Ina Balukja
Globalizimi i tregut, penetrimi në tregun shqiptar të kompanive të huaja si dhe integrimi i tregut në atë ndërkombëtar bëri që koncepti i përgjegjësisë sociale të korporatës të zhvillohet më tej. Shumë pak është folur rreth përgjegjësisë sociale në lidhje me bizneset sepse ata e kanë të vështirë ta kuptojnë që përfshirja në përgjegjësinë sociale shërben si një element ndihmës dhe motivon fitimin. Vetëm vitet e fundit janë marrë hapa konkretë nga disa kompani në këtë fushë.
Në tregun e sotëm global evidentohet se roli dhe rëndësia e korporatave po merr një rritje të vazhdueshme konsideruar dhe tendencat e reja mbi funksionimin e korporatave për të cilat teoria moderne ka superuar idenë e thjeshtë të ofrimit të shërbimit dhe gjenerimit të të ardhurave nga biznesi. Në këtë këndvështrim, ky artikull ka për qëllim që të analizojë një ndër nocionet moderne të botës së biznesit referuar modeleve të përgjegjësive sociale të biznesit: nocionin e përgjegjësisë sociale të korporatës. Në aspektin analitik ky artikull paraqet një pasqyrë të përgjithshme të parimeve bazë dhe shtyllave kryesore ku bazohet përgjegjësia sociale.
Artikulli fokusohet kryesisht në pikëpamjet e autorëve të ndryshëm dhe qëndrimin e tyre për reflektimin e politikave të përgjegjësisë sociale të korporatave si në mjedis dhe në shoqëri vlerësuar se nocioni i përgjegjësisë sociale të korporatave përfaqëson më së miri idenë për strategjinë e funksionimit të korporatës sipas Henry Ford dhe shumë industrialistëve të tjerë, duke qenë se ky nocion është thelbësor për biznesin që e ka inkorporuar tërësisht në strategjinë e tij dhe element përbërës i rëndësishëm i tregut.
Korporata njihet si forma më e lartë e organizimit të njësive të biznesit, si një kompani e përmasave të mëdha apo grup kompanish që veprojnë në funksion të ofrimit të një apo disa shërbimeve në treg dhe që përgjithësisht targetojnë një grup të gjerë konsumatorësh. Për shkak të rolit, rëndësisë dhe ndikimit që korporata ka lind dhe nevojshmëria për rregullimin e fushës së veprimit të saj dhe aplikimin e standarteve etike dhe morale krahas atyre ligjore në nivelin më të lartë, duke kuptuar përgjegjësinë që korporatat kanë ndaj zhvillimit të vazhdueshëm, konsumatorit dhe mjedisit. Përgjegjësia sociale e korporatave duhet të kuptohet si një detyrim që korporatat kanë në raport me politikat e tregut global, mbrojtjen e konsumatorit dhe çdo pale të interesuar si dhe politikat mjedisore.
Në parim, në veprimtarinë e saj, çdo korporatë duhet të udhëhiqet nga parimet e moralit dhe etikës, megjithatë, implementimi në praktikë i tyre dhe nocionet themelore janë objekt i trajtimit të këtij artikulli. Edhe pse përgjegjësia sociale e korporatës nuk është një nocion i ri për tregun e zhvilluar ndërkombëtar, në fakt është një nocion relativisht i ri për rajonin dhe specifikisht për vendin tonë.
Globalizimi i tregut, penetrimi në tregun shqiptar të kompanive të huaja si dhe integrimi i tregut në atë ndërkombëtar bëri që koncepti i përgjëgjësisë sociale të korporatës të zhvillohet më tej. Shumë pak është folur rreth përgjegjësisë sociale në lidhje me bizneset sepse ata e kanë të vështirë ta kuptojnë që përfshirja në përgjegjësinë sociale shërbën si një element ndihmës dhe motivon fitimin. Vetëm vitet e fundit janë marrë hapa konkretë nga disa kompani në këtë fushë. Koncepti i përgjegjësisë sociale në rastin e korporatave lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me modelet rregullatore që korporatat aplikojnë për të rritur besueshmërinë dhe marrë përgjegjësi ndaj publikut të gjerë.
