Presidenti Ilir Meta ndodhet për një vizitë në Turqi, por nuk ka hezituar të ngarkoj stafin ditën e dielë për t’ju përgjigjur pikëpyetjes së ngritur nga Sali Berishes se pse dekretoi Presidentin e ri, ndërkohë që ndodhej jashtë vendit. Presidenca në një reagim të gjatë theksoi se Meta ka respektuar Kushtetutën dhe se nuk mund të bëhej pengesë për një person që jep dorëheqje nga posti i tij.
Presidenca ka reaguar në lidhje me përballjen mes dy krahëve politikë për çështjen e votimit të presidentit të ri në Kuvend, ku opozita pretendonte se kjo gjë nuk mund të bëhej, pasi presidenti Meta ndodhej jashtë vendit, çka e bënte dekretin për shkarkimin e gjeneralit Bajram Begaj nga detyra të pavlefshëm. Sipas Presidencës, miratimi i një dekreti Presidencial si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo. Këtë e bën edhe më kokëfortë Metën për të reaguae institucionalisht, pasi edhe nga ish- kryeministri Sali Berisha pati “hatërmbetje” ligjore por që cënon marrëdhënien me Metën. “Propozimi i Kryeministrit dhe kërkesa për dorëheqje e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nga detyra dhe lirimin nga shërbimi aktiv është administruar në Tiranë, është shqyrtuar nga stafi i Presidentit të Republikës në Selinë e Tij, po në Tiranë. Pasi është arritur në përfundimin se, propozimi i Kryeministrit dhe dorëheqja e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm duhej pranuar, pa vonesë dhe në mënyrë që Presidenti Meta të mos bëhej pengesë për ecurinë e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, praktika administrative dhe Dekreti i Presidentit është punuar në Tiranë, është hartuar në Tiranë, është numërtuar në Tiranë dhe i është përcjellë Presidentit, i cili e ka shprehur vullnetin e Tij publikisht përmes nënshkrimit të aktit”, thuhet në njoftimin e Presidencës. Meta ka sqaruar gjithë procedurën që është mbajtur online në mënyrë elektronike. “Në vijim kopje e dekretit të nënshkruar është administruar elektronikisht në Tiranë në selinë e Presidentit, nga ku sipas procedurave ligjore administrative është sekretuar dhe kopje e këtij dekreti e vulosur me shkresë zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm të Institucionit të Presidentit i është përcjellë zyrtarisht autoriteteve kërkuese (Kryemimistrit dhe Ministrit të Mbrojtjes). Forma, përmbajtja dhe ekstremitetet e dekretit të Presidentit të Republikës nuk ndryshojnë, pavarësisht vendit nga ku është bërë publik vullneti dhe nënshkruar ky akt”, shkruhet në njoftim. Ai thotë se miratimi i dekretit mund të bëhet ngado. “Miratimi i një dekreti Presidencial si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo, por shqyrtimi i praktikës dhe hartimi i aktit, plotësimi i ekremiteteve, numërtimit, protokollimit, sekretimit, njehsimit, etj, janë veprime administrative që kryhen në Tiranë, në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës nga ku kryhet sipas ligjit dhe përcjellja zyrtare e aktit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit për zbatim tek autoritetet përgjegjëse apo kërkuese”, thuhet në sqarim, duke sjellë në vëmëndje nenin 93 të Kushtetutës që parashikon Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Ai ka lënë të hapur mundësinë se kushdo që e kërkon korrespondecën mund ti drejtohet me një shkresë Presidentit. “Nëse ndokush dëshiron të njihet me dekretin edhe në format shkresor, mund të paraqesë një kërkesë për një kopje te njehsuar të këtij akti dhe mund ta sfidojë atë sipas dëshirës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën Administrative apo në çdo organ ku ai e konsideron të aplikueshme dhe të realizueshme të drejtën e tij. Presidenti i Republikës ka përgjegjësinë kushtetuese të ushtrojë kompetencat e tij, në përputhje me Kushtetutën dhe në respekt të parimit të luajalitetit kushtetues ka ofruar dhe do të ofrojë gjithëmonë mbështetje të sinqertë për ruajtjen e kushtetushmërisë, si dhe duke mos u bërë pengesë pa ndonjë shkak të ligjshëm apo kushtetues për procedurat parlamentare”, thuhet në njoftim, duke sqaruar se Presidenti Meta, jo vetëm në këtë rast, por asnjëherë nuk i është bërë pengesë autoriteteve/funksionarëve të lartë shtetërorë që me vullnetin e tyre të lirë heqin dorë nga mbajtja e një detyre publike.