Nga Nesip Kaçi
Profesor Bedri Dedja na ka dhënë leksionet e psikologjisë në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe sëbashku me profesorët Hamit Beqja, Petro Lalai,Hasan Duma, Munir Reso, Selman Riza, Eqerem Çabej, Mahir Domi, Skënder Luarasi, Zihni Sako, Shaban Demiraj, Fatos Arapi, Spiro Floqi, Jakov Xoxa, Mark Gurakuqi, Bujar Hoxha, Muzafer Xhaxhiu, etj., etj., me në krye dekanin, profesor Androkli Kostallari, ishin shtyllat e këtij fakulteti, që unë e përfundova më 3O qershor 1964.
Po le të kthehemi te profesori ynë i nderuar, Bedri Dedja, që unë dhe studentët e fakultetit Histori-Filologji e adhuronim aq shumë për cilësitë e tij të përkryera. Ne ish-studentët e tij kemi qënë me fat qe kemi patur një profesor si Bedri Dedja, shkrimtarin më të shquar shqiptar të letërsisë për fëmijë, qw dashamirësia e tij ka prekur zemrat e qindra studentëve, të cilët edhe sot, pas shumë vitesh, kur ai nuk jeton më, e kujtojnë me respekt të thellë. Unë profesor Bedriun e kam njohur nga afër, jo vetëm se na ka dhënë lëndën e psikologjisë, sëbashku, me gjithë studentët e tjerë të fakultetit, në auditorin e madh në katin e dytë, por më tepër jemi njohur në seminaret që ai organizonte me çdo degë, veç e veç, ku na pyeste se sa e kishim studjuar lëndën që na kishte spjeguar gjatë leksioneve. Në degën e gjuhës ruse, ku unë bëja pjesë, vetëm unë kisha mbaruar shkollë të mesme pedagogjike dhe kisha punuar tre vjet mësues në fshat me katër klasa kolektive para se të filloja universitetin, të tjerët kishin mbaruar gjimnaz (lice) dhe mua më përgëzonte që kisha mbaruar shkollë të mesme pedagogjike. Shpesh më pyeste si përballohen katër klasa kolektive brënda një dite nga një mësues i vetëm, a keni patur lodhje, që mund të ndikojë në cilësinë e mësimdhënies. Unë iu përgjigja, lodhje ka, sepse me katër klasa në fshat punohet gjashtë orë në ditë, etj. Kështu që me profesor Bedriun pata lidhje të mira dhe korrekte.Kur arrita në vitin e tretë të fakultetit, u hap një degë e veçantë pedagogji-psikologji me nëntë vetë, e cila do të përgatiste pedagogë për shkollat e mesme pedagogjike, për të dhënë lëndën e pedagogjisë dhe psikologjisë. Në këtë degë më caktuan edhe mua. Në këtë degë të re lëndët kryesore na i jepte profesor Bedri Dedja, Aleko Qendro, Nos Josifi, Pëllumb Gaçe, Bekim Çomo etj. Kështu që lidhjet me profesor Bedri Deden na u shtuan edhe më shumë.
Në kujtesë
Për profesor Bedri Deden, jetën dhe veprat e tij, janë shkruar shumë libra, por libri me titull: “Bedri Dedja, në kujtesën tonë” që ka shkruar prof. Murat Gecaj, ndjesë pastë, është më i ploti, më tërheqës, më interesanti. Zoti Murat Gecaj, në 80 vjetorin lindjes së profesor Bedri Dedes u ka shkruar 51 kolegëve, miqve, ish-studentëve, bashkëpuntorëve e dashamirësve të panumërt të profesor Bedri Dedes, që e kanë njohur nga afër dhe kanë bashkëpunuar me profesor Bedriun, t’i shkruajnë kujtimet dhe mendimet e tyre të cilët, iu përgjigjëm menjëherë dhe kanë përshkruar si e kanë njohur profesor Bedriun dhe kujtimet e tyre me të.