Në një pikëpamje më të gjerë përgjegjësia sociale e korporatës nënkupton raportin dhe marrëdhënien që duhet të vendoset apo ekziston midis korporatave që veprojnë në nivel global, organeve qeverisëse dhe ligjore si dhe komunitetit të konsumatorëve. Korporata detyrohet në respektimin e rregullave të etikës dhe moralit të mirë në marrëdhënie me komunitetin apo grupin e individëve ndaj të cilëve ofron shërbimin. Jo vetëm kaq, por korporatat dhe praktikat e mira të biznesit vendosin korporatën përpara përgjegjësisë sociale si ndaj komunitetit përkundrejt të cilit veprojnë ashtu edhe ndaj mjedisit në të cilin është i vendosur ky komunitet. Përgjegjësia sociale e korporatave paraqitet si një nocion shumë i gjerë përsa i përket përkufizimit të termit.
Përkufizimi i nocionit të përgjegjësisë sociale
Autorë të ndryshëm përkufizojnë në mënyra të ndryshme nocionin e përgjegjësisë sociale edhe pse është përfaqësuar gjerësisht qasja e njehësimit të përgjegjësisë sociale të korporatës me impaktin e saj në çdo aspekt social përfshirë sferën ekonomike si dhe politikat e mbrojtjes mjedisore. Pra, përgjegjësia sociale e korporatës nënkupton rregullimin e mënyrës së funksionimit të një biznesi dhe zhvillimin e veprimtarisë së tij nëpërmjet adoptimit të politikave dhe strategjive që mundësojnë rritjen e ndikimit pozitiv të biznesit apo kompanisë në ambientin social dhe në mjedis, duke menaxhuar në mënyrë sa më efektive burimet mjedisore dhe humane që biznesi disponon si dhe kontribuar në zhvillimin e tyre.
Nëpërmjet këtij përkufizimi dallohet lehtësisht një nga karakteristikat kryesore të përgjegjësisë sociale të biznesit: roli aktiv dhe rritjes së ndikimit pozitiv të biznesit në sferën sociale gjatë ofrimit të shërbimeve. Për shkak të faktit se përgjegjësia sociale e korporatave është një nocion i gjerë dhe gjithëpërfshirës në doktrinë nuk identifikohet një përkufizim i unifikuar për termin.
Megjithatë, në mungesë të një përkufizimi të dakordësuar dhe pranuar gjerësisht, pyetja se çfarë nënkupton saktësisht përgjegjësia sociale e korportave merr përgjigje edhe nga qëndrimi i Komisionit Evropian i cili e përkufizon përgjegjësine sociale të korporatave si konceptin në të cilin kompanitë integrojnë shqetësimet e tyre sociale dhe mjedisore në mënyrën e funksionimit të biznesit dhe në ndërveprimin e tyre me palët e interesuara në bazë vullnetare. Bazuar në teorinë e lindjes së përgjegjësisë sociale ndaj bizneseve përkrahësit e kësaj teorie lobojnë idenë e zhvendosjes së vëmendjes dhe fokusit të korporatës vetëm nga elementi i maksimizimit të fitimeve.
Lindja e përgjegjësisë sociale synon ndërgjegjësimin e biznesit dhe rritjen e ndjeshmërisë edhe për çështje të karakterit social nëpërmjet rishikimit të mënyrës së të bërit biznes dhe ndërgjegjësimit mbi ndikimin që veprimtaria e tij ka në çështje mjedisore dhe ambientin social ku përfshihen problematika që lidhen me konsumatorin dhe palët e interesuara.
Megjithatë, korporatat që marrin përgjegjësi ndaj aspekteve të ndryshme sociale në kryerjen e veprimtarisë së tyre evidentohet të kenë patur një maksimizim të fitimit nëpërmjet rritjes së kapitalit dhe përmirësimit të burimeve në raport me korporatat që vendosin të qëndrojnë pasive ndaj kësaj çështje. Marrja e përgjegjësive ndaj çështjeve sociale efektivisht rrit produktivitetin dhe përmirëson burimet njerëzore që një korporatë disponon duke ndikuar në mënyrë direkte dhe përcaktuese në cilësinë e përmbushjes së detyrave të cilat u janë ngarkuar punonjësve të korporatës.
