Mëngjësin e djeshëm Ukrainë është zgjuar nga bombardimet e shumta të ushtrisë ruse, e cila depërtoi deri në kryeqytet, duke vendosur nën kontroll edhe aeroportin. Raportohen për disa të vrarë dhe pavarësisht reagimit të ashpër të liderëve botërorë Putin duket se nuk ka ndërmend të tërhiqet. Në Shqipëri reaguan presidenti, ministrja e jashtme, ministri i mbrojtjes dhe përfaqësues të opozitës, ndërsa ambasadorja amerikane takoi kryeministrin Rama për këtë çështje. A rrezikohet që konflikti të përhapet edhe në Ballkanin Perëndimor, pasojat e të cilës do i ketë edhe Kosova dhe Shqipëria?
Pamje tmerri në të gjithë ukrainën që u zgjua mëngjesin e djeshëm nën bobardimet e ushtrisë ruse. Nga informacionet që vfijnë nga Ukraina mësohet për disa të vrarë, ndërsa mijëra njerëz kanë braktisur banesat për tu larguar nga lufta, e cila rrezikon që të nxisë një krizë të thellë emigrantësh. Liderët botërore të shumë vendeve, duke përjashtuar vetëm Kinën i kanë dënuar sulmet ruse dhe që prej dy ditësh janë aktivizuar edhe sanksionet ekonomike. Megjithatë Rusia duket se nuk do të tërhiqet, ku pas marrjes së dy republikave në kufi me Ukrainën, ditën e djeshme bombarduan edhe kryeqytetin Kievin dhe morën nën zotërim edhe aeroportin. Gjithashtu është goditur sistemi bankar duke shkaktuar kaos dhe pritet që të njëtën fat të ketë edhe sistemi energjitik në Ukrainë, duke shënuar zyraisht pushtimin e plotë. Fati i Ukrainës megjithë reagimin e ashpër të të gjithë liderëve botërorë tashmë është nën sundimin e egër rus.
Pushtimi konsiderohet i realizuar por mund të mos ndalet vetëm me ukrainën. Diplomatë karriere, por edhe analistë të njohur ndërkombëtar i tremben ndikimit rus edhe në Ballkanin Perëndimor. Serbia është shteti i cili deri më tani jo vetëm nuk ka dënuar sulmin rus mbi Ukrainë, por me deklaratat e disa personave në qeveri kanë justifikuar sulmet. Bosnja mbetet zona ende e trazuar ku “republika Serpska” është një kërcënim serioz që do të trazonte këtë zonë e më pas zinxhiri i konflikteve nën ndikimin e dyshes zyrtare Moskë-Beograd mund të merrte përmasa edhe më të mëdha. Shqipëria dhe Kosova në qëndrimet e tyre kanë qenë unanime, duke kërkuar ndaljen e menjëhershme të sulmeve ushtarake dhe deklaruar mbështetjen për SHBA dhe NATO në çdo nismë të saj. Për momentin konflikti duket në distancë disi të largët, por qëllimet ruse, të mbështetura edhe nga Beogradi zyrtar mund të shtrihen frikshëm për destabilizimin e Ballkanit perëndimor i cili mbart prej dekadash konflikte etnike.
Peleshi: Shqipëria me kontribute ndaj aleancës
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në fjalën e tij në Kuvend dënoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës. Ai theksoi se përballë kësaj situate NATO ka treguar unitet, ndërsa shtoi se Shqipëria do të japë kontributin e saj ndaj aleancës. “Sot makineria ushtarake rusi nisi sulmet në territorin sovran të Ukrainës. Raportohen humbje jetësh njerëzore. Dënojmë me forcë këtë sulm si një akt që cënon çdo marrëveshje ndërkombëtare. Shqipëria do të japë kontributin e saj ndaj aleancës. Kur themi Shqipëria nënkuptojmë politikën shqiptare, shoqërinë shqiptare. Ndaj dëshiroj të risjell në vëmendje se çdo shqiptar që është i interesuar për paqen në rajon, Shqipëri, Kosovë duhet të unifikohen në qëndrim të përbashkët. Unë nuk shoh rezoluta parlamentare, sot po flasin qeveritë në emër të vendeve të tyre. Agresioni rus ka provokuar unitet, solidaritet brenda vendeve të NATO-s. Do t’ju lutesha që këtë çështje të mos e përdorim në politikë. Do të thoja që dhe çështje të tjera që shtrembërohen në një situatë ku duhet të tregojmë se dimë të reagojmë edhe përballë situatave të mëdha”, tha Peleshi. I ndalur tek afera e inceneratorëve, Peleshi tha se hetimin e Komisionit Hetimor e sheh si një standard të ri.