Është e pamundur t’i përmëndim të gjithë por do citojmë disa prej tyre. Po e fillojmë me publicistin e studiuesin Alfred Papuçiu. Ai shkruan për Bedriun më 13 prill 2010 si më poshtë: “Profesor Bedriu lindi në Korçë më 20 nëntor 1930. I ati i vdiq kur Bedriu ishte vetëm një vjeç. Nëna e Bedriut ishte nga një familje e thjeshtë dursake me prejardhje ulqinake. Shkollën fillore Bedriu e ndoqi në Shkodër, ndërsa shkollën e mesme e ka kryer në gjimnazin “16 shtatori” të qytetit të Durrësit. Më 1949 u dërgua me bursë shteti për studime të larta në Moskë. Aty më 1953 mori diplomën e arsimit të lartë në dy degë paralele: psikologji-pedagogji si dhe letërsi për fëmijë. Ka punuar 40 vjet si pedagog i psikologjisë në shkollat e larta të republikës së Shqipërisë. Publicisti dhe studiuesi Alfred Papuçiu, shkruan se këto ditë po lexoja disa letra shumë të ngrohta, nga të shumtat që ka marrë akademiku, profesor Bedri Dedja nga Liga Botërore e Shkencave Psikologjike. Aty shprehej dëshira për bashkëpunim nga ana e këtij organizmi me prestigj në botë. Të them të drejtën m’u bë zemra mal që figura të tilla si akademiku Bedri Dedja e nderojnë Shqipërinë në botë. S’ka shumë kohë që gazeta zvicerane “Le quotidien Jurassien” e cilësoi Bedri Deden si personalitet shqiptar me zë. Akademiku Bedri Dedja ishte kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Psikologjisë, anëtar i Asamblesë së Ligës Botërore të Shkencave Psikologjike- IBC. Qëndra Ndërkombëtare e Biografive të Kembrixhit në vëllimin e viteve 1999-2000, në rubrikën “Eho – Eho” e ka cilësuar Bedri Deden me tre tituj: Shkrimtar dhe autor botëror, një nga 2000 shkrimtarët më të shquar të shekullit XX dhe Njeriu i vitit 1999-2000. Është “Qytetar Nderi i Beratit”, Laurat i Çmimit të Republikës dhe ka marrë Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të Parë. Me rastin e 70 vjetorit të lindjes së tij, ai mori titullin e lartë “Mjeshtër i Madh i Punës” Një rrugë në Tiranë mban emërin e tij. Në vitin 1998 ai botoi librin “Sekreti i talentit”. Ky libër, shprehet Bedri Dedja, pamvarësisht se është i imi dhe nuk është e hijshme të lavdërosh veten, ka një të mirë se mund të quhet “libri i dyerve dhe dritareve të hapura” nga të cilat mund të dalësh ose mund të shkosh për ta zgjidhur vetë me forcat e tua se cili është sekreti i talentit. Ditët e fundit të jetës së tij, i ndihmuar si gjithnjë nga bashkëshortja e tij Pandora, akademiku përgatiti vëllimin me shkrime publicistike e shkencore me dy tituj: “Mikroenciklopedi shqiptare” ose “Pedagogjia në fokus”. Vëllimi përmban një larmi shkrimesh me një spektër të gjerë e dritëpamje të qartë pedagogjike, shkencore, kulturore e shoqërore. Profesor Bedri Dedja ka hartuar një numër të madh tekstesh universitare. Ai është autor dhe bashkëautor në fushën e psikologjisë, pedagogjisë, historisë së mendimit pedagogjik dhe historisë së arësmit kombëtar. Shkrimtari Dritëro Agolli, miku i tij i pandarë, është shprehur për professor Bedriun se, “ishte një shkrimtar i gjithanshëm dhe romanet e tij për fëmijë kanë kulturë letrare e cilësi artistike”.
