Partia Socialiste festoi 31-vjetorin e krijimit të saj në një ceremoni jo shumë të madhe, duke zbehur “pompozitetin”. Historiku i PS-së së drejtuar nga vetëm dy kryetarë. Sfida me veten në mungesë të opozitës.
Partia Socialiste për herë të parë u artikulua zyrtarisht qershorin e 31 viteve më parë, duke kaluar fshirë emrin: Partia e Punës e Shqipërisë. Dje më 12 qershor, Partia Socialiste kremtoi 31 vjetorin, dhe vitin e 17 në pushtet në të gjithë këto vite.
Në më shumë se tre dekada, kjo forcë politike ka pasur vetëm dy lidera: Fatos Nano dhe Edi Rama. Me drejtimin e partisë, vitet ndahen në mënyrë të barabarabartë, ndërsa pushtetin më shumë e ka mbajtur Kryeministri Edi Rama, i cili ka marrë mandatin e tretë qeverisës. Megjithatë në mandatin e fundit, duket se Rama e ka sfidën me të vetët. Duke pasur një opozitë me dy koka, të dërmuar dhe pa një drejtues, ajo e gjen veten “të fortë”, ndërsa ka kërkuar që reformat ti bëjë vetë si dhe të nxjerrë të vetët për të bërë “opozitarin brenda mazhorancës”.
Kryeministri Edi Rama ka marrë “dy fitore” gjatë drejtimit të tij, e para që në legjsilaturën e dytë pati një opozitë jashtë Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithçka rrotulloj rreth mazhorancës si dhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në qershor të vitit 2019 Partia Socialiste u fut në zgjedhje pa kundërshtar politi, duke futur në xhepin e partisë dhe 60 bashki, pasi Shkodra u drejtua nga Voltana Ademi.
Çdo pushtet, qëndror apo lokal ka vetëm një logo, por pavarësisht se festojnë se nuk kanë rivalë politik, sfida mbetet me qytetarin. Papunësia, ekonomia në nivele jo të mira, mungesa e integrimit, problemet me rendin dhe fenomeni i korrupsionit janë fenomene që tashmë nuk shpërndahen, por kanë vetëm një drejtim. Sot Rama dhe PS është vetëm përballë askujt, ku edhe në Kuvend ku maten forcat politike vijon të shfaqen zenkat, akuzat dhe kërcënimet mes vetë opozitarëve, ndërsa PS mbetet spektatore, ndoshta duke duartrokitur këtë shfaqje që po vazhdon gjatë dhe nuk duket se do ketë një fund të shpejtë.
Dedikimi i Ramës
Që në orët e para të mëngjesit, kryeministri Edi Rama ka uruar në rrjetet sociale 31 vjetorin e Partisë Socialiste. Ai ka uruar patronazhistët të cilët kanë bërë një punë të vlefshme në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën në prill të vitit 2021 si dhe liderin historik të Partisë Socialiste Fatos Nano. “Mirëmëngjes dhe me urimin për ditëlindjen e Partisë Socialiste, të gjithë atyre që i kanë dhënë dje dhe i japin sot PS, që nga patronazhisti më i thjeshtë, tek drejtuesit në territor e deri tek themeluesit e saj dhe lideri Fatos Nano, ju uroj të gjithëve ju një të diel të qetë”, shkruan Rama në Facebook.
Ceremonia
Në selinë rozë u zhvillua ceremonia për 31-vjetorin e themelimit të kësaj force politike. Të pranishëm në këtë eveniment ishin figura të larta, kontribuuese në Partinë Socialiste, por edhe emra të njohur të politikës. Ndryshe nga vitet e tjera, ajo që bie në sy është mungesa e kamerave. Kjo feste organizohet larg syrit të mediave, me arsyetimin se është një festë vetëm e socialistëve. Televizionet për të transmetuar janë pozicionuar në ambientet jashtë perimetrit të selisë së Partisë Socialiste. Po ashtu një tjetër fakt interesant është se ky aktivitet ndryshe nga çdo organizim tjetër, nuk transmetohet as në platformat sociale të kryeministrit Edi Rama. Festa është përshëndetur vetëm nga një fjalim i shkurtër i Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Damian Gjiknuri, i cili në fund të fjalimit të tij i dha mundësi kryeministrit Rama për të folur, por gjesti i kreut të PS tregoi që ai nuk donte të thoshte asnjë fjalë. “Dua t’ju uroj të gjithë socialistëve, 31 vjetorin paçi gjithçka të mirë në familjet tuaja. Të rrojë PS dhe të rrojë Shqipëria. Le të argëtohemi. Nëse kryetari do le të thotë ndonjë gjë”, tha Gjiknuri.
