Nga Plator Nesturi
Edhe e shtuna që lamë pas ishte një përplasje agjendash mes kryetarit të PD Lulzim Basha që mblodhi Kuvendin Kombëtar dhe ish-liderit Sali Berisha që bëri refendumin për tu njohur vendimet e Kuvendit Kombëtar të 11 Dhjetorit. Me këtë që po ndodh brenda forcës më të madhe opozitare, a kemi dy PD, një e tërhequr nga Berisha, një nga Basha?
Të dyja palët shkuan me vetëmohim drejt ndarjes, dhe ndonëse nuk është ende zyrtare mund të quhet fakt që PD është ndarë përfundimisht në dy fraksione që do vijojnë të luftojnë me tërbim njëra tjetrën. Një Kuvend dhe paralel me të një Referendum kundër njëri tjetrit, pra kundër të njëjtëve bashkëluftëtarë të dikurshëm e të të njëjtave betejave elektorale janë shumë ngarkesë për një parti. Pas këtyre ngjarjeve ku të sicili përjashtoi njëri tjetrin mund të thuhet se data 18 dhjetor shënoi ndarjen përfundimtare. Dhe paradoksi i gjithë kësaj çka ndodhi është që të dyja palët brohoritën fitoren e tyre. Ndarjet zakonisht shoqërohen me dhimbje e lot, por në këtë rast u festua. U festua goditja e palës tjetër si i vetmi triumf pas kaq vitesh dështimi në zgjedhje elektorale. Se sa e dhimbshme ishte në të vërtetë e gjitha kjo mjafton të kujtojmë se përveç turmave që shoqëronin e brohorisnin secilin lider kundërshtar, pati dhe një masë të madhe të anëtarësisë së PD që nuk u bënë palë me askëd, që gjithshka e shihnin me dëshpërim nga larg si një bufonadë të shëmtuar dhe ndoheshin të pafuqishëm ndërsa vërenin se si partia e tyre po shkërmoqet. Mjafton të shohim shifrat e votimit në Referendum, apo dhe ftohtësinë për kuvendin e Bashës për të parë se kjo masë e dëshpëruar demokratësh ishin në fakt shumica e shumicave. Fatkeqësi ishte fakti që kjo masë kaq e madhe nuk arriti të krijojë një zë të veçantë që të përfaqësojë këtë pjëse që ish më e ftilluara dhe që nuk mund të bëhet kamikaz i askujt.
Çështja e dy Kuvendeve duket se do të përfundojë në Gjykatë, përveç anës juridike që ka rëndësinë e saj, po aspektin politik si e komentoni?
Divorcet me sherr natyrshëm përfundojnë në gjykatë dhe pikërisht aty do të ndahen zyrtarisht. Por kjo nuk është më e rëndësishmja. Në një parti politike nuk nuk mund të ndahet sigla dhe vula. Ajo çfarë mund të ndahet është çështja e anëtarësisë, numri i deputetëve që do rradhiten këtej e andej dhe kaq. Por forca e një force politike të bashkuar nuk mund të ndahet në pjesë. Forca e një partie ka peshë kur ka një bashkësi dhe jo kur copëtohet. Kështu graviteti politik i secilës nga dy palët e krijuara veç e veç nuk mund të jetë kurrë njësoj me atë që kish patur PD në 30 vjet histori të saj, madje edhe në ditët e saj më të këqia. Po ashtu nuk mund të pretendohet se mund të ndahet dhe elektorati që ka patur dikur PD. Mund të themi me plot gojën se mes dy forcave të reja post PD do të kemi një gropë elektorale që vështirë ti bashkohet njërës apo tjetrës palë. Këtë do e vërtetojmë së shpejti dhe në zgjedhjet e parakohshme lokale për disa bashki të vendit. Do të vërejmë se të dyja palët mund të paraqesin kandidatët e tyre dhe më tepër sesa si një alternativë ndaj maxhorancës do të shohim se kandidimi i tyre do të jetë një garë se kush do arrijë të grumbullojë më shumë vota ndaj njërti tjetrit. Kemi hyrë pra në periudhën e një gare se kush ka më forcë e më dominacë ndaj njëra tjetrës. Por kjo rrugë të çon shumë e shumë më larg tek ridimensionimi real i PD dhe i opozitës në përgjithësi. Pasi gara midis palëve do të vijojë dhe me garën se kush do të afrojë më shumë dhe nga partitë e vogla opozitare rreth vetes.
