Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla deklaroi sot se nuk do të ketë bisedime me Sali Berishën për zgjedhjen e Presidentit të ri dhe asgjë tjetër.
“Sali Berisha nuk ekziston as si grup parlamentar. Është një deputet i pavarur në Kuvendin e Shqipërisë. Sali Berisha nuk është një grup parlamentar. Me Sali Berishën as nuk ka, as nuk do të ketë ndonjëherë negociata për asgjë. Sali Berisha për ne nuk ekziston dhe me diçka që nuk ekziston nuk ke pse negocion. Unë di që në Kuvendin e Shqipërisë ekzistojnë të depozituara si grupe parlamentare ai i Alibeajt, Doda dhe Mediu. Ky është një proces ekskluziv brenda mureve të Kuvendit të Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Lidhur me bisedimet me opozitën për procesin, ai tha se nuk mund të paragjykojë. “Ne do propozojmë që të mbahet më 4 maj që tre përfaqësuesit e PS-së, jemi të gatshëm të ulemi me opozitën në çdo moment. Ka pasur një propozim nga ana e z.Mediu që tre grupet e opozitës të përcaktojnë një përfaqësues të tyre. Sa kohë nuk kanë dakordësi, na duhet të negociojmë me 3 grupet. Nëse do kenë dakordësi të vijnë të tre së bashku, janë të mirëpritur. Sa kohë që nuk kemi negociuar gjithë negocimin e nevojshëm që duhet të bëjmë që na e detyron Kushtetuta dhe tradita parlamentare, nuk kemi ne dëshirë të zgjedhim një President vetëm me votat tona. Kemi dëshirë të zgjedhim një president me sa më shumë konsensus parlamentar. Ne duhet të negociojmë me të gjitha grupet e opozitës”, tha Balla.
Por nëse PD nuk gjen rrugën për konsultime, a do të këmbëngulë maxhoranca me grupet e tjera?
“Nuk paragjykoj aspak dhe nuk më takon të parashoh diçka që shpresoj se nuk do të ndodhë. Jam shumë i bindur që brenda opozitës të mbizotërojë ndjenja e përgjegjësisë.
Asnjë prej palëve në këtë vend nuk duhet t’i shmanget kësaj përgjegjësie. Do ta quaja papërgjegjshmëri përjashtimin nga ky proces i grupeve parlamentare”, tha Balla.