NATO po dyfishon praninë në detin Baltik, dhe me mbështetjen e avionëve ushtarakë, do të monitorojë infrastrukturën kritike të aleancës nga sabotazhe të mundshme. Këtë e tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO, Jens Stoltenberg.
Ministrat e Mbrojtjes së aleancës ushtarake janë mbledhur në Bruksel për të diskutuar mbi mënyrat se si t’i sigurojnë shtetit në luftë më shumë sisteme ajrore për të mbrojtur civilët dhe infrastrukturën kritike nga sulmet pa dallim të Moskës. Takimi i ministrave të NATO vjen asi Rusia lëshoi një breshëri raketash rreth Ukrainës duke vrarë të paktën 19 civilë. Presidenti Zelensky e vuri theksin tek suksesi i Kievit në interceptimin e raketave duke thënë se më shumë se gjysma e tyre ishin rrëzuar. Ky sukses sipas shefit të NATO, thekson nevojën për të furnizuar Kievin me më shumë sisteme mbrojtëse.
Kujtojmë se NATO deklaroi se nuk ka vënë re ndonjë ndryshim në qëndrimin bërthamor të Rusisë pas kërcënimeve, u tha gazetarëve të martën Sekretari i Përgjithshëm Jens Stoltenberg në Bruksel. Stoltenberg tha gjithashtu se aleatët e NATO-s do të përballonin çdo sulm ndaj infrastrukturës kritike me një “përgjigje të bashkuar dhe të vendosur”. Aleanca do të vazhdojë me stërvitjen e saj vjetore të gatishmërisë bërthamore “Steadfast Noon” javën e ardhshme, në të cilën forcat ajrore të NATO-s praktikojnë përdorimin e bombave bërthamore të SHBA me bazë në Evropë me fluturime stërvitore. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë thirrje liderëve të grupit të shtatë vendeve për më shumë aftësi të mbrojtjes ajrore pas një sërë sulmesh me raketa në qytetet ukrainase.