Politikat dhe strategjitë e përgjegjësisë sociale
Adaptimi i politikave dhe strategjive për përgjegjësinë sociale të korporatës është një tregues i zhvillimit të qëndrueshëm dhe nivelit të lartë të zhvillimit. Sipas autorëve të fushës, parimet bazë të përgjegjësisë sociale janë tre: qëndrueshmëria, përgjegjësia dhe transparenca. Aktiviteti dhe implementimi i strategjive i përmban të treja këto parime. Qëndrueshmëria apo stabiliteti është një parim i rëndësishëm i cili lidhet me marrjen e masave afatgjata përsa i përket implemtimit të politikave të përgjegjësisë sociale. Ky parim konsiston në rritjen e ndërgjegjshmërisë së korporatës përsa i përket menaxhimit të burimeve natyrore duke rritur efikasitetin në përdorimin e tyre. Pra, qëndrueshmëria nënkupton se korporatat nuk mund të përdorin më burimet të cilët nuk mund të rigjenerohen.
Parimi tjetër që David Crowther dhe Güler Aras përmendin në studimet e tyre është ai i llogaridhëniës apo përgjegjësisë. Ky parim lidhet në mënyrë të d.p.d. me anën subjektive apo aftësinë e korporatave për të kuptuar pasojat dhe rëndësinë e veprimtarisë së tyre në mjedis dhe komunitet. Nocioni i përgjegjësisë apo llogaridhëniës nënkupton faktin se korporata është pjesë e një rrjeti social më të gjerë dhe ka përgjegjësi ndaj gjithë këtij rrjeti. Mbajtja e përgjegjësisë nga ana e korporatave përfaqëson aspektin e aftësisë konceptuale dhe detyrimin e korporatës për të zhvilluar politika të tilla që i përgjigjen nevojave të ambientit përreth dhe që përgjigjen për veprimet dhe veprimtarinë e korporatës.
Në zbatim të këtij parimi veprimtaria e korporatës për gjenerimin dhe maksimizimin e të ardhurave duhet të drejtohet në mënyrë të tillë që vendimarrja e korporatës të bëjë të mundur menaxhimin më të mirë të burimeve si në dobi të korporatës por edhe të partnerëve e palëve të treta të interesuara. Aftësia e korporatës për të kuptuar rëndësinë e informacionit të servirur, mënyrën dhe dobinë e këtij informacioni udhëhequr nga qeverisje dhe menaxhim i mirë i strukturës organizative lidhet me vendosjen e një standarti të lartë të mënyrës sesi biznesi përmbush kërkesat konsumatore dhe ato që rregullojnë veprimtarinë e tij. Shtylla e tretë e përgjegjësisë sociale të korporatës është transparenca.
Parimi i transparencës mund të kuptohet si mundësia që korporata u ofron palëve të treta që të aksesojnë dhe informohen mbi mënyrën e funksionimit dhe aktivitetin e korporatës. Një element i tillë arrihet nëpërmjet raporteve që vetë organizata e biznesit harton lidhur me progresin e veprimtarisë së saj. Transparenca e korporatës, krahas sjelljes së palëve të interesuara dhe publikut të gjerë më afër saj duke u dhënë akses direkt në informacion personave të prekur nga aktiviteti i korporatës, duhet konsideruar edhe si një formë e kontrollit të jashtëm që i ushtrohet korporatës. Së bashku me parimin e qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë, parimi i transparencës mund të shihet si pjesë e një procesi të njohjes së përgjegjësisë së aktivitetit të korporatës në mjedisin e jashtëm si dhe pjesë e procesit të transferimit të pushtetit tek palët e jashtme të interesuara.
Shkaqet kryesore që sollën nevojshmërinë e zhvillimit të përgjegjësisë sociale të korporatës lidhen me sjelljen e varfër të bizneseve përkundrejt konsumatorëve, trajtimit të padrejtë të punëtorëve dhe injorimit të pasojave që veprimtaria e korporatës shkakton në mjedis. Si rrjedhojë, rritja e rëndësisë së përgjegjësisë sociale të korporatave është rezultat i të kuptuarit të faktit se krahas rolit ekonomik korporatat mbartin edhe një rol social. Studimet kanë provuar se përgjegjësia sociale e korporatave lind dhe nga presioni dhe kërkesa e llogarisë e ushtruar nga palët e jashtme dhe konsumatorët mbi çështje që lidhen në mënyrë direkte me aktivitetin e biznesve si ruajtja dhe respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të punonjësve, ruajtja e të miturve nga shfrytëzimi në punë, rritja e ndjeshmërisë për çështjen e mjedisit, menaxhimi i kujdesshëm dhe shfytëzimi me përgjegjësi i burimeve natyrore dhe sidomos atyre që nuk mund të ripërtërihen. Megjithatë, autorët me bindje konstatojnë faktin se ndërgjegjësimi i korporatave ndaj çështjeve sociale, punësimi i individëve të kualifikuar për të kuptuar dhe trajtuar këto çështje si dhe përkushtimi ndaj rritjes së përgjegjësisë sociale të korporatës është një nga faktorët kryesorë që ndikon në rritjen e popullaritetit dhe suksesit të një biznesi. David Croëther dhe Güler Aras janë përqëndruar edhe në aspektin praktik si dhe në evidentimin e implementimit të politikave të përgjegjësisë sociale.
