Ambasadorja amerikane në Tiranë në takimin për 30-vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese mbajti qëndrim të fortë për sistemin e ri të drejtësisë duke u kujtuar se duhet të marrë fund koha kur shantazhi dhe dhuratat ndikonin në dhënien e vendimeve të padrejta. Ndërsa Rama e bëri të qartë se nuk i pëlqejnë qëndrimet e ambasadorëve kur shprehen pozitivisht apo negativisht pas dhënies së një vendimi. Drejtësia e re e trysnuar nga të gjitha anët.
Ishte vetëm një datë simbolike që përkon me 3-vjetorin e themelimit të Gjykatës Kushtetuese Shqiptare, por me atë çfarë u than ga njerëzit e drejtëisë, të politikës në vend dhe të ndërkombëtarëve të përfaqësuar nga ambasadorët tregoi se pas tre dekadash drejtësia mbetet ende në moçalin që nuk po del dot. Në ceremoninë e mjatur dje dy fjalime treguan shumë. Ai I kryeministrit Edi Rama dhe I ambasadores së SHBA-ve në vendin tonë Yuri Kim. “Më keni vënë përballë një dileme jo të thjeshtë, e sfide disi të veçantë. Sebepi është festiv, ushtrimi është delikat dhe skena e pazakontë. Kreu i pushtetit ekzekutiv para një plateje juristësh dhe gjykatësish, pra pushtetit gjyqësor pa harruar e veshët e sytë e diplomatëve të huaj të cilët kur vjen fjala te drejtësia duket se nuk ndihen të huaj në territoret e saj, madje kanë dhe një luks të veçantë që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin ose hidhërimin për vendimet e gjykatave, çka për mua e autoritetet e këtij shteti nuk është e këshillueshme, le më e imitueshme”-tha Rama, që Brenda një fraze kishte kritikën për ndërkombëtarët “kritik”, por edhe I veshi vetes të drejtën se nuk mund të rrijë indiferent nga çdo vendim I gjyqësorit, kur I pëlqen apo nuk I pëlqen. “Fjalim kritik mbetet po aq i pakëshillueshëm sa i imitimi i diplomateve kur emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu që këtij kurthi joshës do mundohem t’i shmangem në kufijtë e të mundurës. Në sytë e mi çka kremtohet sot janë vetë fillimet e kushtetutshmërisë, të mbjelljes së idesë së saj si garanci e lirive individuale”, u shpreh Rama. Pavarësisht se i parapriu fjalimit me një mantel mbrojtës, për të mos u interpretuar se po ndërhyn në punët e sistemit të drejtësisë që me kushtetutë cilësohet I pavarur, sërish Rama tha shumë në këtë takim. “Sot përgjatë qenies së saj 30 vjeçare është një ngrehinë me dritë dhe hije. Me vula vendimesh të diskutueshme, me shkëlqime deri në të lavdishme dhe me njolla të pajustifikueshme. Është krijuar një përshtypje e vrazhdë se gjithë aktiviteti i kësaj gjykate konsiston në një kalim pasash mes saj dhe Kuvendit. Dhe së fundmi deri para pak kohësh më presidentin, kthime, gjysmë kthime, vendime për rishkrime, ligje në fokus të debatit mes forcave politike, në pritje të një arbitrazhi që ndonëse me konture juridike, përqendrohet në arsyetime politike, apo ndonjëherë mjaftohet me thjesht me balancime politike”-tha Rama që pasi e bëri “fajtore” për paqëndrueshmërinë e gjykatës e shfajësoi duke shtuar se: “Këtu nuk është faji i Gjykatës Kushtetuese, por shpërdorimit të saj dhe tollovitjes nga aktorë të tretë, që i arratisen përgjegjësive të tyre duke mos gjetur konsensus as, rrugë të ndërmjetme për tu marr vesh, por thërrasin në ring, vend e pa vend Gjykatën Kushtetuese. Shtrëngohet në debate që janë të penguara nga presioni politik, i drejtë përdrejtë ose indirekt, me vendime që ndonjëherë janë drobitëse për ata që i lexojnë deri në fund, duke mos arritur ekuilibrin e artë, që duhet të frymëzojë Gjykata Kushtetuese”-tha kreu I qeverisë.
Kim pa “diplomaci”
Qëndrimi i ambasadores amerikane për sistemin e drejtësisë ishte më shumë se një ulërimë dhe tërheqje vëmendjeje se pritet shumë më shumë nga çfarë po ofron drejtësia e re, e cila u bekua nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht SHBA dhe BE. “Për një kohë të gjatë, mënyrat e vjetra kanë ngulmuar. Prandaj, të gjithëve ju, juve që doni të zvarritni Shqipërinë prapa në të kaluarën, ta zvarritni atë me shkelma e ulërima, me njerëzit që vuajnë, juve them: Ndalni. Ndalni. Kohës tuaj i ka ardhur fundi. Koha e të bërit telefonata, e të dërguarit emisarë, e të dërguarit dhurata, e kërcënimeve për të zbuluar sekrete të errëta nga një e kaluar e shëmtuar, e premtimit të dhuratave, të cilat nëse pranoheshin, hidhnin bazat për një tjetër sekret të errët, për një tjetër të ardhme të errët. Ajo kohë ka marrë fund. Ju i shijuat privilegjet tuaja, ju e shijuat imunitetin tuaj, i mbushët xhepat tuaj, i mbushët xhepat e fëmijëve tuaj, të miqve tuaj! Ndalni – ka marrë fund! Koha juaj ka marrë fund”-tha Kim. Por më shumë se e bindur se kjo kohë e keqe ka përfunduar, Kim e kishte thirrje për të mos vijuar më kjo praktikë e njohur. “Ka ardhur koha t’i lini njerëzit e zakonshëm të jetë të lirë, vërtetë të lirë. Ka ardhur koha që t’a lini popullin shqiptar të besojë se ekziston drejtësia në Shqipëri, se ia vlen që ata dhe fëmijët e tyre të qëndrojnë, se ekziston një e ardhme më e ndritur, se ka dënim për ata që kryejnë krime, se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Këtë duhet të bëjë Gjykata Kushtetuese dhe këtë është përpjekur të bëjë në vitet e fundit. Këtë duhet të bëjë çdo gjykatë, këtë duhet të bëjë çdo prokuror. Mjaft iu përgjigjët atyre telefonatave. Mjaft pranuat dhurata. Mjaft u frikësuat nga ato kërcënime. Lërini shqiptarët të marrin frymë. Lërini të jenë të lirë. Lëreni Shqipërinë të jetë e shkëlqyer.”, tha Yuri Kim.