Kim takim me Ramën dhe Xhaçkën: Jemi të bashkuar
Pas pushtimit të Ukrainës pas mesnatës duke shënuar data 24 shkurt , diplomacia e akredituar në Shqipëri ka reaguar nepërmjet takimeve me qeverinë. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka zhvilluar dje një takim me kryeministrin Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka. Fokusi i takimit ka qenë pushtimi i Ukrainës nga forcat ruse. Lajmi është bërë i ditur nga ambasada amerikane në Tiranë përmes një postimi në Tëitter, ku theksohet se SHBA-ja dhe Shqipëria qëndrojnë të bashkuar krah aleatëve të tjerë dhe dënojnë ashpër veprimet e Rusisë. “Ambsadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim diskutoi me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Jashtme Olta Xhaçka për pushtimin e paprovokuar dhe të pajustifikueshëm të Ukrainës nga Rusia. SHBA-të dhe Shqipëria janë të bashkuar me të tjerët në mbarë botën për të dënuar në termat më të ashpër veprimet e Rusisë. #QëndroniMeUkrainën”, shkruhet në postimin e ambasadës amerikane në twitter.
Basha: Shqipëria qëndrim të paekuivok
Kreu i PD, Lulzim Basha kërkon një reagim të fuqishëm nga Shqipëria për sulmin rus në Ukrainë. Në fjalën e tij në Parlament, Basha u shpreh se autoritetet shqiptare brenda mundësive që kanë duhet të marrin masa për t’iu gjendur pranë autoriteteve dhe qytetarëve Ukrainës. Po ashtu Basha u shpreh se PD mbështet një reagim të shpejtë të OKB, NATO dhe BE duke qendruar ne solidaritet të qytetarëve ukrainas. “Ndaj PD dhe opozita në mënyrë të pa ekuivoke i bëjnë thirrje autoriteteve shqiptare të marrin masat të jo vetëm bashkërendimit diplomatike të marrë masa jo vetëm për bashkërendimin diplomatik në KS dhe NATO por edhe cdo masë tjetër për t’iu gjendur pranë autoriteteve dhe qytetarëve Ukrainës brenda mundësive në këtë akt të pashembullt agresioni. Si dhe për një qëndrim pa asnjë ekuivok jo në funksion të axhendës politike të gjithsecilit që ka përgjegjësitë aktuale dhe përfaqësimin aktual, pavarësisht kontestimeve të legjitimitetit. Në emër të PD dhe të cdo shqiptari dënoj agresionin rus. Mbështesim një reagim të shpejtë të OKB, NATO dhe BE dhe qëndrojmë në solidaritet të qytetarëve ukrainas”, tha Basha.
Meta: Rusia të tërhiqet nga veprimet ushtarake
Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta thotë se sulmi i pajustifikueshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, shkel ligjin ndërkombëtar dhe kërcënon jetën e civilëve të pafajshëm. “I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës!”, shprehet kreu i shtetit shqiptar në reagimin e tij. “Shqipëria dënon sulmin e pajustifikueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës, duke shkelur ligjin ndërkombëtar dhe duke kërcënuar jetën e civilëve të pafajshëm. I bëjmë thirrje Rusisë të tërhiqet nga veprimet ushtarake kundër integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës! Shqipëria qëndron me Ukrainën dhe popullin e saj në këtë orë të errët!”, shkruan Meta.
