Amerigo Vespuçi lindi dhe u rrit në Firence. Ai ishte djali i tretë i Anastasio Vespuçit, një noter fiorentin dhe Lisabeta Minit. Amerigo u arsimua nga xhaxhai i tij, Frati Xhorxho Antonio Vespuçi, një prift domenikan i manastirit të San Markos në Firence. Ndërsa vëllezërit e tij më të mëdhenj u dërguan në Universitetin e Pizës për të ndjekur karrierën shkencore, Amerigo Vespuçi u mor me tregti, duke u punësuar si nëpunës nga familja e pasur fiorentinase Mediçi, e drejtuar nga Lorenco de Mediçi. Në marsin e vitit 1492, Mediçi dërgoi 38-vjeçarin Vespuçin dhe Donato Nikolinin si agjentë të fshehtë në Spanjë. Në prill të vitit 1495, pas intrigave të peshkopit Huan Rodriguez de Fonseka, Kurora mbretërore e Kastiljes e prishi marrëveshjen me Kristofor Kolombin, dhe filloi dhënien e licencave për lundrues të tjerë për në Inditë Perëndimore. Me ftesë të mbretit Manuel I të Portugalisë, Vespuçi mori pjesë si vëzhgues në disa udhëtime që eksploruan bregun lindor të Amerikës Jugore midis viteve 1499- 1502. Në fillim të këtyre udhëtimeve ai ishte në bordin e anijes, që zbuloi se Amerika e Jugut shtrihej shumë më tej në jug nga sa mendohej më parë. Ekspeditat u bënë të njohura në Evropë, pasi u publikuan më 1502 dhe 1504 në dy dëshmi që iu atribuan Vespuçit. Në vitin 1507, Martin Valdsimyler prodhoi një hartë botërore në të cilën ai e quajti kontinentin e ri Amerika, sipas versionit femëror latin të emrit të Vespuçit. Në një libër shoqërues, Valdsimyler publikoi një nga tregimet e Vespuçit, gjë që çoi në kritika se Vespuçi po përpiqej të vidhte lavdinë e Kristofor Kolombit. Më 22 mars 1508, Mbreti spanjoll Ferdinandi e bëri Vespuçin lundërtarin kryesor të Spanjës me një rrogë të madhe, dhe e porositi atë të themelonte një shkollë lundrimi, me qëllim që të standardizohej dhe modernizohej teknika e lundrimit në det të përdorura nga marinarët iberikë, që pastaj do të eksploronin botën. Vespuçi madje zhvilloi një metodë primitive, por mjaft të saktë për përcaktimin e gjatësisë gjeografike. Në shekullin XVIII u zbuluan tre letra të pabotuara të shkruara nga Vespuçi për Lorenco de Mediçib. Njëra përshkruante një udhëtim të kryer në vitet 1499-1500, që korrespondon me dy nga “katër udhëtimet”. Disa studiues sugjeruar se në këto letra Vespuçi, po e zmadhonte rolin e tij në eksplorime. Megjithatë, shumë studiues tani besojnë se dy letrat nuk janë shkruar prej tij, por ishin trillime nga të tjerët, bazuar pjesërisht në letrat e vërteta nga Vespuçi.