Palët politike, mazhoranca dhe opozita kanë vendosur të mos tërhiqen nga konfliktualiteti. Edhe dje në Parlament ka pasur përplasje ku nuk kanë munguar as përjashtimet, duke e çuar në 12 numrin e depuetëve të opozitës të përjashtuar nga punimet në Kuvend. Megjithatë opozita mbajti protestën jashtë godinës ku Berisha kërcënoi se nëse Rama nuk pranon interpelancën e thirrur për çështjen “McGonigal” do të protestojnë pranë shtëpisë së tij. Pasditen e djeshme nën zhurmën e bilbilave, mazhoranca me 76 vota vendosi të rrëzojë kërkesën e deputetëve të opozitës për shkarkimin e kryeparlamentares Lindita Nikolla.
Ashtu siç ishte parashikuar, demokratët u mblodhën sërish para parlamentit për të protestuar për çështjen McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama, teksa brenda Kuvendit zhvillohej seanca plenare. Kreu democrat Sali Berisha ishte mes deputetëve të përjashtuar, por ndryshe nga të tjerët nuk tentoi të futej në seancë. I shoqëruar nga anëtarë të Këshillit Kombëtar, iu drejtua mbështetësve që e prisnin para Parlamentit. I pranishëm në protestë ishte edhe kreu i Partisë së Lirisë. Ilir Meta siguroi demokratët se më 3 mars do të çelin mimozat për demokracinë. “Këtu kemi një kastravec që kërkon të provokojë shqiptarët. Ne pluralizmin politik nuk e këmbejmë me asgjë sepse është shtylla e demokracisë. Të gjithë në këmbë kundër këtij regjimi të pashpirt. Më 3 mars, mimozat do të shpërthejnë”, tha Meta. Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, njëherësh anëtare e kryesisë së PD-së, u shpreh se nismat e mazhorancës socialiste për të asgjësuar zërin opozitar në parlament nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë. Pasi Kuvendi vendosi që më 2 mars të zhvillohet mocioni me debat me Kryeministrin për lidhjet me ish-zyrtarin e FBI-së, Berisha i dërgoi një paralajmërim Edi Ramës.
Sali Berisha
Pas përfundimit të protestës së opozitës, kryetari i PD-së Sali Berisha pohoi se kjo betejë nuk është për PD-në, por për mbarë shqiptarët. Ai tha nga selia e PD-së, se ky regjim duhet larguar me revolucion. “Revolucioni marshoi dhe sot para Parlamentit, dhe në sallë, qytetarët në protestë dhanë mesazhe të fuqishme në të cilat kërkohet largimi i këtij regjimi. Ky regjim nuk ka të drejtë legjitime të qëndroj. Ky është regjim monist, që ka shndërruar parlamentin, në një bunker të fjalës së ndaluar. Ky është një regjim monist që përdor Kuvendin për të miratuar ligje për klanet e drogës, për ministra që marrin statusin e investitorit strategjik, për të fshehur varjes në gjirin e familjes kriminale shtetërore. Ky regjim fsheh vjedhjet që bën për të qëndruar në pushtet. Kjo e jona nuk është betejë për PD, për deputetet e saj, por për çdo shqiptar. A nuk kanë të drejtë qytetarët shqiptare, që të mësojnë se nga erdhën 225 mijë dollarë që u dhanë nëpër parkingje për McGonigal. Çfarë dokumentesh dërgoi Edi Rama për të marrë peng Lulzim Bashën. Cilët janë dëshmitarët që shkuan nga Europa për të dëshmuar për McGonigal për të dëmtuar opozitën. Demokratët u larguan nga sheshi pa mbaruar seanca plenare, ndryshe nga çfarë kishin deklaruar.