Krijimtaria
Profesor Bedri Dedja, nënvizon zoti Alfred Papuçiu, ka shkruar në shumë gjini të letërsisë dhe me shumë sukses. Shumë nga veprat e tij kanë marrë çmim Republike dhe janë përkthyer në vende të ndryshme të botës. Atij i janë ribotuar shumë herë librat për fëmijë. Mund të përmëndim midis të tjerave: “Përrallat e Zvicrës”, “Shkolla e pyllit”,”Tregimet e Gjyshe Pastërtores”, “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”,”Si u bënë katër çiliminj biznesmenë”,”Patoku në plazh”, Bariu i vogël në mal të thatë”,”Përrallat e njëmbëdhjetëkatshes”, “Përralla e shpatave të arta”, “Kërcënimi i thonjve kozmikë”, “Artan burizani dhe çeta e tij” dhe romanet e tij: “Republika e 1100 çudirave”, “Kalamajt e pallatit tim”,”Met partizani”, “Qyteti mbi tri kështjella”, “Nëpër korridoret e thella të Jonit”, etj. Romani i tij “Një udhëtim i rrezikshëm” është botuar në shumë gjuhë dhe është në listën e nderit të Organizatës Ndërkombëtare të Letërsisë për Fëmijë. Mjaft prej librave të profesor Bedri Dedes janë botuar edhe në SHBA, në Francë, në Greqi, në Zvicër, në Rumani, në Kinë, në Rusi dhe gjetkë nëpër botë. Librat e tij “Letërsia për fëmijë për shkollat pedagogjike”, “ Tradita dhe problemet e letërsisë shqiptare për fëmijët”,“Shkrime për letërsinë për fëmijë”, e disa qindra artikuj të tij, përdoren edhe sot në shkollat e institucionet kërkimore dhe janë aktuale. Profesor Bedri Dedja ka përkthyer e botuar mbi tridhjet vepra të letërsisë klasike botërore dhe ruse për fëmijë, në prozë dhe në poezi. Profesor Bedriu ka dhënë pedagogjinë dhe psikologjinë në shumë universitete dhe institucione kërkimore shqiptare. Ai ka mbajtur konferenca jashtë shtetit, në dy kongrese evropjane të psikologjisë dhe ka qënë i ftuar në disa kongrese botërore të psikologjisë. Ai ka qënë i ftuar për veprimtari shkencore ndërkombëtare nga Danimarka, Irlanda,Suedija, Afrika e Jugut, Kolumbia, Belgjika, Spanja, Kanadaja, Amerika, Meksika, Portugalia, Holanda, Rusia etj. 24 vepra pedagogjike, psikologjike dhe histori pedagogjie mbajnë autorësinë e tij. Është bashkautor në 27 vepra të këtyre profileve. Vepra poliedrike dhe letrare e Bedri Dedes do të jetojë edhe për brezat e ardhshëm si një vlerë e madhe e kulturës sonë kombëtare. Ai shkroi 130 vepra dhe qindra e qindra artikuj gjatë viteve. Ai ka qënë anëtar i Redaksisë së Përgjitshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik shqiptar 1985 si dhe bashkëpunëtor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akadamisë së Shkencave dhe ministrisë së Arsimit dhe Shkencave: “Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar”, volumi I, 2003. Profesor Bedri Dedja ka lënë një trashëgimi intelektuale të rëndësishme me vlera të veçanta: autor i rreth 136 librave për fëmijë, ka qënë anëtar i Akademisë së Shkençave të Shqipërisë që prej krijimit të saj, ndërkohë që emëri i tij renditet mes anëtarëve të Asamblesë të Lidhjes Botërore të Shkencave Psikologjike. Vepra e tij i kalon të 100 vëllimet.
Ja se ç’shkruan profesor Hamit Beqja për mikun e tij Bedri Dedja: Profesor Bedriu mbushi 70 vjet, personalitet i shquar i kulturës sonë kombëtare, mendimtar dhe dijetar me një erudicion të gjerë shumëvlerash, psikolog e pedagog, i njohur shumë edhe si një ndër përfaqësuesit më në zë të letërsisë për fëmijë të gjysmës së dytë të shekullit të XX. I njohur me të që në universitetin e Moskës, bashkëstudent, bashkëbanues për katër vjet në një dhomë konvikti, koleg dhe bashkëpunëtor tepër i ngushtë gjatë më shumë se 45 vjetësh në Shqipëri, kam mundur të ndjek formimin dhe rritjen e tij nga një djalosh 20 vjeçar, që çohej natën për të shkruar ndonjë vjershë në dritën e abazhurit, në një intelektual të formatit të madh e shumëplanësh, në një përfaqësuës të nivelit të lartë të inteligjencës së sotme progresive shqiptare. Veprimtar i arsimit tonë kombëtar, i shkencës dhe i kulturës. Që në fillim pedagog i psikologjisë dhe pastaj me radhë: dekan në Institutin e Lartë Pedagogjik, drejtor i Drejtorisë së Studimeve dhe Botimeve në ministrinë e Arsimit dhe Kulturës, kryeredaktori i parë i gazetës “Mësuesi” që e drejtoi pesë vjet,zëvendësministër i Arsimit, sekretar i Përgjithshëm i Akademisë së Shkencave që me formiimin e saj dhe gjithmonë në veprimtari të gjithanshme krijuese për t’u admiruar për pasurinë e kthjelltësinë e mendimit, për fjalën tepër të qartë. Autor i shumë veprave të njohura nga fusha e shkencave psikologjike e pedagogjike: “Shënime për historinë e mendimit pedagogjik shqiptar”, “Studime për problemin e metodave të mësimit në shkollë”, “Psikologjia sociale”, “Drejt enigmave të psikologjisë së njeriut” etj. Ai ka dhënë një ndihmesë të jashtzakonshme në fushën e letërsisë shqipe për fëmijë. Janë mbi 60 vepra letrare për fëmijë. Ç’të dallosh këtu më parë ? “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit”, ”Kalamajt e pallatit tim”, “Një udhëtim i rrezikshëm”, “Republika e 1100 çudirave”, “Shkolla e pyllit”, e sa e sa të tjera, shumica të ribotuara disa herë, disa edhe në vendet e huaja.
