Kryeministri Edi Rama me pushime të shkurtra, ka dëshmuar për 10 orë para anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar për çështjen e inceneratorëve. Rama theksoi në dëshminë e gjatë dhe të mbushur me tensione se nuk ka asnjë aferë korruptive dhe se ka besim që çdo procedurë e ndjekur në dhënien e konçensioneve ka qenë ligjore. Duke komentuar arrestimin e ish-ministrit Lefter Koka, u shpreh se është përgjegjësi individuale. Me dëshminë e Ramës është mbyllur procesi hetimor parlamentar, ndërsa çështja tashmë mbetet vetëm në duart e SPAK.
Kryeministri Edi Rama është përballur dje në cilësinë e dëshmitarit në një seancë maratonë me përfaqësuesit e Komisonit Hetimor të ngritur për Inceneratorët. Në 10 orë dëshmi, Rama la të kuptohej se drejtësia do të bëjë detyrën e vet në zbardhjen e kësaj “afere” të quajtur nga demokratët. Opozita thotë se afera e inceneratorëve ka shkaktuar një dëm prej 430 milionë eurosh, ndërsa kryeministri Rama kërkoi nga kryetarja e Komisionit Hetimor, Jorida Tabaku se nga ka dalë kjo shumë, duke e cilësuar si “lajthitje matematikore” dhe sipas llogarive që Rama iu referua bëhet fjalë për një investim që deri tani nuk i kalon 100 milionë euro për të tre inceneratorët, në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në lidhje me faktin që për këtë çështje është i arrestuar ish-ministri Lefter Koka dhe shpallur në kërkim dy biznesmenë, të dyshuar në aferën korruptive në ngritjen e inceneratorit të Elbasanit, kryeministri e cilësoi si “përgjegjësi individuale”. Për këtë çështje u shpreh se ka bashkëpunuar mjaft mirë me ish-ministrin Koka dhe çdo devijim i tij, në dyshimin se është përfshirë në korrupsion është përgjegjësi individuale. I pyetur vazhdimisht nga anëtarët e komisionit hetimor përfaqësues të opozitës mbi procedurat e ndjekura rama u shpreh vazhdimisht se: “Unë nuk merrem me procedurat, unë merrem me revolucionin mjedisor”. E gjithë dëshmia është shëqëruar me përplasje, devijime nga pyetjet dhe përgjigjet, por edhe me ilaritet, batuta dhe thumbime politike që nuk i kanë vlejtur objetit të hetimit parlamentar. Në fund të seancës maratonë ka pasur edhe ngritje zëri dhe akuza të ndërsjellta. Seanca e nisur në orën 12.00 përfundoi në 22.00 me një “mosmarëveshje të dukshme” mes pozitës dhe opozitës, ku PD pritet të dërgojë në SPAK (Strukturën e Posaçmë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) të gjithë gjetjet që sipas saj jasnë shkelje, ndërsa mazhoranca ka këbëngulur se do të vijojë investimi në të tre inceneratorët, pavarësisht faktit se çështja është në hetim penal, por pa një vendim gjykate të formës së prerë.
Nisja e seancës
Tabaku e pyeti Ramën për inceneratorin e Elbasanit dhe shkeljet e pretenduara aty. “Kur kanë tepruar 4 milionë euro tek inceneratori i Elbasanit, sipas pagesave zyrtare të buxhetit të shtetit, por njëkohësisht kur impianti ka kushtuar gjysmën e vlerës, sipas shtetit shqiptar. Pyetja lidhet me faktin që këto kompani kanë paguar veten, ashtu siç administratorët e kompanisë e pranuan dhe ashtu siç u deklarua nga disa zyrtarë të shtetit shqiptar sepse nuk i kanë kontrolluar dot. Kjo sepse nga kompania e auditimit janë marrë të mirëqena. Çfarë roli ka pasur shteti shqiptar?”, tha Tabaku. Pas kësaj pyetje të bërë nga Jorida Tabaku në Komisionin Hetimor të inceneratorëve, kryeministri Rama u shpreh se nëse kjo gjë do të vërtetohej, ai do të kalonte në partinë e Bashës, por theksoi se kjo nuk do të ndodhë kurrë. “Në sekondën që unë do të shoh këtë vërtetim, unë do të kaloj në partinë që ka mbetur aty. Më pas, bashkë me ty do ta kapim të gjithë organizatën kriminale. Ndërkohë, deri kur të vijë ajo sekondë që s’ka për të ardhur kurrë, ajo që kuptoj nga gjithë këto pyetje kuptoj që ju nuk e keni idenë se si funksionon shteti. Ju i kërkoni kryeministrit gjëra që i kërkohen supervizorëve”, tha Rama.
