Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit i SHBA për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, ka zhvilluar sot një takim në selinë e PD në Tiranë me kreun e PD-së Lulzim Basha përreth një orë. Escobar shoqërohej nga ambasadorja e SHBA Yuri Kim.
Ka qenë nënkryetarja e PD Jorida Tabaku dhe sekretari i përgjithshëm i PD Gazment Bardhi që e kanë pritur zyrtarin e lartë amerikan në selinë e PD.
Rreth orës 14:30, Escobar do të ketë një takim me ministren për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka. Ndërsa në orën 17:00, ai do të takohet me kryeministrin Edi Rama. Vizita e Escobar vjen dy ditë para Kuvendit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha pas shpalljes non grata nga SHBA dhe pas pezullimit nga grupi parlamentar i PD nga kryedemokrati Basha që ka sjellë një krizë në PD.
Në një njoftim pak ditë më parë ambasada amerikane zbardhi detaje nga vizita e zyrtarit të lartë të SHBA në Tiranë si dhe temat kryesore që pritet të diskutohen.
“Jam i kënaqur që jam në Tiranë është vizita ime e parë dhe mora një pritje të ngrohtë. Isha i lumtur që pata mundësinë të takoj opozitën. Ata kanë shprehur angazimin e tyre ndaj NATO-s dhe integrimit europian dhe luftës kundër korrupsionit. Jemi të kënaqur që jemi pjesë e saj përfshirë dhe përpjekjet tona kundër korrupsionit dhe sanksionet.
Për ta kthyer në realitet këtë do kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare dhe pres me kënaqësi të zhvilloj bisedime të tjera këtë pasdite. Pres me kënaqësi vazhdimin e marrëdhënieve me PD, pres ta takoj Bashën në Washington sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Escobar.