Akademiku
Profesor Hamit Boriçi, publicist e pedagog, shoku i tij i shkollës fillore në Shkodër, shkruan kështu: Akademiku Bedri Dedja është dhe mbetet mësuesi i mësuesve shqiptarë, ai shquhej për mjeshtëri në mësimdhënie. Ligjëratat e tij priteshin me interesim sa për përmbajtjen e nivelin shkencor, aq dhe për mënyrën e konceptimit dhe paraqitjes së tyre në auditor. Ish-studenti i tij, publicisti Sami Xhango, sekretin e suksesit të profesor Bedriut e përmbledh me këto radhë: “Me nxënësit apo studentët ishte koleg, një gurë e dijes dhe e përvojës që na jepte në mënyrë frymëzuese secilit dhe të gjithëve…, demokrat në auditor dhe në jetë, gjuhën e elitarit nuk e bëri të vetën kurrë, sepse bënte jetën e njeriut të thjeshtë”.
Akademiku Bedri Dedja, nënvizon profesor Hamit Boriçi është dhe mbetet shkencëtar i shquar dhe një nga shkencëtarët më të njohur në lëmin e psikologjisë dhe pedagogjisë brënda dhe jashtë Shqipërisë. Në librin “Drejt enigmave të psikikës”, që është botuar e ribotuar, profesor Bedriu argumenton tezën “ Sot nuk ka pore dhe qelizë të jetës, ku të mos ketë hyrë psikologjia”. Me gjuhë të kuptueshme e stil të zhdërvjelltë u jep përgjigje disa pyetjeve si: “A i është dhënë njëherë e përgjithmonë potenciali funksional trurit?”, “Pse shohim objekte që s’ekzistojnë?”, “Ç’fuqi ka imagjinata e njeriut?”, “Ç’është kimia e ndjenjave?”, “Ç’është telestezia?”,”A ekziston shqisa e gjashtë?”, “Si flasin qelizat nervore?”, etj.
Pedagogjia
Profesor Bedriu mbrojti, përkrahte e praktikonte ide të përparuara në pedagogji, një prej tyre është kundërshtia ndaj moralizimeve në proçesin e edukimit dhe afrimi i domosdoshmërisë së formimit të vetëdijes së fëmijve, ndërgjegjësimi i tyre i shkallëzuar për vendim-marrje të lirë, të pavarur e të pandikuar nga faktorë me ngarkesa ideologjike të kohrave. Të edukosh fëmijën, duke dhënë shembujt dhe duke nxjerrë vetë mësimin, duke e lënë të zgjedhë vetë, thotë një miku i akademik Bedriut, profesor Hysen Sinani, më duket se sot e kësaj dite, është tepër moderne. Ky është një tipar i akademikut novator, shkrimtarit humanist Bedri Dedja. Pikëpamje të kësaj natyre përçohen edhe në referatin “Akselerimi (Përshpejtimi) psikik dhe ndikimi i tij në mësimin e gjuhës amtare” 1982, si dhe në librin “Mbi rrugët e perfeksionimit të sistemit të sotëm të edukatës famjliare”etj. Profesor Bedriu është shkrimtar me rrënjë që në fëmijëri. Kur isha nxënës në klasën e dytë, në fillore, në shkollën e Parucës në Shkodër, Bedriu rrinte një bangë para meje dhe kur mësues Ismeti na pyeti: Kush ka lexuar ndonjë libër jashtëshkollor? Bedriu ngriti dorën dhe mësuesi e ftoi të dalë para klasës me librin në dorë dhe pasi lexoi një fragment “Djemtë e rrugës Pal”, të shkrimtarit hungarez Ferenc Molnar, tregoi bukur ngjarjet që shtjelloheshin në roman. Këtë episod ia kujtova mikut tim, Bedriut, kur ai shkroi dhe botoi romanin e parë të tij “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” dhe më pas “Kalamajt e pallatit tim”. Fillimet e krijimtarisë letrare për fëmijë të këtij autori i gjejmë kur ai ende nuk kishte mbushur të pesëmbëdhjetat. Ishin disa kallëzime, përralla dhe skeçe të botuara në gazetën e murit,“Flamuri i vogël”, të shkollës, që e drejtonte pionieri durrësak Bedri Dedja. Gjatë viteve zoti Bedri Dedja u bë poet, prozator, tregimtar, dramaturg dhe romancier. Akademiku i shquar, profesor Bedri Dedja është dhe mbetet edhe studiuesi, kritiku dhe teoricieni i parë i letërsisë shqiptare për fëmijë, i cili hodhi bazat dhe i dha shtysë zhvillimit të mendimit kritik-letrar dhe historisë së kësaj dege letërsie, aso kohe të re në vendin tonë.