Marrëdhënia e Ramës me Lefter kokën
Kryeministri Edi Rama tha se dy administratorët e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Stela Gugallja, janë shpallur në kërkim dhe po hetohen për një marrëveshje të dyshuar me një prej ish-ministrave të tij, por jo për ndonjë “aferë” me të gjithë qeverinë. “Janë në kërkim se kanë marrë këto 430 milionë eurot dhe i kanë çuar diku dhe atje presin që ë shkojmë dhe ne e t’i ndajmë? Apo sepse në bazë të hetimeve dyshohet se kanë hyrë në marrëdhënie korruptive me një ish-ministër? Janë dy gjëra shumë të ndryshme”, tha Rama, me ironi. “Jam shumë i lumtur që reforma në drejtësi po funksionon, që gjërat po ndahen. Dhe nëse unë them që do të bëjmë këtë, dhe dikush… Unë me Lefter Kokën kam punuar shumë mirë, që të jemi të qartë”, tha shefi i qeverisë. Sa i përket vijimit të pagesave ndaj kompanive të inceneratorëve edhe pse dy prej administratorëve janë shpallur në kërkim, Rama tha: “Ata nuk janë duke u gjykuar, janë duke u hetuar. Për sa kohë nuk kemi asnjë vendim nga organet përkatëse, vazhdon kontrata, është shumë e thjeshtë”.
“430 milionë euro deri në 2047-n”, Rama bën ironi me delegatët
Kryetarja e Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, përmblodhi shifrat që, sipas Partisë Demokratike, do të përfitojnë kompanitë e inceneratorëve. “Për inceneratorin e Elbasanit, që sikurse thatë keni dhënë 24,.7 milionë euro për zbatimin e kësaj kontrate bashkë me TVSH, për kontratën e Fierit, 30,6 milionë euro deri në këtë moment, 360 milionë euro kontrata koncensionare e Tiranës për 30 vite, në total janë 433 milionë euro. Kjo ka shtuar të drejtën për të shitur energjinë me një vlerë prej 160 milionë euro, të drejtën për të shitur skrapin 70 milionë euro, të drejtën ekskluzive nga kontrata të tjera që koncensionari është duke marrë me qytetet e tjera; si 10 milionë euro Durrësi. E bëjnë shumën më shume se 430 milionë euro, por unë iu referova vetëm vlerës se kontratave”, tha Tabaku. Deklarata e saj u prit me të qeshura nga kryeministri Rama. “Jam i keqardhur që i jeni vënë në dispozicion me zë dhe figurë kësaj çmendurie, që mund të jetë normale për Bashën, por jo për një profesioniste. E kam të pamundur të besoj që ju i besoni këto që thoni, siç e kam të pamundur të besoj që ju besoni se keni pasur 5200 vetë me një sallë. Që në atë moment, të gjitha shifrat e tjera janë shumë të diskutueshme edhe po të jenë të vërteta. I thoni njerëzve ju kanë vjedhur 430 milionë, ku këtu bëkeni llogaritë e parave të angazhuara për të pastruar Tiranën, jo për kompaninë. Kompania do të investojë vetë. Bashkitë do të paguajnë për plehrat deri në vitin 2047. Ky është niveli më i lartë i paturpësisë së politikës shqiptare”.
