Aktori i humorit, Florjan Binaj ka qenë gjithmonë një ndër emrat publikë që ka ngritur zërin publikisht për problematika të ndryshme. Madje ai u përfol se do të hynte në politikë.
Së fundmi, në emisionin që ai moderon së bashku me Arilena Arën, “Piranjat”, Binaj ka bërë një monolog lidhur me largimin e të rinjve nga vendi. Sipas tij, Shqipëria ka mungesa që ata ikin, dhe shton se çdo ditë e më shumë bëhet e vështirë, për vajzat e djemtë e rinj.
“Rrini të qetë se Arilena është aty pas skene, për momentin. Se ka shumë mundësi që një ditë shumë nga këta njerëz që janë mbas skene siç janë kameramanët, montazhierët, teknikët e pultit, qoftë edhe kalimtari më i thjeshtë të mos jenë më, do keni ikur, jo në një botë tjetër por në një shtet tjetër.
Një pyetje, çfarë mund të bëjë një vajzë e thjeshtë në një vend që nuk të ofron asgjë, në një vend ku punën ta ofron partia dhe jo shkolla, ku ligji është plastelinë në duart e të fortëve dhe ku askush nuk qesh, vetëm shajnë.
Po një djalë i ri çfarë mund të bëjë në këtë vend? Ku për të pasur shtëpinë e vet ai duhet të punojë 360 vjet, për të larë interesat se pastaj fillon kredia më mbrapa, ku nuk ka rëndësi se kush je, por sa ke, dhe ku edhe për një shazllon që ti ta marrësh, ti duhet ta mbrosh me gjak. Sepse sipas kryeministrit shqiptarët ikin se në Britani ka mungesa. E vërteta është se shqiptarët ikin se Shqipëria ka mungesa”, tha Flori.