazhduar më tej në Europë zgjati vetëm 7 minuta, aq sa edhe iluzioni i kualifikimit pas golit të avantazhi të shënuar nga Tomori.
Mbrojtësi i kuqezinjëve kaloi në avantazh Milanit në minutën e 29 në sfidën e fundit dhe vendimtare për kualifikim ndaj Liverpool. Anglezët luanin në San Siro pa asnjë objektiv konkret, pasi më herët kishin siguruar si kualifikimin, ashtu edhe kreun e grupit B.
Golit të Tomorit Liverpool iu përgjigj me Salah shtatë minuta më vonë dhe në barazim 1-1 u mbyll pjesa e parë e takimit. Në të dytën, Milani u përpoq që të gjente golin e dytë, por anglezët ishin në skuadër shumë e fortë për ta dhe me Origin shënuan edhe golin e dytë në minutën e 55-të.
Në lojë për biletën e vetme që të çonte në fazën tjetër në grupin B ishin tre skuadra; Milani, Porto dhe Atletiko e Madridit. Ajo që e mori në fund këtë biletë ishte skuadra spanjolle, falë fitores 1-3 në transfertë ndaj portugezëve, që do të vazhdojnë në Europa League, ndërsa Milani largohet përfundimisht nga Europa për këtë sezon.
Jashtë Champions mbeti edhe Dortmundi, megjithëse gjermanët u përpoqën deri në fund që të realizojnë mrekullinë. Ata fituan 5-0 ndaj Beshiktash, por sërish golavarazhi negativ i penalizoi në rënditje përballë Sportingut, që vazhdon më tej, ndërsa gjermanët do të luajnë në Europa League.
Reali fitoi përballë Interin me rezultatin e pastër 2-0. Të dyja skuadrat ishin të kualifikuara për në fazën tjetër dhe ndeshja zhvillohej më shumë për prestigj, por edhe për vendin e parë të grupit, që në fund u mbajt nga madrilenët.