Kuvendi rrëzon kërkesën opozitës për shkarkimin e Nikollës
Partia Demokratike kërkoi shkarkimin e Lindida Nikollës me argumentin se ajo ka shkelur rregulloren e Kuvendit. Gjatë seancës së djeshme plenare, Nikolla ka zënë vend në karrigen e deputetëve, dhe seancën plenare gjatë votimit e ka drejtuar Ermonela Felaj. Kuvendi rrëzoi kërkesën e 28 deputetëve të opozitës për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Votave të maxhorancës iu bashkua edhe ajo e Edi Ramës i cili u paraqit në seancë plenare vetëm për të votuar kundër kërkesës për shkarkim. Në fjalën e saj për këtë çështje, kryeparlamentarja Nikolla u shpreh se ka respektuar Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, dhe se kërkesa për shkarkim ka ardhur për shkak të përplasjeve që ka pasur opozita vetë brenda saj. Kryeparlamentarja Nikolla deklaroi se ndihet e prekur nga kërkesa, por theksoi se asaj i mungon themeli. Sipas saj, opozita ka shpikur një kauzë artificiale dhe e mbështet kërkesën në interpretime. “Prita me qetësi kërkesën e 28 deputetëve për shkarkimin tim…Pasi u njoha me këtë kërkesë, fillova të reflektoj. Ktheva kokën për të parë ku kisha gabuar. Por, më rezultoi se acarimi dhe konflikti në Kuvend, nuk kanë ardhur për shkakun tim, por jo rrallëherë dhe për shkak të mosmarrëveshjeve dhe grindjeve tuaja të brendshme. Prandaj, nuk e paragjykoj këtë kërkesë, si një dobësi tuajën përballë trysnive dhe halleve të partisë, por si e drejta juaj në rrethanat tuaja, prej emocioneve tuaja, prej ambicieve tuaja”, tha Nikolla para votimit. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku u shpreh se opozita nuk do të votojë nëse nuk do të lexohen dy raportet për Lindita Nikollën. “E kuptoj Nikollën që është e emocionuar sepse kërkesa për shkarkim s’është e vogël, por edhe këtë procedurë po e ndiqni në shkelje të rregullores nëse e bëni kështu atëherë opozita nuk do të marrë pjesë në votimin. S’është faji i Nikollës që mbron mazhorancës. Votimi duhet të ndodhë pasi të lexohen dy raportet, s’është lexuar raporti”, tha Tabaku. Deputetja Etilda Gjonaj në emër të Partisë Socialiste ka kërkuar rrëzimin e kërkesës për shkarkimin e Lindita Nikollës. Gjoanj tha se Nikolla ka zbatuar rregulloren dhe kushtetutën dhe u detyrua të mbyllte seancën e 26 janarit për shkak të kaosit që opozita krijoi në Kuvend. Nga ana tjetër, opozita nuk ka pranuar ta lexojë raportin e saj. Kreu i Grupit të PD-së, Enklejd Alibeaj tha se duhet të jenë të pranishëm në sallë edhe deputetët e përjashtuar sepse kanë të drejtë të votojnë për shkarkimin e Nikollës, pasi kjo e fundit ka thyer rregulloren. “Nga provat e administruar rezulton se seanca e 26 janarit nuk mund të zhvillohej në kushte normale për shkak të rrethimit të foltores dhe situatës kaotike, deputetët duke penguar ministrat të prezantojnë projektligjet në shkelje të rregullores dhe duke cenuar zhvillimin e seancës. Kryetarja ka zbatuar me përpikmëri të gjitha përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore në drejtim të seancës plenare, ka treguar frymën e bashkëpunimit dhe tolerancës duke respektuar më se pari kolegët e opozitës dhe duke qëndruar mbi palët. Kryetarja i është përmbajtur etikës dhe komunikimit të mirë edhe kur provokimet dhe mungesa e etikës kanë qenë të padenja. Ka respektuar të gjitha parashikimet kushtetuese në seancën e 26 janarit duke moderuar debatin pa cënim dhe shkelje të etikës pavarësisht seancës së krijuar”, tha Gjonaj.
Votimi
Në seancën e djeshme është votuar mbi shkarkimin e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Në votimin e mbyllur, 78 deputetë votuar kundër kërkesës së opozitës, ndërkohë që vetëm tre deputetë kanë votuar pro. Kërkesa për shkarkimin e Nikollës erdhi pas tensioneve të seancave të fundit në Kuvend dhe masave të marra për përjashtimin e disa deputetëve të opozitës.