Mbledhja e vetme që Rama mban mend
“A mbani mend mbledhjen e qeverisë, më 17 dhjetor, kur ka kaluar vendimi i këshillit të ministrave për mbështetjen dhe miratimin e financimit paraprak për kontratën koncesionare për trajtimin e mbetjeve në qytetin e Elbasanit?”. Kjo pyetje e kryetares së Komisionit Hetimor për inceneratorët, Jorida Tabaku, u shoqërua me ironi dhe batuta nga kryeministri Rama në komision. “Unë nuk refuzoj t’i përgjigjem asnjë pyetjeje, por ju duhet të më bëni pyetje që lidhen me rolin tim si kryeministër. Mos më ndërhyni se nuk e kam zërin melodioz. Nuk jam këtu për të plotësuar nevojat tuaja, por për t’i dhënë përgjigje pyetjeve. Unë mendoj se jo të gjithë qytetarët e kanë të qartë si funksionon mbledhja e qeverisë. Edhe unë nuk dija derisa shkova. Unë i përgjigjem pyetjeve një për një, por kur ju më pyesni, a e mban mend ti në datën filan mbledhjen? Sikur është ndonjë mbledhje ku është marrë vendimi për të sulmuar ku e di unë se kë. Pse duhet të mbaj mend unë mbledhjen e qeverisë? Unë i qëndroj pikë për pikë atij vendimi qeverie. Nuk e mbaj mend. E vetmja mbledhje qeverie që unë mbaj mend është ajo kur kam vënë fotografinë e Ismail Qemalit”, u shpreh Rama.
Rama: “Isha skeptik për inceneratorët, më bindën të tjerët”
Kryeministri Edi Rama ka thënë se në fillim e ka kundërshtuar idenë e ngritjes së inceneratorëve për shkak të kostos së lartë që ka, por shtoi se eksperiencat e tjera i mbushën mendjen për ta bërë këtë investim nga qeveria.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në komisionin hetimor për inceneratorët se ishte skeptik për ndërtimin e tyre për shkak se ishte shumë shtrenjtë, por theksoi se ky ishte një proces i domosdoshëm dhe emergjenca shumë e madhe. Sipas tij tarifa 29 euro për Tiranën është e përballueshme.
“Nuk kam pasur asnjë besim që kjo mund të ndodhte, sepse eksperienca ime në Bashkinë e Tiranës dhe kontakte të tjera më kanë treguar që ishte shumë e shtrenjtë dhe nuk ka nevojë të bëjmë diskutime të gjata se po ju them që për të njëjtin produkt ku në Tiranë kemi trajtim vjetor 365 ton investim është 128 mln euro, ndërkohë për 100 mijë ton në Mbretërinë e Bashkuar 76 mijë paund. Dhe po të marrim tarifat, kompanitë ndërkombëtare i kanë të papërballueshme për publikun tonë. Ne kemi vënë tarifën 29 euro, tarifa 37 euro e vendosur nga bashkia e Tiranës e mëparshmja nuk ka qenë propozim abuziv, sepse nga eksperienca dhe studimi i shifrave, ne e kemi 29 euro. Ajo pjesa që u shtua është deri ën 2047-ën. Kemi pasur disa kontakte dhe unë nuk i kam besuar, por duke qenë se ishte një proces i domosdoshëm, emergjenca ishte e madhe dhe këmbëngulja e bindja e të tjerëve ishte e madhe; shumë mirë le të bëhet”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë ndërtimi i inceneratorëve është rruga e duhur pasur parasysh impaktin në komunitet si edhe në aspektin investim-çmim–përftim. “Kjo është rruga e duhur dhe duke pasur parasysh impaktin në komunitet. Në aspektin investim-çmim -përftim kemi bërë gjënë e duhur dhe është e kotë ta diskutojmë është çmim i arsyeshëm për një bashki si Tirana duke pasur parasysh Durrësin, Kamzën”, tha ai. Rama u shpreh se për ndërtimin e inceneratorit të Fierit dhe Elbasanit janë investuar para nga buxheti i shtetit, kursë për Tiranën investohen nga kompania, ndërsa për Durrësin është subvencionuar. “Vetëm për 50% të popullsisë mblidheshin plehrat dhe vend depozitimet ishin të panumërta në rastin e Elbasanit bën që të evitohet hedhja e mbetjeve në vendgrumbullime të paligjshme ose siç ishte Porto Romano.
Nëse shohim kostot ne kemi investuar para drejtpërdrejt nga buxheti për ndërtimin e Elbasanit e Fierit me formulën që i gjithë procesi i trajtimit nuk do të paguhej. Bashkia çonte mbetjet ishte një lloj subvencioni edhe për Bashkinë Tiranë investohet nga kompania, një investim 128 milionë. Mbulimi për Tiranën është parashikuar në ulje, për 2022 është vetëm 200 milionë dhe do shkojë në balancë. Durrësit do t’ i jepnin subvencion për të mbuluar shpenzimin. Po të bëjmë llogaritë e kostos është në përfitim për heqjen e gjithë asaj barre plehrash, për fuqizimin e imazhit të qytetit turistik”, tha ai.
