SPAK po arrin tek lekët e deklaruara të Ilir Metës. Ditën e djeshme me firmën e dy prokurorëve Arben Kraja dhe Sotir Kllapi kanë shkuar kërkesa në dyert e bankave ku Meta ka llogari bankare si dhe tek tatimet.
Prokuroria e Posaçme, SPAK, i ka dërguar shkresa zyrtare bankave të nivelit të dytë në vend dhe tatimeve, në funksion të hetimit të nisur pas kallëzimi të ish-deputetit Halit Valteri, ndaj ish-presidentit Ilir Meta. Burime pranë SPAK konfirmuan bankave iu është kërkuar informacion lidhur me llogaritë bankare, apo çdo transaksion të bërë nga të kallëzuarit e Valterit, që veç ish-presidentit, janë edhe Monika Kryemadhi, Vangjel Tavo dhe Iraklis Fidetzis. Njëkohësisht, është kërkuar edhe një pasqyrë e deklarimeve të tyre në organet tatimore. Hetimi në fjalë në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar pa emra konkretë personash të dyshuar dhe po drejtohet nga prokurorët Arben Kraja dhe Sotir Kllapi. Procedimi ndodhet në fazën e mbledhjes së informacioneve të hapura nga institucionet dhe më pas në varësi të gjetjeve apo dyshimeve që mund të krijohen, do të vendoset për veprimet e tjera hetimore, si mund të jetë thirrja dhe pyetja e të kallëzuarve. Me herët, SPAK i kërkoi zyrtarisht Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, një kopje të formularit të vetëdeklarimit të Metës, si edhe Gjendjes Civile informacion mbi gjeneralitetet e ish-presidentit dhe ndryshimeve të mundshme. Në kallëzimin e depozituar në muajin qershor në SPAK, ish-deputeti Valteri ngre dyshime ndaj ish-presidentit dhe tre të tjerëve për disa vepra penale, mes të cilave “korrupsion” dhe “fshehje të pasurisë”. Kallëzimi i tij mori shkas nga një publikim në një media austriake, që fliste për kontrata lobimi në SHBA, të padeklaruara nga Lëvizja Socialiste për Integrim që i paraprinë fushatës zgjedhore të vitit 2017. Sipas kallëzimit, lobimi është financuar përmes kompanive offshore në Qipro, me qëllim sigurimin e një fotoje në ceremoninë e inaugurimit të presidentit amerikan Donald Trump. SPAK për herë të parë po kalon në sitë pasurinë e një politikanë në nivelin e Ilir Metës i cili ka qenë president dhe drejtues partie për më shumë se vjet.
Reagimi i Metës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar për hetimin e SPAK ndaj tij, ndërkohë që ka paralajmëruar publikimin e fakteve të reja për atë që ai e quan si afera e zezë e inceneratorëve, po ashtu dhe për supëraferën e Portit të Durrësit. Sipas Metës për Portin e Durrësit kostot për taksapaguesit e këtij qyteti do të shkojnë deri në 5 miliardë euro. Duke folur për hetimin e SPAK ndaj tij, Meta thekson se Rama po përdor drejtësinë për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me ato që ai i quan si “hetime qesharake ndaj drejtuesve të opozitës”. “Hetimet tona vazhdojnë të thellohen dhe rëndohen jo vetëm për aferën e zezë të inceneratorëve, jo vetëm për superaferën e Portit të Durrësit kosto e të cilit mund të shkojë deri në 5 miliardë euro për taksapaguesit durrsakë dhe shqiptarë, por edhe për shumë afera të tjera, garant dhe përfitues kryesor i të cilave është Ramoviçi dhe për të cilat do të përgjigjet deri në një. Përpjekjet e dëshpëruara për të keqpërdorur “krijesat” e Partisë në drejtësi për të spostuar vëmendjen e opinionit publik me “hetime” qesharake ndaj drejtuesve të opozitës tregojnë vetëm përpëlitjet e fundit të regjimit kriminal për të shtyrë me ditë dhe javë llogaridhënien e tij të pashmangshme. Krijesat e Partisë që marrin urdhra në Kongresin e partisë-shtet veç forcojnë bindjen e të gjithë shqiptarëve të ndershëm se janë një seksion i Rilindjes dhe përgjegjëse po sa ajo për korrupsionin galopant dhe lidhjet e krimit me politikën. Monopolin e Drejtësisë e ka vetëm Populli i Shqipërisë dhe ai do të jetë Gjykatësi më i drejtë shumë shpejt”, thekson Meta.