Kryemadhi: Të vendosur me partnerët tanë në NATO dhe BE
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka dënuar me forcë sulmin brutal nga Rusia në Ukrainë. Në reagimin e saj në rrjetet sociale, Kryemadhi thotë se “qëndrojmë të vendosur me aleatët dhe partnerët tanë në NATO dhe BE, për një përgjigje të përbashkët dhe definitive, që garanton paqen dhe sigurinë e popullit të Ukrainës dhe botës”. “Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim shpreh solidaritetin e plotë me Ukrainën dhe popullin e saj. Ne dënojmë me forcë sulmin brutal nga forcat militare të Rusisë mbi ta, dhe qëndrojmë të vendosur me aleatët dhe partnerët tanë në NATO dhe BE, për një përgjigje të përbashkët dhe definitive, që garanton paqen dhe sigurinë e popullit të Ukrainës dhe botës”, ka shkruar Monika Kryemadhi.
Xhaçka: Shkelje e një marrëveshje të firmosur nga vetë Rusia
Ministrja e Jashtme Olta Xhaçka tha në seancën e djeshme parlamentare se Rusia ka shkelur marrëveshjen që ka firmosur vetë. Kryediplomatja theksoi se Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, ndërsa i ka kujtuar rusisë të ndali sulmin.
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, tha në Kuvend se pushtimi i Ukrainës është shkelje e marrëveshjeve të firmosura nga vetë Rusia. Xhaçka theksoi se po koordinohen me BE-në për sansksione të rënda ndaj Rusisë. Xhaçka deklaroi se tre shqiptarë kanë kërkuar ndihmë në Ukrainë, ndërsa i është sugjeruar të largohen në rrugë tokësore drejt Polonisë, ku do të priten nga ambasada shqiptare atje. “Pushtimi i Ukrainës është shkelje flagrante e marrëveshjeve të firmosura nga vetë Rusia, e së drejtës ndërkombëtare në tërësinë e vet, dhe e Kartës së OKB-së. Shqipëria mbështet me vendosmëri pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Ukrainës, në respekt të parimeve themelore mbi të cilat është ndërtuar siguria evropiane dhe globale, të dhe angazhimeve ndërkombëtare. Shqipëria dënon aktin e agresionit rus dhe e konsideron atë jo vetëm një akt kundër Ukrainës, por dhe kundër themeleve të rendit dhe sigurisë ndërkombëtare”, ka thënë Xhaçka në seancën plenare. Ajo tha se në cilësinë e bashkë-penë-mbajtësit, Shqipëria do të jap kontributin e saj në hartimin e projeketeve dhe dokumenteve që do të shtrohen për diskutim. “Si bashkë-penë-mbajtëse me SHBA për Ukrainën dhe në bashkërendim me vendet e tjera të njëmendta: Shqipëria po jep kontribut të mirëfilltë në hartimin projekteve të dokumenteve që do të shtrohen për diskutim në Këshillin e Sigurimit. Në kuadër të OSBE: në mbledhjen urgjente të thirrur pas njohjes së pavarësisë së të ashtuquajturave republika të Doneskut dhe Luhanskut, Shqipëria ka mbajtur qëndrim të fortë në mbështetje të pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, të parimeve të bashkëpunimit dhe të arkitekturës së sigurisë të ngritur nga kjo organizatë”, tha Xhaçka. Sipas saj, Shqipëria po vazhdon të koordinohet me vendet aleate në kuadër të NATO-s dhe OSBE-së, në takimet e nivelit të lartë që po përgatiten në këto organizata, dhe në dialog me Bashkimin Evropian, për një reagim të bashkërenduar që do të përfshirjë sanksione të rënda kundër Rusisë. “Sulmi ndaj sigurisë evropiane që u bë flagrant sot, e bën edhe më të domosdoshëm një front të bashkuar në mbrojtje të parimeve themelore, që të përfshijë edhe rajonin tonë. Dhe Shqipëria ka luajtur dhe po luan rol udhëheqës në këtë drejtim: Në rajon ne jemi jo vetëm vend anëtar i NATO-s, por dhe vend që bashkohet 100% me qëndrimet e Bashkimit Evropian në politikën e jashtme dhe të sigurisë. Shqipëria nuk është mjaftuar vetëm me fjalë dhe linjëzim politik me BE, SHBA, MB dhe vende të tjera të njëmendta: që në krye të herës i jemi bashkuar sanksioneve ekonomike që BE vendosur ndaj Rusisë, duke marrë mbi vete edhe sanksionet që Rusia ka vendosur si reagim”, tha Xhaçka.
