I ftuar mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në Top Channel ka qenë kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Në përballjen me analistët dhe gazetarët, Basha ka konfirmuar për shqiptarët se është ende kryetar i PD-së, pavarësisht vendimit të marrë në Kuvendin Kombëtar të thirrur nga berisha në 11 dhjetor, i cili e shkarkoi.
“Unë jam kryetari i PD i zgjedhur me 1 anëtar një votë. Jam kryetar i opozitës, kam një betejë të rëndësishme për të udhëhequr me demokratët dhe për demokratët. Nuk ka patur Kuvend në 11 dhjetor, ka patur një tubim që mund ta thërriste këdo”, tha Basha.
Sa i përket vendimit të marrë nga ai për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi i PD-së, Basha tha se pasi ka marrë këtë vendim ndihet më i çliruar se në çdo moment tjetër gjatë 16 viteve të karrierës së tij politike.
“Vendimi për përjashtimin e Berishës nga grupi i PD-së nuk është personal, por i kryetarit të PD-së. Me statutin e PD kryetarit i kërkohet të marrë vendime të tilla dhe mosmarrja e një vendimi të tillë e ngarkon me përgjegjësi dhe atëherë do ishte shkelur statuti.
Unë ndihem më me shpresë në 16 vite karrierë në politikë. Unë ndjehem i çliruar nga barra e të kaluarës”, tha Basha.
Kujtojmë se situata në Partinë Demokratike nuk është e qetë, teksa mes Lulzim Bashës dhe Sali Berishës ka nisur lufta me një retorikë të ashpër për njëri-tjetrin.