Një skenë e denjë për filmat aksion si “Fast & Furious” ka qenë ajo që ka ndodhur në Aspropirgos të Greqisë.
Katër persona në Greqi, kishin tentuar të hyjnë në një shtëpi në zonën e Zofrias. Mirëpo, sapo janë vënë re nga policia, kanë tentuar të arratisen me makinën e tyre.
Përplasja e ashpër nisi kur efektivët e ELAS-it i bënë shenjë makinës të ndalonte, por hajdutët u larguan me shpejtësi me fuoristradën e tyre për të shpëtuar.
Gjatë ndjekjes, teksa ecnin me shpejtësi të lartë ata janë përplasur me një mjet që drejtohej nga një i moshuar, i cili gjithashtu mbeti i plagosur.
Pas aksidentit me të moshuarin, hajdutët kanë zbritur nga automjeti dhe kanë nisur të vrapojnë drejt arave, ndërsa policët i kanë ndjekur dhe kanë arritur të arrestojnë tre prej tyre.
Një grup sigurie ndodhet në zonë dhe po kryen hetimet për identifikimin e kriminelit në arrati.