Sipas Komisionit Evropian përgjegjësia sociale e korporatave kupton ndërmarrjen vullnetarisht të një sërë aktivitetesh të cilat dëshmojnë interesin për palët e interesuara, rrjedhimisht, për korporatën ngrihen një sërë sfidash që lidhen me vendosjen e ekuilibrave mes përzgjedhjes së politikave të duhura të përgjegjësisë sociale, ruajtjes së interesave të palëve të interesuara dhe përmbushjen e qëllimeve të veta ekonomike. Ndër çështjet më të diskutuara të përgjegjësisë sociale të korporatës janë pasojat mjedisore të veprimtarisë së korporatës me të cilat përballet bota e biznesit, veçanërisht, korporatat që veprojnë në nivel ndërkombëtar. Pasojat mjedisore nga veprimtaria e korporatës vlerësohen në raport me mënyrën sesi një korporatë ndikon mjedisin nëpërmjet zgjedhjeve të saj, mënyrës së qeverisjes dhe veprimtarisë në mjedis.
Tematika kryesore që theksohet nga autorët lidhet me përgjegjësinë e korporatës/organizatës për të zgjedhur nëse veprimtaria e saj do të ketë ndikim pozitiv apo negativ në mjedis. Veprimtaria e organizatave imponon kosto dhe përfitime ndaj mjedisit të jashtëm, megjithatë, kosto të tilla përjashtohen nga kostot financiare të firmës si rrjedhojë mund të thuhet se janë kosto të jashtme. Nxjerrja jashtë e kostove apo përjashtimi i kostove nga llogaria e korporatave evidentohet të jetë i dy llojeve: në kohë dhe në hapësirë. Nxjerrja jashtë e kostove në hapësirë nënkupton se kostot apo pasojat mjedisore të veprimtarisë së korporatave mund të transferohen nga një palë e interesuar tek një tjetër, apo edhe në persona të tretë në kontakt me këto mjedise. Ndërkohë që transferimi në kohë i kostove kupton faktin se ndikimi negativ i veprimtarisë së korporatave në mjedis mund të mos i shfaq pasojat mjedisore në të tashmen, por këto pasoja shfaqen në brezat e ardhshëm.
Ky fenomen konsiderohet edhe si efekti i përkohshëm i transferimit të kostove. Pra, korporatat duhet të kenë parasysh efektin e transferimit të kostove gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre duke drejtuar politikat dhe strategjitë në drejtim të shmangies së këtij efekti dhe mos aplikuar masa të cilat japin zgjidhje dhe sjellin pasoja pozitive momentale për të gjeneruar efekte negative mjedisore në të ardhmen. Një shembulli të tillë autorët i referohen prodhimit të energjisë nëpërmjet fuqisë nukleare e cila është një zgjidhje momentale në përgjigje të ngrohjes globale, por duke injoruar pasojat e ardhshme negative ndaj mjedisit dhe popullsisë.
Korporatat dhe grupet e interesit
Sipas përkufizimit të përgjegjësisë sociale të korporatës, një tjetër element i rëndësishëm rezulton janë përsonat e interesuar. Në rastin konkret, personat e interesuar apo grupi i interesit janë ata subjekte me të cilët korporatat hyjnë në marrëdhënie dhe që ndikojnë në funksionimin dhe përmbushjen e veprimtarisë së tyre si dhe ata subjekte të cilët preken nga veprimtaria e ushtruar nga korporatat. Me palë të interesuara nënkuptohen konsumatorët, investitorët, aksionerët, punonjësit e korporatës, qeveria, shoqëria në kuptimin e gjerë dhe komuniteti ku vepron korporata.
