Ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi ish-kryetarin e PD-së Lulzim Basha se ka tentuar të bëjë “koalicion parazgjedhor” me Aqif Rakipit, i shpallur “non grata” nga SHBA. Refuzohet propozimi me 6 pika që Alibeaj propozoi për bashkimin e partisë.
Qetësia dhe bashkimi në ide dhe veprime në Partinë Demokratike duket si “fjalë e ndaluar”. Edhe ditën e djeshme ka vijuar përplasja dhe akuzat e ndërsjellta mes Grupit të Rithemelimit të përfaqësuar nga Sali Berisha dhe grupimit që mbështesin linjën e Lulzim Bashës, pavarësisht se ky i fundit ka dhënë dorëheqjen nga kreu i partisë. Në cilësinë e kryetarit në detyrë dhe si kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka bërë publike gjashtë pika që sipas tij synojnë bashkimin e PD-së, por duhet të ndalet procesi i zgjedhjeve të drejtuesve të rrethe, një nismë e marrë nga Berisha dhe mbështetësit e tij. Kjo “platformë” është kundërshtuar nga Grupi i Rithemelimit, që nëpërmjet Berishës akuzuan Alebeajn se po vepronte në përçarjen e partisë për agjendë të Edi Ramës. Ndërsa në lidhje me shpalljen “non grata” të Aqif Rakipit, ku ky i fundit është akuzuar nga Basha se ka ndihmuar Berishën në kohën kur mori nismën foltorja, e ka cilësuar si të pabazë. Madje Berisha hedh akuza se Basha para zgjedhjeve të 25 prillit 2021 kërkoi të pëfshinte Aqif Rakipin në koalicion me PD-në. “Që kur kam nisur karrierën politike në cdo pozicion kam qëndruar ndër ligjin. Kjo është arsyeja që ske dëgjuar një fakt që të provojë që kam shkelur ligjin. Shteti ligjor, ka qenë premtimi madhor i kësaj partie. Unë kam shprehur hapur dhe qartë mendimin tim. Kam qenë dhe do të mbetem për të gjithë sanksionet që mbështeten në prova. Nuk kam hezitim për cilindo. Rasti konkret, nuk jam future shumë në hollësi se po të futesha më dilte një seri drekash dhe darkash të Lulzim Bashës me Qifen dhe përpjekjet e tij për ta vendosur në koalicion me PD. E kam takuar një herë në jetën time, dënoj aktet e blerjes apo shitjet e votës. Unë e kam mbajtur përgjigjen time që mbështes argumente e prova dhe sigurisht nuk mbështes vendime pa argumente dhe prova, unë dënoj çdo akt dhe blerje votash. Unë nuk kam folur për personin, sepse më dilte seriali i drekave të Bashës me këtë. S’kam dashur të ndërhy në këto drekat dhe darkat, në çështjet private. S’e kam parë të arsyeshme”, tha Berisha. Po ashtu ai ka nënvizuar se i ofroi Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeajt një ofertë për bashkimin, por që sipas tij u refuzua prej tyre. Berisha e cilësoi Alibeajn si bashkëpunëtor të Ramës, ndërsa shtoi se kryetari i Partisë Demokratike është Komisioni i Rithemelimit, me votat e të gjithë anëtarëve, e jo ai.
Propozimi i Alibeajt
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Aliebaj ka prezantuar një platformë, ku parashtron disa opsione për zgjidhjen e krizës dhe bashkimin e Partisë Demokratike. Sipas Alibeajt, hapi i parë për bashkimin e demokratëve është certifikimi i anëtarësisë aktuale si dhe rikthimin e të përjashtuarve ne parti si dje anulimi i zgjedhjeve te njeanshme në bazë. “Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota. Anullohet cdo proces i njënashëm riorganizimi apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument”, thuhet ndër të tjera në platformën e Alibeajt.
Berisha “me shpatë të madhe”
Berisha e cilësoi Alibeajn si bashkëpunëtor të Ramës, ndërsa shtoi se kryetari i Partisë Demokratike është Komisioni i Rithemelimit, me votat e të gjithë anëtarëve, e jo ai. “Edi Rama loz me fasadë. Pas vendimit të Gjykatës së Tiranës të shtyrë tre muaj ose më shumë. Njeriun e parë që kam takuar, i kam shtrirë dorën, ka qenë kryetari i grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj dhe deputeti Gaz Bardhi. Njeriu që e krijoi u largua duke marrë të gjitha përgjegjësitë, por kjo aferë gjeti refuzimin e zotit Alibeaj. Zoti Alibeaj, jo vetëm refuzoi ofertën, por i urdhëruar nga Edi Rama nëpërmjet Lulzim Bashës sic e shprehu vetë në Shkodër Basha, paditi PD në gjykatë. Më lejoni t’ju bëj me dije se padia e tij është nul për arsye se nuk kanë qenë palë. Kodi i procedurës civile përcakton në mënyrë të qartë se kush mun të paraqesë ankim ndaj një vendimi gjykate. Veç kësaj Alibeaj nuk ka asnjë targer për të firmosur dokument, veçse për kohën që njihej si kryetar i grupit parlamentar. Kryetari i PD dha dorëheqjen. Kryetari i PD aktual është Komisioni i Rithemelimit si kryetar kolektiv kolegjial. Kjo do të thotë se firmat e të gjithë atyre së bashku. Askush tjetër s’mund të firmosë në emër të PD. Natyrisht me urdhër të Ramës institucionet janë të afta të bëjnë gjithçka. Për këtë arsye u detyrova t’i them Alibeajt se për ne ai nuk është më kryetar i grupit parlamentar. Ai ka paditur në kundërshtim me ligjet PD. A mund të paraqitet një platformë, një bashkëpunëtor i ngushtë i Ramës në aktet kundër PD? Kjo nuk ndodh. Së dyti, unë vlerësoj shumë qëndrimin e deputetëve të PD, për zhvillimet nga baza në qendër”, tha Berisha.