Pas gjetjes së 20 trupave civilësh, mes tyre edhe të mitur, në një prej qyteteve të Ukrainës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg si dhe Antony Blinken i DASH ka këkruar një hetim për krime lufte.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka quajtur vdekjet e civilëve në qytetin e Bucha-s, si një “brutalitet”. “Është një brutalitet ndaj civilëve që nuk e kemi parë në Evropë për dekada. Është e tmerrshme dhe është absolutisht e pa pranueshme që civilët të jenë një shënjestër dhe të vriten. Kjo thekson ende më shumë nevojën që lufta duhet të përfundojë”, u shpreh Stoltenberg. Trupat e të paktën 20 burrave civilë u gjetën të shpërndarë nëpër një rrugë në qytetin Bucha, në veriperëndim të Kievit, pas tërheqjes së forcave ruse nga zona në imazhet shqetësuese të publikuara nga AFP. CNN ka kërkuar koment nga Ministria ruse e Mbrojtjes në lidhje me pretendimet për ekzekutimin e civilëve në rajonin e Kievit dhe pjesë të tjera të Ukrainës. Stoltenberg tha, “Unë mirëpres fuqishëm” një hetim nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila ka hapur një hetim për krimet e luftës në Ukrainë. Një prej organizatave kryesore që veprojnë në fushën e të drejtave të njeriut bëri të ditur të dielën se kishte dokumentuar ato që i cilësoi se ishin krime të qarta lufte të kryera nga forcat ushtarake ruse kundër civilëve në Ukrainë.
Antony Blinken
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka thënë të dielën se Departamenti i Shtetit do të ndihmojë në dokumentimin e çdo mizorie të ushtruar nga rusët në Ukrainë dhe sidomos ndaj civilëve. Kjo deklaratë vjen, në një kohë kur AFP raportoi trupat e 20 burrave civilë të vrarë të shpërndarë nëpër rrugë. “Këto imazhe janë një goditje e madhe. Që në fillim të agresionit ne kemi thënë se rusët kanë kryer krime dhe kemi punuar për t’i dokumentar ato. Duhet të ketë përgjegjësi për këto”, tha Blinken. Muajin e kaluar, Departamenti Amerikan i Shtetit akuzoi zyrtarisht forcat ruse për krime lufte në Ukrainë. I pyetur të dielën nëse trupat ruse u kryen gjenocid, Blinken tha: “Ne do të shikojmë me kujdes dhe do të dokumentojmë gjithçka që shohim, do t’i bashkojmë të gjitha, do të sigurohemi që institucionet dhe organizatat përkatëse që po e shikojnë këtë, përfshirë Departamentin e Shtetit, të kenë gjithçka. ata duhet të vlerësojnë saktësisht se çfarë ndodhi në Ukrainë, kush është përgjegjës dhe çfarë përbën”. “Unë mendoj se gjëja më e rëndësishme është që ne nuk mund të mpihemi ndaj kësaj, ne nuk mund ta normalizojmë këtë,” shtoi Blinken. “Ky është realiteti që po ndodh çdo ditë për sa kohë që brutaliteti i Rusisë kundër Ukrainës vazhdon. Kjo është arsyeja pse duhet të marrë fund”, th ai. Blinken nuk pranoi të konfirmonte raportimin nga CNN dhe të tjerët se SHBA po ndihmonte në lehtësimin e transferimit të tankeve të epokës sovjetike në Ukrainë, i cili ishte një nga sistemet e armëve që kërkonte Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky. Por Blinken tha se Shtetet e Bashkuara dhe vendet e NATO-s po ndihmonin për t’i siguruar Ukrainës armët e nevojshme, duke shtuar se së shpejti do të ketë 10 sisteme armësh antitank në Ukrainë për çdo tank rus që ndodhet në territorin ukrainas. “Në të gjithë bordin, ajo që ne po përpiqemi të bëjmë është të sigurohemi që ukrainasit të kenë sistemet që u nevojiten që mund t’i përdorin dhe mund t’i përdorin menjëherë,” tha Blinken. I pyetur për mundësinë që Ukraina të ruajë neutralitetin midis Perëndimit dhe Rusisë si pjesë e një përfundimi të luftës, Blinken tha se administrata e Biden do të mbështeste atë që ukrainasit duan. “Kur bëhet fjalë për të ardhmen, ne dhe aleatët dhe partnerët do të duam të sigurohemi që të bëjmë gjithçka që mundemi për të siguruar që kjo të mos ndodhë më dhe që Ukraina të ketë mjetet për të mbrojtur veten, për të penguar agresionin e mëtejshëm rus” tha ai.
Human Rights Watch: Rusia po shkel ligjin e luftës
Në një deklaratë të organizatës “Human Rights Watch” thuhej se ajo kishte gjetur disa raste që tregonin se forcat ushtarake ruse kishin shkelur ligjet e luftës në rajone të kontrolluara nga Rusia në Çernihiv, Kharkiv e Kiev. Organizata e botoi deklaratën në Varshavë. Të shtunën trupa civilësh të vdekur u gjetën të hedhur nëpër rrugët e qytetit Bucha të Ukrainës, tre ditë pasi ushtria ruse u tërhoq nga një sulm njëmujor ndaj kësaj zone që ndodhet 30 kilometra në veriperëndim të Kievit. Ministria ruse e mbrojtjes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment kur u pyet në lidhje me trupat e gjetur në Bucha dhe mbi deklaratën e “Human Rights Watch”. Kremlini thotë se operacioni i tij special ushtarak ka në shënjestër objektiva ushtarakë dhe jo sulme ndaj civilëve. I pyetur rreth disa akuzave të tjera për krime lufte më 1 mars, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha për gazetarët se Moska e mohon në mënyrë kategorike këtë gjë. Ai hodhi poshtë akuzat për sulme të Rusisë ndaj objektivave civile dhe përdorim nga ana e tyre të bombave thërrmuese apo bombave me vakum. Më 21 mars zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes Igor Konashenkov, tha se operacioni i Rusisë po kryhej nga forca profesioniste dhe të armatosura mirë, duke hedhur poshtë pretendimet e Ukrainës se forcat ruse kishin goditur objektiva civilë. Organizata “Human Rights Watch” me bazë në Nju Jork iu referua rastit të Bucha-s në deklaratën e saj, duke thënë se kishte intervistuar 10 persona, përfshirë dëshmitarë e banorë lokalë, personalisht ose me telefon. Sipas organizatës disa kishin frikë të jepnin emrat e tyre të plotë. “Rastet që ne dokumentuam përbëjnë një mizori dhe dhunë të pashpjegueshme e të qëllimtë kundër civilëve ukrainas”, tha Hugh Ëilliamson, drejtor i “Human Rights Watch” për Evropën dhe Azinë Qendrore. “Përdhunimi, vrasja dhe aktet e tjera të dhunshme ndaj njerëzve që janë ndaluar nga forcat ruse duhet të hetohen si krime lufte”, shtoi ai. Agjencia “Reuters” nuk ishte në gjendje të verifikonte menjëherë provat e ofruara nga “Human Rights Watch”. Gazetarët e “Reuters-it” vizituan të shtunën Bucha-s, pasi qyteti u rimor nën kontroll nga forcat ukrainase dhe panë trupa njerëzish pa uniforma ushtarake, të shpërndara në rrugë. “Human Rights Watch” tha se të gjitha palët e përfshira në konfliktin e armatosur në Ukrainë janë të detyruara të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe ligjet e luftës.