Diplomatja amerikane Yuri Kim ka takuar Enkelejd Aliebajn në statusin e kryetarit të komanduar të Partisë Demokratike, duke dhënë sinjalin e qartë se nuk njeh rikthimin e Berishës në “zotërimin” e partisë. Takimi me Alibeajn dhe komenti i ambasadores nuk është pritur mirë nga Grupi i Rithemelimit, duke e akuzuar atë se ka shkelur në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate.
Ambasadorja Amerikane në Tiranë, Yuri Kim, zhvilloi një takim me Enkelejd Alibeajn, të cilin e konsideroi si kryetarin e komanduar të PD-së, duke injoruar kështu vendimet e regjistruara të Gjykatës së Tiranës, miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit, në bazë të të cilave partia drejtohet nga Komisioni i Rithemelimit. “Një diskutim shumë i mirë me kryetarin e komanduar dhe kreun e grupit parlamentar në lidhje me një gamë të gjerë çështjesh. SHBA-ja ka pasur një marrëdhënie të fortë e të veçantë me Partinë Demokratike që prej themelimit të saj.
Ne e vlerësojmë shumë këtë marrëdhënie dhe rolin e domosdoshëm të PD-së për Shqipërinë dhe ndaj shpresojmë që të dyja të vijojnë të forcohen”, është shprehur Ambasadorja Yuri Kim. Pavarësisht se i referohet Alibeajt si kryetar, takimi me të nuk u zhvillua në selinë e PD-së, por në Kryesinë e Kuvendit. Në dalje, ambasadorja nuk pranoi pyetje nga gazetarët, por u kufizua te mesazhet në Tëitter. “Amerika dhe Shqipëria kanë ende shumë punë përpara për të mbajtur Shqipërinë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ndërtimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes dhe zgjerimin e mundësive në fushën e biznesit dhe ekonomisë për të gjithë. Le të vazhdojmë së bashku përpara, jo mbrapa!”, tha ajo.
Njësoj si Kim, edhe Alibeaj u largua pa komentuar, ndërkohë që ambasadorja amerikane mësohet se ka planifikuar një tjetër takim me homologun e tij socialist, kreun e grupit Taulant Balla, ku pritet të diskutohet për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm. Por ky takim nuk është pritur mirë nga Komisioni i Rithemelimit të Partisë Demokratike, që praktikisht ka marrë edhe çelsat e selisë blu dhe ka ndryshuar politikat e në administratë. Në një reagim të sajin Komisioni i Rithemelimit ka ashpërsuar gjuhën ndaj Ambasadores së SHBA. Partia Demokratike akuzon ambasadoren e SHBA-ve Yuri Kim se ka shkelmuar vendimin e gjykatës dhe ka injoruar vullnetin e zgjedhësve pas takimit me Enkelejd Alibeaj. PD po ashtu akuzon Kim se ka shkelur në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate. Sipas deklaratës, “Yuri Kim vërtetoi atë që e ka parathënë edhe me veprime të tjera se është në shërbim të lojërave të Edi Ramës për të dobësuar dhe për të mbajtur sa më gjatë peng opozitën, duke komanduar për kryetar ata që u refuzuan me votë masive nga demokratët”.
Sipas PD-së, Yuri Kim hyri dje në Kuvendin e Shqipërisë për një takim me kreun e grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj, por kur doli, me anë të një deklarate e shpalli atë në mënyrë qesharake dhe absurde si kryetar të Partisë Demokratike. “Yuri Kim sot, sikurse dhe herë të tjera, nuk bëri asgjë më pak përveçse shkeli në mënyrë të përsëritur Konventën e Vjenës si diplomate, duke shkelmuar mbi vendimin e gjykatës që konfirmoi verdiktin e demokratëve në Kuvendin e 11 dhjetorit, që i riktheu selinë, logon dhe vulën Komisionit të Rithemelimit- organit kolegjal të vetëm udhëheqës aktual të Partisë Demokratike. Ajo gjithashtu, injoroi edhe votën e zgjedhësve të shprehur qartë më 6 mars. Për fat te mirë, shqiptaret e kanë kuptuar se vlerat e verteta të SHBA nuk janë arroganca, diversioni apo diktati, por vota e lirë dhe demokracia. Këtë e kuptoi edhe ish kryetari që u largua dhe do ta kuptojë cilido që mendon të uzurpojë opozitën kundër vullnetit të shumicës”, thuhet në deklaratën e Rithemelimit.