Roli i Shqipërisë
Ministrja e Jashtme tha se nuk duhet tu jepet rëndësi aktorëve të tretë për të qenë në rolin destabilizues. “Ne kemi këmbëngulur prej kohësh që në këtë kohë rishfaqjeje të sulmeve ndaj sigurisë evropiane dhe të përpjekjeve për të ndërtuar sfera influence, është me rëndësi vendimtare që të mos u jepen mundësi aktorëve të tretë që të luajnë rol destabilizues në rajonin tonë – me rëndësi vendimtare për rajonin; me rëndësi vendimtare për sigurinë evropiane. Prandaj orientimi ynë euro-atlantik ka qenë i qartë dhe i palëkundur”, tha Xhaçka. Diplomatja shqiptare, Olta Xhaçka tha se Rusia përbën një shqetësim për influencën despatibilizuese. “Në mbrojtje të stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe në Evropë, ne kemi theksuar prej kohësh dhe vazhdimisht shqetësimin për influencën destabilizues ruse në rajonin tonë dhe nevojën për t’iu kundërvënë. Shqipëria ka mbajtur një qëndrim të hapur, të qartë dhe të argumentuar ndaj politikës ruse në rajon dhe më gjerë, qëndrim që përputhet me atë të ShBA dhe BE dhe që e bën këtë qëndrimi të vendit tonë të dallueshëm në rajon”, tha Xhaçka. Ajo tha se Qeveria Shqiptare po ndjek me vëmendje qëndrimin e vendeve të rajonit, “por besojmë se edhe në këtë rast roli i Shqipërisë si një faktor i moderuar, stabilizues dhe konstruktiv do të ndihmojë në zvogëlimin e pasojave në rajon si rezultat i ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë, situatë e cila mund të riaktivizojë elemente ekstremiste apo të dhunshëm, si dhe të aktivizojë skenarë politikë destabilizues”, tha Xhaçka. Ajo tha se Shqipëria do të ketë një rol udhëheqës në rajon. “Si një vend anëtar i NATOs na rritet edhe më shumë përgjegjësia për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Kjo e bën Shqipërinë të dallueshme dhe të aftë për të luajtur një rol udhëheqës në rajon”, tha ajo.
Bushati: Zemërthyese situata në Ukrainë, BE të nxjerrë mësime
Situata në Ukrainë ka sjellë reagimin e ish-ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati. Përmes një reagimi në tëitter, Bushati e cilëson zemërthyese pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, ndërsa flet për një pikë kthese në rendin global. “Është zemërthyese të shohësh një vend paqësor si Ukraina duke përjetuar një pushtim të paprovokuar nga ana e Rusisë. Një pikë kthese për rendin global me implikime shumë të mëdha për rendin e vendosur në Europë pas Luftës së Ftohtë. A do t’i përgjigjet Europa në mënyrë strategjike kësaj sfide historike? Kjo po ndodh në Evropë!”. Ndërkaq, në një reagim të mëvonshëm ndaj tëitterit të ish-Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Suedez Carld Bildt, ish-ministri ynë i Jashtëm Bushati nuk kursen kritikat ndaj procesit të zgjerimit të BE-së. Sipas tij, “nëse strategjia e dekurajimit dështon, strategjia që Putin aplikon prej vitit 2008 do të vazhdojë të funksionojë. Një nga mësimet e dy dekadave të fundit që duhet të kishte mësuar BE-ja është se nëse nuk zgjerohet, të tjerët do të zgjerohen. Koha për të njohur aspiratat evropiane të Ukrainës dhe për të përfshirë Ballkanin Perëndimor”.