Elton Qyno
Vrasja e Endri Mustafës në mesnatën e 14 Majit 2021, ende pas një viti, vijon të qëndrojë e mjegullt përsa i përket dinamikës së krimit dhe identitetit të personit që e ka qëlluar për vdekje, babain e dy fëmijëve. I vetmi njeri, që qëndron në burg për këtë ngjarje është i mituri 15-vjeçar Ergys.M, ndaj të cilit prokurori Gëzim Spahiu, i ka kërkuar gjykatës së Shkodrës, dënimin me 12 vite burgim. Ndërsa personi i dytë që dyshohet nga policia se ka marë pjesë në këtë vrasje është Ibrahim Lici, i cili prej një viti kërkohet nga policia, por kërkimet për arrestimin e tij nuk kanë sjellë asnjë rezultat. Por një dëshmi e dhënë në seancë gjyqësore, para gjyqtarit dhe prokurorit të çështjes, nga nëna e viktimës Endri Mustafa, nxjer emra të tjerë të implikuar në këtë vrasje. Redaksi ka mundur të sigurojë dëshminë në audio të Fahrije Mustafës, e cila është thirur si dëshmitare në këtë proces gjyqësor dhe shprehet se:
“…7-8 muaj përpara Ergysi na ka ardhur në shtëpi dhe ka lyp kalin për Astmer Bilalin, se nji ky Ergys është shoku që hyn del natë-ditë ke Astmer Bilali.Djali jem nuk është marë as me Ibrahim Licin as me Astmerin. Shokë i ka pas, por ka thënë gjithmonë, se unë nuk merem me ta…”.
Rëfimi i Fahrije Mustafës para gjykatës është shoqëruar me një gjëndje të rënduar emocionale, ku nuk munguan as lotët dhe shpërthimi i saj, duke e quajtur të arrestuar një mostër, që për para i kishte nxjerë djalin e saj të vetëm në pritë.
…ka dalë djali jashtë, ka ndejt nja 10-15 minuta dhe i ka thanë nuses mi baj teshat gati se du me ik me Ergysin deri në Livadhe dhe për 10 minuta vij.Unë i thashë,…mos moj nanë mos shko me të se të nxjerë në pritë, se kush e di se ça të ka ba me nanë. Por djali mu përgjigj se për 10 minuta vjen në shtëpi dhe ai nuk më erdhi më, s’më hapte celularin, ma ka qit djalin për paret, ma ka shu shtëpinë, a ça më ka bërë ky djalë. Ky është mostër i tan botës, njeri i poshtër që më ka marë në qaf…”.
Sipas nënës së viktimës, djalin e saj në zonën e Livadhes në Shkodër, e ka vrarë një person me nofkën “Coli”, që sipas saj është Edison Arrizi.
“…nan mos u bëj merak se nuk jam vetëm se jam edhe me “Colin”. Unë tash e kam marë vesh se “Coli” është Edison Arrazi. Ergys Arrazi dhe Edison Arrazi, janë shokët e Astmer Bilalit dhe kanë ndejt ditë-natë tek Astmer Bilali dhe aty është bërë gjurulldia. Kjo është meseleja që thoni se jo është Ibrahim Lici jo ai. Askërkush nuk është dhe unë këto gjëra i kam dhënë në deklaratën qysh në fillim. Edison Arrazi ma ka nxjerë djalin në pritë me Ergysin. Edison Arrazi është që më vra djalin. Unë prek këtyre të dyne, kërkoj djalin më drejtësi…”.
Endri Mustafa, u gjet i vrarë me 6 plumba mëngjesin e 17 Majit 2021 në zonën e Livadhes në Shkodër, ndërsa për këtë vrasje pritet që në ditët në vijim gjykata e Shkodrës të deklarojë dhe dënojë me burg 15-vjeçarin Ergys Malja.