Paloka për Kim: Nuk njeh gjykatat, kërkon të përçajë opozitën
Deputeti demokrat dhe ish-kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka, ka sulmuar ashpër ambasadoren amerikane, Yuri Kim, pas takimit që kjo e fundit zhvilloi me kreun e grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj. Sipas Palokës, diplomatja amerikane përveçse ka dalë në mbështetje të mazhorancës, nuk njeh vendimin e gjykatës dhe është vënë në funksion të përçarjes së opozitës shqiptare. “Ky është me tepër se turp, është shkelje e jo vetëm çdo etike, por dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë! Kjo zonja që uroi Ramën për “fitoren historike” pa mbaruar akoma procesi zgjedhor më 25 prill; që ka dalë hapur në mbështetje të qeverisë më të korruptuar në rajon (siç e cilëson vetë Departamenti Amerikan i Shtetit) dhe që prej kohësh është angazhuar në vetë të parë në përçarjen e opozitës shqiptare, sot ka ndërmarrë një akt të fundit, gjithnjë në shërbim të të njëjtit qëllim. Zonja ambasadore, me arrogancë , tregon se jo vetëm nuk respekton Konventën e Vjenës, po nuk njeh as vendimet e gjykatave shqiptare, megjithëse flet gjithë kohën për drejtësinë. Ti zonjë mund të takosh kë të duash dhe si të duash, po nuk mund të vendosesh mbi gjykatat shqiptare e sidomos mbi vullnetin e lirë të demokratëve shqiptarë”, shkruan Paloka.
Ivi Kaso: Nuk merrem me titujt që i vënë njerëzit vetes
Anëtari i grupit të Rithemelimit, Ivi Kaso komentoi zhvillimet e fundit në Partinë Demokratike, mes të cilave ankimimin e bërë në gjykatë për njohjen e ndryshimeve statutori të 11 dhjetorit dhe mbështetjen që tregoi së fundmi Yuri Kim për kryetarin e komanduar të PD-së, Enkelejd Alibeaj. Sipas Kasos, ankimimi i bërë në gjykatë është i pavlerë, pasi pala që e ka bërë atë nuk ka qenë pjesë e procesit. Gjithashtu, edhe caktimin e Alibeajt si kryetar të komanduar, Kaso e cilësoi nul, pasi sipas tij, kandidatura duhet të kalonte në disa etapa, përpara se të zgjidhej përkohësisht për të drejtuar PD-në. “Dje u njohëm me ankimimin e PD-së. Kjo është një shkresë e pavlerë. PD-ja ishte pjesë e procesit e përfaqësuar nga Rithemelimi. Pjesa tjetër që ka çuar ankimimin nuk ka qenë palë. Të drejtën e ankimimit e kanë palët në proces. Nuk ka qenë në proces me asnjë cilësi proceduriale. PD-ja nuk përfaqësohet nga nënkryetari. Statuti e bën të qartë se kush e përfaqëson. Për efekt të ligjit, është sikur dikush pa asnjë lidhje me PD-në të bënte një ankim me firmën e tij. Ankimi është vulosur me vulën e vjetër, e cila është ndërruar nga Kuvendi dhe është konfirmuar me vendim gjykate. Kryetari i komanduar ekzistonte në statutin e vjetër. Sikur asgjë mos të kishte ndodhur nga Kuvendi i 11 dhjetorit dhe nga votimet e 6 marsit ku demokratët votuan për shkarkimin e lidershipit, përsëri me statutin e vjetër do të duhej që nënkryetari të kalonte në disa etapa proceduriale në Këshillin Kombëtar dhe nuk mund të merrem me titujt që njerëzit i vënë vetes”, tha mes të tjerash Kaso.