A po përpiqen rusët që të vrasin presidentin Volodymyr Zelensky? Kjo pyetje duket se nuk ka nevojë për përgjigje.
Vala e bombardimeve intensive në Kiev në orët e fundit ka shtuar dyshimet. Një numër raketash janë hedhur edhe pranë pallatit presidencial e mediat e huaja po pyesin nëse kjo nuk ishte një rastësi, apo një tentativë e re për të eliminuar kreun e shtetit ukrainas.
Nuk kishte ndodhur kurrë në gati tetë muaj luftë që raketat ruse të binin kaq afër pallateve presidenciale.
Në mënyrë të pashmangshme, rikthehen kujtimet e orëve të para të 24 shkurtit, kur njësitë speciale ruse dhe agjentët e tyre synuan të bombardonin shtëpinë e Zelenskyt, por presidenti dhe familja e tij u larguan në kohë.
Sulmet e orëve të fundit janë një kambanë alarmi. Lideri çeçen dje e kërcëni hapur: “Ik me miqtë e tu perëndimorë, ik pa kthyer kokën pas!”. Zelensky do të qëndrojë, por me një kujdes të shtuar, shkruan Corriere Della Sera.