I ftuar në programin “Dola te Ola” këtë të diel ishte analisti i njohur Zeka, i cili rrugëtoi nëpër kujtime dhe bëri rrëfime rrëqethëse nga periudha e luftës në Kosovë.
Teksa u shfaq një fotografi kur ka qenë në klasën e pestë fillore, Milaimi tregoi se është realizuar nga profesori i tij dhe është botuar në gazetën “Rilindja”, gazeta më e madhe në Prishtinë asokohe, pasi ai fitoi vendin e parë për një poezi që kishte bërë për Kosovën dhe Shqipërinë.
“Vrejta një bankë përmes ishte thyer, nga lotët e saj tepër ishte zhlyer, e pyeta bankën çfarë të ka gjet, ajo e përlotur mezi nis e flet“, vargje të cilat analisti i kujtoi në studio dhe u përlot, teksa shtoi se Kosova e ka vuajtur shumë ndarjen nga Shqipëria, dhe me anë të kësaj poezie ai ka shprehur dashurinë e prindërve të tij për vendin e tyre.
Milaim Zeka gjatë programin rrëfeu edhe momentin kur është plagosur në luftë në vitin 1999, dhe është operuar pa narkozë. Ai tha se ka qëndruar për 3 muaj në luftë dhe gjatë plagosjes u dogj në të gjithë trupin, si pasojë e një bombe prej 2 mijë kilogramësh, e cila u hodh ku ndodheshin ata. Nga ajo bombë 26 vetë mbetën të vdekur.
Analisti tregoi se vajta e tij në luftë ishte diçka e brendshme të cilën ai e ndjeu për ta bërë, teksa rrëfeu edhe masakrën që i ishte bërë një gruaje në fshatin e tij, ku një nënë i kishin prerë gjoksin dhe me gjakun që rridhte prej tij i kishin mbushur biberonin fëmijës së saj dhe ia kishin dhënë ta pinte.
Milaimi theksoi se filmime të tilla bënë që më pas të merreshin masa që Kosova të fitonte lirinë.