10 minuta për një ndjesë
Gati 10 minuta në Komisionin Hetimor të Inceneratorëve zgjatën me kërkesën që e një ndjese që Rama i kërkoi Tabakut, pas një fjalie të saj. “Ju bëtë një gabim në raport personal, në raport me dëshmitarin. Unë ju dhashë një përgjigje dhe ju thatë, juve kështu jua kanë thënë. Domethënë unë këtu nuk dhashë një përgjigje korrekte, por atë që më ka instruktuar grupi kriminal”, u shpreh Rama. Më tej, Tabaku vazhdoi me pyetjen e radhës ndaj Ramës, por kryeministri ngulmoi në kërkesën e tij për ndjesë. Ai theksoi se nuk do të vazhdonte nëse nuk do ta merrte ndjesën nga Tabaku. “Ose do të më respektoni si dëshmitar dhe nuk do t’i komentoni më fare ato që them unë, ose pastaj do të rrimë këtu deri më 6 mars. Dua një ndjesë të vogël. Në të kundërt do të mbeteni pa fushatë”, tha Rama. “Zoti dëshmitar, unë e kuptoj që nuk doni t’i përgjigjeni pyetjes për transfertën. Nëse kjo i shërben punës së këtij komisioni, kërkoj ndjesë nëse dinjiteti juaj është cenuar rëndë nga një koment i imi”, tha Tabaku.
Firma e kryeministrit në draft-kontratë, Rama: Nuk kam parë asnjëherë fletore zyrtare
Deputeti demokrat në komisionin hetimor për inceneratorët, Helidon Bushati e konsideroi të turpshme, firmën e kryeministrit Rama në draft kontratë dhe theksoi se kjo tregon urgjencën e tij për ta bërë efektive. Por kreu i qeverisë iu përgjigj se kjo është hera e parë që sheh një fletore zyrtare në distancë se nga afër nuk ka parë asnjëherë. “Nuk kam ardhur të bëj debat ekspertësh se ekspertiza këtu ka virus është e virusuar. Kam ardhur këtu për rolin e kryeministrit dhe di që janë të ndara detyrat. Jam shumë dakord që estetikisht problemet janë akoma më të mëdha, por unë nuk e bëj dhe as e kam parë fletoren zyrtare dhe është hera e parë që shoh një fletore zyrtare në distancë se nga afër nuk e kam parë asnjëherë dhe nuk më intereson fare. Nuk e bëj unë tipografin e fletores zyrtare”, tha Rama. Më tej kreu i qeverisë tha se i del për zot gjithçkaje që bën dhe çdo ministri në betejat e përbashkëta. “U dal për zot të gjitha gjërave që bëj dhe gabimeve që bëj. I vë gjoksin çdo ministri sa kohë betejat janë të lidhur me punën e përbashkët nëse secili pas kurrizit tim ka edhe agjendë tjetër nuk është puna ime është punë e tij”, tha shefi i qeverisë.
Rama: Kam ardhur si dëshmitar, jo për të zbardhur aferën
Në nisje të dëshmisë së tij në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kryeministri Edi Rama ftoi drejtuesen e komisionit, Jorida Tabakun, që të mos bëjë pyetje mbi opinione, por mbi dokumente ligjore. Rama i tha Tabakut se debatin televiziv nuk duhet ta transportojë në këtë komision, të cilin e ka mbështetur që nga fillimi. “Në këtë komision, është përsëritur akuza e grupit të strukturuar kriminal. Do ju kërkoja të bënit punën tuaj dhe do t’ju sugjeroja që mos eksportoni debatin parlamentar dhe televiziv. Mendoj që komisioni është shumë i rëndësishëm, i kam dhënë mbështetje të plotë dhe jam këtu për të ndihmuar në zbardhjen e së vërtetës. Nëse dëshironi të jemi të tillë deri në fund, respektoni ligjin deri në fund. Nuk kam ardhur këtu për të zbardhur aferën, ajo është në opinioni tuaj që e keni shprehur kudo. Këtu nuk mund ta shprehni, jeni anëtarë të një komisioni që po pyesni një dëshmitar. Unë nuk kam ardhur këtu për asnjë aferë”, tha Rama.