Beteja e Kosovës u zhvillua në rrethinë të Prishtinës, në vitin 1389 ndërmjet një koalicioni të krishterë, kryesisht ballkanik, dhe Perandorisë Osmane. Koalicioni antiosman u kryesua nga princi serb Lazar. Pas fitores në betejën e Maricës më 1371, osmanët kishin vazhduar pushtimet e tyre në Ballkanin Qendror, duke arritur deri në trevat shqiptare dhe serbe. Në Betejën e Kosovës osmanët patën epërsinë numerike me forca që arrinin në 100 mijë vetë, kundrejt 40 mijë ballkanasve. Beteja përfundoi me fitoren e osmanëve. Një luftëtar i ri me origjinë shqiptare Milosh Kopiliq (Obiliq) depërtoi deri te çadra e Sulltanit dhe vrau Muratin I. Osmanët për hakmarrje i prenë kokën princit Lazar, të zënë rob. Fitorja ne Fushë Kosovë u hapi rrugën osmanëve për pushtime të reja në Ballkanin Qendror e Verior.
Në betejën e Fushë-Kosovës, ose siç është quajtur “Beteja e Kombeve”, në bazë të dokumentave historikë rezulton se nga 12-të princa të koalicionit të krishterë, 6-të prej tyre ishin arbër (shqiptarë). Këta princa ishin: Gjon Kastrioti, Theodhori II Muzaka, Mëhill Nikollë Kopiliqi, Dhimitër Jonima, Lekë Dukagjini dhe Gjergji II – Strazimir Balsha. Beteja e Fushë-Kosovës është kryesisht e lidhur me fillimin e depërtimeve të osmanllinjve në trojet iliro-albane, ku për osmanllinjtë u hapën jo vetëm dyert e Europës Juglindore (Ballkanit), por edhe të tërë Europës. Priftërinjtë e Romës, duke parë rrezikun që u kërcënohej, bënë çmos për t’i pajtuar sundimtarët e krishterë dhe për t’i bashkuar në luftë në një rezistencë të përbashkët. Vetëm në këtë mënyrë mund të zmbrapsej rreziku i madh që i kërcënohej krishtërimit dhe perëndimit. Të ndodhur përballë një armiku të përbashkët, princërit, mbretërit e fisnikët shqiptarë, serbë, bullgarë e rumunë i fashitën mosmarrëveshjet dhe grindjet e tyre dhe krijuan një koalicion antiosman.
Megjithëkëtë ballkanasit pësuan disfatë të rendë dhe kjo i hapi rrugën sulltanit pasardhës, Bajazitit I, për pushtime të reja në Ballkan. Gjatë sundimit të tij, osmanët arritën të vendoseshin diku përkohësisht e diku përgjithmonë në viset e tjera shqiptare, që nga Shkodra e Kruja dhe deri në rajonet e Korçës e të Përmetit. Në Shqipëri u krijua kështu një situatë e rëndë në të gjitha fushat e jetës shoqërore. Vendi pësoi një copëzim të madh politik. Prijësit e shumtë shqiptarë, duke qenë ushtarakisht të pafuqishëm, përgjithësisht hynë në vasalitetin e sulltanëve dhe nxituan të lidheshin më vende të tjera. Duke përfituar nga një situatë e tillë dhe në marrëveshje me prijësit vendas ose edhe më presion, Venediku arriti t’u merrte atyre qytetet bregdetare, që nga gjiri i Kotorrit, e deri në atë të Artës, si Buduan, Tivarin, Ulqinin, Shkodrën (bashkë me rrethinat e saj, Drishtin e Dejën), Lezhën, Durrësin, Butrintin, Pargën etj., që ishin edhe qendra shumë të rëndësishme tregtare e shkëmbimi me viset e brendshme të vendit.