Për herë të parë në një video-mesazh, Presidenti i Ukrainës ka qënë “i pranishëm” në Kuvendin e Shqipërisë.
Përveçse kërkoi ndihmë humanitare dhe armë, ai i ka sugjeruar qeverisë sonë që të mos lejojë të hyjnë turistë rus, pasi mes tyre mund të ketë edhe persona që kanë kryer krime lufte në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim këtë të martë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes një video-mesazhi me ligjvënësit shqiptarë. Lideri ukrainas foli për situatën në vend dhe nevojën për më shumë mbështetje humanitare dhe armatime për të cilat ka nevojë ushtria në përballimin e sulmeve ruse. Ai gjithashtu uroi festën e Bajramit, tha se i uron shqiptarëve atë që sot ukrainasit i urojnë njëri-tjetrit, paqen. “Dje, myslimanët festuan Bajramin. Ju uroj për këtë festë. Rusia i ka shndërruar të gjitha ditët tonë në një rrezik vdekjeprurës. Në qytetin e Odesës, një 14-vjeçar ka humbur jetën. Çdo ditë, ukrainasit humbasin fëmijët e tyre. Sot është një ceremoni lamtumire për gazetaren që u vra nga një raketë ruse.
Në Khrakiv, një e pesta e të gjitha shtëpive është shkatërruar tashmë. Shpesh pushtuesit nuk lejojnë as të varrosim të vrarët. Faleminderit për hapat konkrete që keni bërë për Ukrainën”, është shprehur Volodymyr Zelensky. Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, i bëri thirrje Shqipërisë që të kufizojë ardhjen e turistëve rusë në vendin tonë këtë verë. “Ju kërkoj të mbyllni portet për anijet ruse, ju kërkoj të kufizoni ardhjen e turistëve. Ju nuk mund ta dini se kush mund të vijë te ju për të pushuar, mund të jetë një vrasës i Bucha-s ose xhelati i Mariupolit”, tha Zelensky. Pak ditë më parë, gjatë një konference për shtyp me gazetarët, kryeministri Edi Rama deklaroi se vendi ynë do t’i hapë derën të gjithë turistëve të huaj, përfshirë dhe ata rusë. Madje nga 1 maji, ka hyrë në fuqi dhe masa që lejon të gjithë qytetarët rusë që të hyjnë në vendin tonë pa viza. Zelensky tha se që prej datës 24 shkurt, Rusia e ka kthyer jetën e ukrainasve në një rrezik të përditshëm për jetën, ndërsa nuk ka kursyer as vrasjen e fëmijëve.
Ai ka falenderuar Shqipërinë për hapat konkretë që ka marrë ndaj Ukrainës. “Jeni padyshim në anë të së vërtetës. Faleminderit për hapat konkrete për Ukrainë, kundër Rusisë, për kujdesin që ju i bëni fëmijëve tanë dhe njerëzve tanë. Qëndrimi juaj ndaj popullit të Ukrainës, ndaj fëmijëve të Ukrainës, na kujton Nënë Terezën shqiptare, që është kthyer simbol i humanizmit në mbarë botën. Besoj se sëbashku, në mjediset evropianë, në përpjekjet tona, do jemi në gjendje të parandalojmë këtë luftë”, është shprehur Presidenti i Ukrainës. Ai tha se bandat ruse duhet të shkëputen nga tregu global. “Ta bëjmë një gjë parimore dhe të ndalojmë përdorimin e fondeve të OKB për Rusinë. Ne nuk devijuam nga rruga europiane dhe jemi të përkushtuar për një Europë të bashkuar dhe besoj se kur të vijë koha për anëtarësimin e Ukrainës në BE, vota juaj do të jetë mbështetëse. Ka nga ata që janë të vegjël në hartë por kanë në zemër një mirësi më të madhe. Faleminderit Shqipëri, ju falënderoj për mbështetjen tuaj. Lavdi Ukrainës”, është shprehur Zelensky.