Spartak Braho mesazh Ramës: Afro intelektualë, jo çupëlina
Ish-deputeti i Partisë Socialistë, Spartak Braho në 31-vjetorin e PS ka dhënë mesazhin që kjo forcë politike “duhet të hapet me intelektualë dhe jo me çupëlina”. Sipas tij, PS me uljet dhe ngritjet e saj mbetet partia me serioze dhe me një bilanc pozitiv. Ndërsa u shpreh se është një fatkeqësi që nuk kemi një opozitë, duke akuzuar Sali Berishën që e ka shkatërruar atë. “Nuk është pak për një parti 31 vjet, sic ka thënë Rexhep qosja, partitë degradojnë, aq më tepër kur mbeten të mbyllura dhe largojnë intelektualet. Me uljet ngritjet që ka pësuar PS ajo mbetet partia me serioze, me një bilanc pozitiv. Nuk ka tjetër përveç PS. Jemi përballë një fatkeqësia që mungon opozita, por kjo nuk është faji i PS. Opozitën e shkatërroi Sali Berisha. Hapja dhe vetëm hapja, afrimi i intelektualeve të vërtetë, jo i çupëlinave. Hapja është ilaçi i çdo gjëje”, tha Braho.
31-vjetori i PS-së/ Majko kujton 31 vjetorin me foton e Nanos dhe Dritëro Agollit
Në 31-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste, deputeti Pandeli Majko ka shkruar një urim në rrjetet sociale. Në këtë ditë ai ka zgjedhur të postojë një foto të ish kryeministrit Fatos Nano dhe Dritëro Agollit. Ai shkruan se ka rast kur rastësia kthehet në diçka të përsosur duke iu referuar 12 qershorit të 31 vite më parë. “Shumica e jetës së njeriut, është veprimtari plotësuese. Ka çaste, kur rastësia kthehet në diçka të përsosur, sic ishte 12 qershori i 31 viteve më parë. Gëzuar ditëlindjen Familja ime, Partia Socialiste”, shkruan Pandeli Majko.
Sali Berisha: Partia e veprave të zeza, feston përvjetorin e ndërrimit të emrit
Ish-kryeministri Sali Berisha ka ironizuar socialistët në 31-vjetorin e krijimit të partisë së tyre. Berisha shprehet se PS feston si parti shtet përvjetorin e ndërrimit të emrit. Ai shprehet se kjo parti u themelua në fillim si Partia Komuniste dhe pastaj u pagëzua si Partia e Punës për shkak të gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit. Ai shkruan se pas disa përpjekjeve të bëra nga Fatos Nano për reformimin e saj, nën udhëheqjen e Edi Ramës kjo parti u shndërrua sërish në parti shtet.
“Kjo parti, me në krye Edi Ramën, ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë dhe si parti shtet, instaloi pas 31 viteve, monizmin e plotë në Shqipëri”, shkruan Berisha. Sipas demokratit, Partai Socialsite (me këtë emër sot) është themeluar më 8 nëntor të viti 1941 nga serbët. “Ajo u themelua më 8 nëntor të vitit 1941 nga serbet Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha si Partia Komuniste e Shqipërisë. Për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerzimit që kreu gjatë luftës si një parti terroriste e vërtetë, pas luftë emri u ndërrua nga PKSH në Partia e Punës së Shqipërisë dhe përsëri për shkak të genocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ajo si parti-shtet, nën udhëheqjen e diktatorit gjakatar Enver Hoxha kreu për dekada në pushtet, u detyrua që më 12 qershor të vitit 1992 të ndryshojë emrin në Partia Socialiste e Shqipërisë”, shkruan Sali Berisha.
Ai akuzon Partinë Socialsite se ka mbyllur dyert me Europën, ndërsa Ramën e akuzon si të lidhur me krimin. “Këto 9 vite në pushtet, Partia Socialiste mbylli dyert e BE-së për Shqipërinë. Edi Rama, në krye të PS me lidhjet e tij të krimit, shndërroi Shqipërinë në epiqendër operative të organizatave kriminale të rajonit, Europës, Amerikës së Veriut e Amerikës së Jugut dhe Lindjes së Mesme”, shkruan Berisha.