Gjykata e Apelit do të vendosë më 3 mars se kujt do i takojë logoja dhe vula e Partisë Demokratike. Pas apelit të kryetarit të KQZ-së për përshpejtim në marrjen e vendimit edhe përfaqësuesi ligjor i Alibeajt tha se gjykata duhet të shprehet sa më parë, pasi më 14 maj mbahen zgjedhjet lokale.
E mbajti pezull për më shumë se një vit konfliktin mes dy palëve pretenduese si “pronarë” të PD-së, por mjaftuan vetëm pak ditë për të vendosur që zvarritja nuk mund të vazhdonte më gjatë. Në këtë mënyrë Gjykata e Apelit Tiranë më 3 mars do të vendossë fatin e vulës dhe simboleve të Partisë Demokratike se kujt do i takojnë. Dy grupimet ai i Berishës dhe Alibeajt si “kryetar me autorizim” nga Basha do të presin vendimin e gjykatës dhe më pas pritet të zgjidhet edhe ngërçi juridik edhe në KQZ në prag të zgjedhjeve lokale. Ndërkohë që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi ka bërë thirrje pak ditë më parë Gjykatës që ta trajtojë me prioritet këtë çështje, pasi regjistroi komisionerët e PS, PL dhe PSD-së dhe jo ata të Partisë Demokratike të cilët kishin paraqitur dy lista komisionerësh për zgjedhjet e 14 majit. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm në përgjigje të interesimit të medias ka informuar se: “Ankimi i Partisë Demokratike, ndaj vendimit nr. 3 datë 25.03.2022 (Gjyqtar Agron Zhukri) të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, është planifikuar për tu gjykuar me datë 03.03.2023, ora 11:00, trupi gjykues përbëhet nga Relatore Gjyqtare Elona Mihali, anëtar Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja”. Kujtojmë se një nga çështjet më të diskutuara të vitit ka qenë ajo se kujt i përket vula e partisë, palës së mbështetur nga Sali Berisha apo tjetrës nga Enkelejd Alibeaj. Për këtë do të duhet të presim deri më 3 mars.
Reagimi i Sefës
Avokati i grupit të Alibeajt, Indrit Sefa ka reaguar pasi Gjykata e Apelit caktoi datën 3 mars për çështjen për vulën e Partisë Demokratike. Në dokumentet e publikuara në një status në “Facebook”, ai shton se gjykata duhet të afrojë datën për shqyrtimin e kësaj çështjeje, pasi sipas tij vonesa mund të sjellë pasoja të rënda. “Sjellim në vëmendje të gjykatës se mos shqyrtimi i kësaj çështje gjyqësore mund të sjellë si pasoja cënimin e drejtpërdrejtës dhe të rëndë të interesave kushtetuese të subjektit politik të PDSH dhe të anëtarëve dhe votuesve që përfaqësojnë”, thekson Sefa. Apeli ka vendosur që të shqyrtojë ‘çështjen më të nxehtë’ të momentit, 3 ditë para regjistrimit të partive politike për zgjedhjet vendore. Gjykata caktoi dje datën për të shqyrtuar apelimin që Alibeaj i bëri vendimit të Agron Zhukrit që më 25 mars të vitit të shkuar, pranoi regjistrimin e statutit, logos dhe vulës së grupimit Berisha.