Një anë e veprimrarisë aktive, shoqërore e profesor Bedriut, pak e njohur, është publicistika. Që gjatë viteve të gjimnazit, ai vijoi të botojë në gazetën “Pionieri” dhe “Letrari i ri”, që dilnin në Tiranë. Më 20 janar 1965 do të pohonte se në gazetën tonë të dashur “Pionieri” nisa rrugën e shkrimeve. Më pas zoti Bedri u bë themeluesi dhe kryeredaktori i parë i gazetës “Mësuesi”, duke hyrë kështu në gazetarinë profesionale. Ishin shkrimet në revistën “Ylli” dhe të përkohëshmen “Pedagogu i ri” që projektoi dhe kryeredaktoi, revistë me profil pedagogjik, metodik e letrar. Për profesor Bedriun e përjavëshmja „Mësuesi“ ishte “Universiteti“ pesëvjeçar i publicistikës pedagogjike, shoqërore, kulturore e letrare. Në vazhdim ai ka shkruar shumë në revistat pedagogjike ““Arsimi Popullor“ që trajtonte kryesisht tema për mësuesit e niveleve të ndryshme të shkollimit, posaçërisht parashkollor dhe shkollor. Për gjithë këtë punë të madhe që bëri profesor Bedri Dedja është dekoruar dhe nderuar “Laurat i Çmimit të Republikës“, “Mjeshtër i Madh i Punës” etj.
Impresione
Shkrimtari Agim Deva nga Prishtina e quan profesor Bedri Deden, “Babai i modernitetit në letërsinë tonë për femijë, prej tij kemi mësuar se letërsia mund të shkruhet edhe ndryshe. Ai është kolosi i kulturës sonë, i kemi borxh të gjithë nga pak“. Dhe më poshtë shkrimtari Agim Deva shkruan:“ I kemi mbetur borxh profesor Bedri Dedes edhe ne, këtu në Kosovë, dhe për së gjalli, por edhe pas vdekjes së tij“.
Profesor Murat Geçaj shkruan se me profesor Bedri Dede kam pasur lidhje të veçanta e të pashkëputura gjatë një periudhe 45 vjeçare të jetës sime. Por profesor Murat Gecaj në mbyllje të radhëve dhe shënimeve që ka lënë për të, shkruan një peng të tij:“Dhe përsëri pyes, si nuk u gjet mundësia, që emëri i madh i profesor Bedri Dedes t’i vihej një instituçioni të rëndësishëm arsimor në Tiranë ose në ndonjë qytet tjetër, por iu vendos një rrugice, diku në periferi të Tiranës?
Publiçistja dhe poetja Kozeta Zylo, ish-studente e profesor Bedri Dedja në universitetin e Elbasanit, në katërvjetorin e vdekjes së tij, ka shkruar Requiem për të, të përzier me krenari e dhimbje. Ja ç’ka shkruar ajo: Requiem për profesorin tim të shtrënjtë, kam qënë me fat që kam pasur një profesor, akademik, shkrimtar nga më të shquarit. Me punën e tij kolosale, ai ka bërë emër në fondin e figurave të itelektualëve të shquar në botë. Ja seç shkruan ajo në Requiem: “ Planeti ynë ka shumë nevojë për ta, O zot, sa më dhimsen yjet“. Pra, profesor Bedri Deden, ajo e krahason me një yll.
Për figurën madhore të profesor Bedri Dedes, akademik i shquar, në 80 vjetorin e ditëlindjes së tij, kanë dhënë e shkruar kujtimet e tyre, në librin që ka përgatitur i ndieri Murat Geçaj, 51 kolegë, miq, ish-studentë,bashkëpuntorë e dashamirës të tij e midis tyre edhe Mësuesi i Merituar, publicisti dhe shkrimtari Bardhyl Xhama, publicisti, profesor Kopi Kyçyku, publicisti Marash Hajati, profesor Alfred Uçi, profesore Klara Kodra, profesor Pajazit Nushi, akademik, e shumë e shumë të tjerë.
* Publicist dhe Diplomat