Mbyllet dhe java e tretë e ‘TOP 5’ ligave kryesore. Në Spanjë Reali dhe Barça fitojnë pastër, Napoli ndalet në Firenze, Tottenhami i Contes fiton me lehtësi. Pikërisht rezultatet në fundjavë do të jenë kryefjala e mediave për ditën e sotme.
Ndjekim disa nga titujt kryesorë të mediave sportive:
Madrilenia “AS” e hap ditën me titullin “Lideri i liderave”. Benzema shkëlqen në fitoren 3-1 të Real Madrid ndaj Espanyol, duke shënuar një dopietë.
“Barça vrasëse” shkruan katalanasja “Mundo Deportivo”. Blaugranat dhurojnë spektakël ndaj Valladolid, duke fituar me rezultat 4-0, ku shënuan: Lewandowski x2, Sergi Roberto dhe Pedri.
Prestigjozja “Marca” fokuosohet tek paraqitja fantastike e francezit Benzema duke shkruar: “Është prej ari”. Benzema vazhdon të tregoj ende klasin e tij ndeshje pas ndeshje.
“Perandor” ka shkruar “Sport”. Gazeta katalanase i thur elozhe bomberit polak Lewandowski pas paraqitjes mbreslënëse ndaj Valladolid ku shënoi dy gola dhe shkon në kuotën e 4 golave në kampionat, duke u vendosur i pari në listën e golashënuesve.
“Premtimi i artë” shkruan gazeta italiane “La Gazzetta dello Sport”. De Ketelaere shihet si Kaka i ri në Milano dhe bën tifozët të ëndërrojnë.
“Të mbushur me njerëz”. Ky është titulli kryesor i “Corriere dello Sport” pas ditës së tretë të kampionatit. Napoli u ndal nga Fiorentina në një sfidë shumë të ekuilibruar në Franchi. Tashmë janë gjashtë skuadra me pikë të barabarta në krye.
“Tuttosport” fokusohet tek merkato e Juves dhe shkruan: “Miretti-Paredes, goditjet janë 2”. Duket se ‘Zonja’ nuk e ka mbyllur merkaton ende dhe kërkon të përforcohet.
“Antony në kuvertë”, me këtë titull hapet britanikja “Mirror Sport”. Braziliani i bashkohet United për një shifër rekord prej 100 milionësh.