Lufta në Ukrainë/ Rama-Zelensky: Me sakrificat ekstreme ju po zgjoni europën e përgjumur
Kryeministri Edi Rama duke folur nga Kuvendi i Shqipërisë, atje ku dha mesazhin e tij të fortë presidenti Zelensky, tregoi edhe detaje nga biseda e tij me këtë të fundit kohë më parë. Ai tha se të dy liderët kishin planifikuar bashkëpunimin dhe intensifikimin se si qytetarë ukrainas të kishin një shtëpi të dytë pushimi në Shqipëri. Mes të tjerash Rama tha se duket se lufta do të jetë e gjatë. “Qëndresa juaj e palëkundur, pamjet e kësaj tragjedie të paimagjinueshme, deri në ditën e hyrjes së forcave ruse në territorin sovran të Ukrainës, janë sakrifica ekstreme dhe shërbim i paçmuar që ju dhe vendi juaj po i bëni botës dhe një Europe të përgjumur. I dashur miku ynë Presidenti Zelensky, e kujtoj shpesh këto kohë bisedën tonë në Kiev dhe dëshirën tuaj që Shqipëria të bëhej vendi ku ukrainasit të kishin shtëpi të dyta për pushimet e tyre. “Jemi shumë afër për të qenë kaq larg!”, thatë ju me kënaqësinë e dikujt që ka zbuluar një vend të bukur pranë shtëpisë. Të gjithë e dimë tanimë se kjo luftë mund të mos jetë e shkurtër, ashtu sikundër çdo ditë që kalon, me tmerre të reja, e zgjat ende më shumë shtegun shumë të ngushtë drejt paqes”, është shprehur kryeministri Edi Rama. Rama tha se Shqipëria do të jetë mikëpritëse, që nësër ukrainasit të kthehen sërish në Shqipëri, në shtëpinë e dytë. “Por unë e besoj sinqerisht zoti President, se nëse sot në Shqipëri po vijnë ukrainasit që ikin për të mbrojtur fëmijët e tyre nga lufta, nesër dëshira juaj, që ata të vijnë këtu, në shtëpitë e tyre të dyta, për të kaluar pushime të gëzuara familjarisht, do të bëhet realitet. Unë dhe të gjithë ne këtu do të donim t’ju thoshim sot shumë gjëra, por ju keni me siguri shumë gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë i nderuar President, kështu që lejomëni ta mbyll këtë fjalë, duke ju shprehur në emër të Shqipërisë e të shqiptarëve, të gjithë mbështetjen, respektin dhe miqësinë tonë. Zoti qoftë me ju dhe me Ukrainën heroike!”, tha Rama.
Fjalimi i Zelensky-t, Parlamenti vishet me flamurin e Ukrainës
Një fjalim plot emocione ishte ai i presidentit të Ukrainës, Zelensky, që bëri dje përmes një videomesazhi, drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Ashtu siç ishte parashikuar, seanca plenare u hap nga kryeparlamentarja Lindita Nikolli, e cila pohoi se Shqipëria dënonin sulmin rus në Ukrainë. “Shqipëria i është bashkuar kësaj mbështetje. Kemi mbështetur sanksionet ndaj Rusisë dhe ndihmat humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj. Shqipëria dënon agresionin ushtarak të Rusisë. Kam nderin t’iu ftoj të dëgjojmë Zelenskyn”, tha kryeparlamentarja. Duke u solidarizuar me Ukrainën dhe ato çka ky popull po kalon për shkak të aksionit luftarak të Rusisë, Kuvendi ishte ‘veshur’ i gjithë me ngjyrat e flamurit të Ukrainës, ndërkohë që i ftuar nderi në ceremoni ishte dhe ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shukrov. Kujtojmë se deri më tani Presidenti Zelensky i është drejtuar disa parlamenteve Europiane. Më herët Zelensky ndërsa paraqiste situatën e luftës në Ukrainë, u ka bërë thirrje shteteve që të sanksionojnë Rusinë, ndërsa po ashtu ka ritheksuar kërkesën e tij drejtuar BE për anëtarësimin sa më parë të Ukrainës.