Partia Demokratike zyrtare mendon se Kuvendi i Berishës do të rrëzohet nga gjykata dhe këtë e kanë lidhur me falsifikimin e vulës dhe firmës ku u mbajt Kovendi Kombëtar i datës 11 dhjetor. Enkelejd Alibeaj thotë se, sipas ligjit, janë vendimet që merren në rrugë zyrtare dhe procedurale.
Në një javë u morën vendimi të ndryshme nga dy Kuvende Kombëtare legjitime, të thirrura nga ish kryeministri Sali Berisha dhe nga kryetari aktual Lulzim Basha. Por sërish ngelet pikëpyetje, atë që më herët ka ngritur Gazeta Fjala, nëse këto dy Kuvende do të shkojnë në gjykatë për të qetësuar edhe demokratët të cilët janë shpërndarë sa nga Basha sa nga Berisha. Viti 2022 do të ketë vendimarrje të rëndësishme në Partinë Demokratike, sidomos pas ultimatumit që “Foltorja” e Sali Berishës i ka bërë Bashës për lirimin e karriges dhe zyrës së kryetarit të PD-së.
Por për deputetët që janë grupuar nga Lulzim Basha, sigurisht që do të mbështesin Bashën dhe Kuvendin e thirrur nga ai, por ajo që edhe për këta ngelet pikëpyetja se çfarë do të vendosë gjykata, edhe pse dëshirojnë që Berisha të “rrëzohet”. Enkelejd Alibeaj një prej juristëve në Partinë Demokratike dhe deputet thotë se PD-ja ka një sigël dhe një vulë dhe ajo është ajo që del nga zyrat e PD-së dhe jo që prodhohet e përdoret nga të tjerë individë. “Sipas ligjit, janë vendimet që merren në rrugë zyrtare dhe procedurale. Ka vetëm një vulë dhe vetëm një sigël. Ka vetëm një autoritet, i cili jep autorizimin për ndryshimet eventuale në statutin e PD dhe ky është sekretari i partisë. Mund të bëjë edhe unë kërkesa, por gjëja e parë që duhet të shohë ligji është: A kanë ato në fund, i autorizuar nga sekretari i partisë”, është shprehur Alibeaj.
Nënkryetari i Partisë Demokratike kur u pyet nëse PD do të përfundojë gjykatë, ai u shpreh se Foltorja nuk ka asnjë mundësi pasi vendimet nuk janë marrë sipas ligjit. “Më 11 dhjetor, ka pasur 7 vendimmarrje të pretenduara. U ndryshua statuti, u shkarkua kryesia, këshilli kombëtar, kryetarët e degëve, e fundit fare ishte shkarkimi i zotit Basha, e cila u bë me kuti, ky ishte pretendimi në fakt edhe pse u pa edhe në media që nuk ndodhi kështu. Nga këto vendime ku u shkri e gjithë partia, si matet shumica?”, tha nënkryetari i Partisë Demokratike. Ai tha se se 5 persona kanë përdorur fatkeqësisht vula dhe firma të falsifikuara. “Ky grup nismëtar prej 5 personash, ka përdorur fatkeqësisht vula dhe firma të falsifikuara për të cilët ka edhe një kallëzim, si do të verifikohen këto firma me sy? Sipas ligjit, në këtë rast, kur vijnë kërkesa nga duar të paautorizuara ato refuzohen, por jo vetëm kaq, personi që bën kërkesë abuzive gjobitet”, tha Alibeaj.
Ultimatumi
Enkelejd Alibeaj, nënkryetar i PD, komentoi edhe ultimatumin nga komisioni për rithemelimin e PD ndaj Lulzim Bashës për të liruar zyrën deri më 5 janar. Ai u shpreh se kjo nuk është fryma e PD. Sa i përket referendumit për shkarkimin e Bashës, Alibeaj e quajti “referendum në bilardo” me shifra të rreme. “Kjo është fryma e PD? Kjo e bën këtë parti më të bashkuar dhe më të hapur? Referendum në bilardo, referendum me shifra të rreme. Të paktën për disa degë, unë e di se çfarë ka ndodhur, por nuk dua ta tregoj publikisht pasi dua të ruaj cipën e fundit të demokratëve. Kjo pastaj nuk mund të përdoret si një alibi që më 5 janar të mësyjmë te selia e PD. Sjellja tjetër është kjo: Selia e PD është e të gjithë demokratëve. Ka vetëm një qasje, ne jemi PD dhe synimi ynë është të vijmë një orë e më parë në qeverisje dhe për ta bërë këtë, ne na duhen aleatë. Ne nuk e kemi luksin për të mos pasur në krah një aleatët si SHBA, që e ka bërë të qartë që nuk ka shans, zero, për PD që të vijë në qeverisje nëse nuk do të ndërmerrte atë akt të detyruar që u mor në shtator”, tha Alibeaj.
Berisha “non grata”
Nënkryetar i PD-së Alibeaj, uke folur për “non grata” e Sali Berishës tha se ky vendim duhej pranuar ashtu siç kemi pranuar Amerikën në periudhat më delikate të historisë shqiptare në këto 30 vite. “Këtë vlerësim e ka bërë DASH. Kur e thonë SHBA, kjo është një çështje që çdolloj diskutimi për të shkuar më tej është e tepërt. Përgjigja që i ka hije një politikani shqiptar, sidomos të atyre që përfaqësojnë PD-në, të cilët i kanë pranuar SHBA-të ashtu siç janë; siç i pranuam në vitin 1992 kur erdhën në krahun tonë me Sali Berishën, siç i pranuam në 1999, atëherë kur e gjithë bota ishte skeptike ndaj gjenocidit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ishin ata që vendosën veton, siç i pranuam në vitin 2007 kur erdhën dhe thanë: Kosova, shtet i pavarur; ashtu do të duhet t’i pranojmë edhe tani për vendime siç ndodhi edhe me rastin e zotit Berisha”, tha Alibeaj. Ai shkoi edhe më tej, duke u shprehur se i njëjti qëndrim duhet të mbahet për Berishën ashtu siç është mbajtur edhe ndaj personave të tjerë të shpallur non grata në vendin tonë. “Nëse ne kemi kërkuar për të gjithë ata që janë shpallur non grata të largohen nga parlamenti, por edhe nga politika, hije na ka të gjithëve për koherencë dhe për moralitet në politikë, të mbajmë të njëjtin qëndrim edhe ndaj Berishës”, tha Alibeaj.