Duket se Berisha ka kapur bazën e PD-së jo vetëm në shifra por edhe në “frymë” . A po faktorizohet ish- kryeministri Berisha, teksa ka paralajmëtuar se do të udhëheqë protestat e opozitës në vijim?
Kontrasti midis forumeve dhe anatërsisë nuk mund të quhet një arritje e Berishës. Kontrasti ekzistonte prej kohësh dhe Berisha ishte vetë një nga përgjegjësit e këtij realiteti. Ndaj vështirë se mund të flitet për frymë të re. Mund të etiketohet si qëllim i ri i Berishës ndërsa ndërmorri këtë lëvizje të Foltores. Nëse nuk do të kish një vendim kundër tij pas shpalljes non grata kjo lëvozje as që mund të mendohej dhe kontrasti real që ekziston midis burokracisë së PD dhe anëtarësisë së saj do të vijontë të ekzistonte në heshtje dhe në mugëtirën e indiferencës, qoftë edhe të Berishës. Përsa i përket nismave të papritura për protesta, më së tepërmi kjo i shërben jo për një opozitarizëm të vërtetë ndaj maxhorancës apo nismave rajonale, por si një mundësi për tu faktorizuar dhe për të dhënë imazhin se është ai që mund të grumbullojë e të frymëzojë masat në shesh krahasuar me ish beniaminin e tij Basha. Protesta në vetvete është në sinkron të betejës së tij kundër lidershipit aktual të PD, si mjet për të ushtruar presion se me anë të turmave ai mund të arrijë gjithshka, qoftë edhe marrjen e selisë së PD.
Nga kjo situatë përçarje brenda PD-së, a i sjell komoditet Kryeministrit Edi Rama, apo dobësimi i fortë i opozitës zyrtare i vë përballlë Ramës një opozitar qytetar në vijim?
Dobësimi dhe aq më tepër ndarja e opozitës padyshim është një festë surprizë për maxhorancën. Tashmë në ringun e politikës shqiptare, vetëm PS mbetet konkurent i peshës së rëndë. Të gjithë të tjerët janë tashmë pesha të mesme dhe të vogla. Në këtë mënyrë askush nuk ia rrezikon tani për tani kurorën e kampionit. Ajo çfarë pritet tashmë është se si dhe sa kohë do ti duhet opozitës të ridimensionohet. Por një gjë është fakt, për sa kohë një pjesë e opozitës do të ketë imazhin e Berishës të stampuar, vështirë që të mendohet se zhvillimet do të jenë sipas normave të evolucionit. Nga sot mund të flasim për skenarë gjithfarë llojësh që mund të ndodhin, por vështirë të thuhet se elektorati do të mund të krijojë besim tek kjo opozitë e fragmentarizuar që është sot dhe që mesa duket do ti duhet shumë kohë të kthjellohet.
Pavarësisht dobësimit të Bashës si kryetar i PD-së, faktori ndërkombëtar deri tani është në mbështetje të tij. Por nëse Berisha marrë zyrtarisht PD, çfarë qëndrimesh pritet të ketë faktori ndërkombëtar duke marrë parasysh çështjen “non grata”?
Nuk mendoj se i duhet qarë halli faktorit ndërkombëtar. Aq më tepër nga fakti se Berisha kërkon të faktorizohet. Halli, nëse mund ta quajmë “hall” çka po ndodh, na përket ne, se çfarë po ndodh me opozitarizmin dhe sa kredibilitet ka ai tek qytetarët nëse merr sërish imazhin e një ish lideri që ka 31 vite që kërkon të mbivendoset mbi turmat. Ndarja e PD ka prishur balancat politike dhe kjo do të kërkojë kohë të rivendosë balanca të reja, a do të jetë në të ardhmen një parti PD e re dhe e ribashkua, apo nga boshllëku elektoral i krijuar nga ndarja do të përfitojë një parti e re politike këtë nuk e dimë ende, por është fakt që dhe në fund të karrierës së tij berisha po e lë litarin jashtë. Dhe kjo nuk është në të mirë të zhvillimeve normale demokratike të vendit.
