Nga Roland Qafoku
Si sot 41 vjet më parë, bota mbajti frymën: Ylli i muzikës rrok dhe pop, si dhe pjestari i grupit më popullor të të gjitha kohrave “Beatles”, John Lennon, u vra në Dakota pranë shtëpinë e tij në New York. Vrasësi, Mark Chapman, ishte fan i Lennon dhe me çrregullimet mendore që kishte zbatoi rregullin se e donte aq shumë saqë e vrau. Një çmenduri që as mjekët nuk e shpjegonin dot, megjithatë autori nuk ia hodhi me raport mjekësor. Ai u dënua me burg përjetë dhe vuan ende ne burg. Megjithatë, Lennon nuk ishte thjesht një yll rroku anglez qw ishulli prodhon me shumicë. Ai ishte një legjendë. Jo vetëm kohën kur jetoi, por edhe vite e vite pas vdekjes, ai ishte dhe mbeti një frymëzim. Vetëm ne të brezit tim e kuptojmë se çfarë fuqie kishte zëri i tij dhe i “Beatles” në Shqipërinë e izoluar të asaj kohe që nuk lejohej as të dilte e as të futej miza. Megjithatë disa nga ne arritëm ta njihnim Lennon dhe bandën e tij. E dëgjonim dhe e shikonim në ato pak mundësira që na krijoheshin. Sa do doja që radion time të dorës të markës “Adriatik” ta kisha sot si kujtimin më të bukur të jetës adoleshente edhe pse dëgjoja zerin e Lennon! Ishte kënaqësi sipërore të dinim përmendësh tekstet dhe të këndonim vijën melodike të këngëve që adhuronim. Vërtetë “Let it be” ishte himni i grupit “Beatless”, por përherë besoja se “Imagine” ku Lennon është solo mbetet një perlë që nuk ka të krahasuar me asnjë këngë tjetër të tij. Ndërkohë, monumentale është ajo që gazetat e kohës e kanë dhënë lajmin e vrasjes së tij. Ishte koha e fuqisë se gazetës në print. Një gazetari magjike që sot fatkeqësisht na ka lënë. Po përcjell se si e kanë publikur lajmin e vrasjes së Lennon gazetat e më të rëndësishme të kohës “New York Times”, “Mirrorr”, “Washington Post”, “Daily Mail”, “Evening Cronicle”, “Los Angelos Times”, “New Standard”. RIP Lennon dhe media në print!