Për shoqëritë që marrin përgjegjësi sociale, në rastin e personave të interesuar, gjen zbatim “Teoria e Personave të Interesuar”. Thelbi i kësaj teorie konsiston në sjelljet që njihjen korrente nga pikëpamja e moralit dhe etikës. Sipas kësaj teorie një shoqëri e cila merr përgjegjësi sociale në fokus të vendimmarrjeve të veta duhet të ketë interesat e palëve të interesuara dhe komunitetit ku dhe ndaj të cilit vepron. Parimi bazë i teorisë është evidentuar të jetë rritja e zhdrejtë dhe mungesa e propocionit të drejtë mes maksimizimit të fitimit për korporatën dhe realizimit të interesave më të larta të komunitetit. Në këndvështrimin e autorëve bëhet një paralelizëm mes marrjes së përgjegjësisë sociale ndaj shoqërisë dhe komunitetit dhe kontratës sociale sipas teorisë së Rusoit. Në mënyrë që një korporatë të angazhohet në marrjen e përgjegjësive sociale ndaj komunitetit duhet që korporata të shkoj përtej realizimit të ngushtë të interesave të saj.
Në botën e sotme moderne duket se idetë e teoricienëve për krijimin e një kuadri ligjor rregullator në mbrojtje të interesave të palëve të interesuara ka funksionuar që derivon jo vetëm nga detyrimi moral i korporatave që marrin përgjegjësi sociale por edhe nga vetë ligji i vendit apo vendeve ku ushtrojnë aktivitetin.
Nëse në rastin e investitorëve dhe aksionerëve të korporatës janë interesat dypalëshe ato që bëjnë korporatën të marrë përgjegjësi sociale ndaj këtyre palëve, në rastin e konsumatorëve si dhe publikut të gjerë e palëve të cilat nuk zgjedhin të hyjnë në marrëdhënie direkte financiare me korporatat, përgjegjësia sociale e korporatës rrjedh dhe si një detyrim ligjor në rregullimin e veprimtarisë shumëdimensionale të shoqërive dhe korporatave që veprojnë në industri të ndryshme. Dhe pse menaxhimi i riskut vlerësohet si një çështje e brendshme e korporatës përfshirja e palëve të interesuara në veprimtarinë e organizatës ndikon pozitivisht në evidentimin e shkaqeve të riskut dhe reduktimit të tij. Ndikimi i palëve të interesuara në identifikimin dhe menaxhimin e riskut vlerësohet e lidhur ngushtë me marrëdhënien e investimit mes korporatës dhe palëve të treta.
Ky proces paraprihet nga analiza e investimeve si një proces financiar i identifikimit dhe vlerësimit të riskut dhe kostove. Nëpërmjet identifikimit të këtyre risqeve korporata e ka më të lehtë në hartimin e metodologjive dhe stategjive për menaxhimin dhe reduktimin e riskut. Duke qenë se parimet kryesore të përgjegjësisë sociale të korporatës diktojnë nevojën për një zhvillim të qëndrueshëm, ky proces lidhet në mënyrë të pazgjidhshme me çështjet mjedisore sikurse përcaktohet edhe nga Raporti Brundtland. Në fakt, qëndrueshmëria e korporatës vlerësohet të jetë e lidhur ngushtë me jetëgjatësinë e një korporate dhe rezistencën e saj në treg duke marrë përgjegjësi sociale në raport me çështjet mjedisore nëpërmjet përdorimit me efikasitet të burimeve natyrore dhe rritjen e efikasitetit si rezultat i zhvillimit teknologjik.
Në analizën e faktorëve që ndikojnë në zhvillimin e përgjegjësisë sociale të korporatës studiuesit evidentojnë edhe riciklimin, etikën, performancën e korporatës, globalizimin, strategjitë e ndjekura në vendimarrjen e korporatës si dhe mënyrën e qeverisjes së korporatës. Si dhe për qëndrueshmërinë, koncepti i riciklimit të marrëdhënies së korporatës me çdo palë të interesuar zbatohet në mënyrë të njëjtë. Ndërsa përsa i përket etikës, një faktor që prodhon efekte direkte dhe pozitive në rritjen e efikasitetit e produktivitetit dhe reputacionit të biznesit, ky element vlerësohet në raport me sjelljen dhe organizimin e korporatës në bazë të rregullave ligjore, morale dhe etike që kërkojnë nga biznesi reflektimin e parimeve të caktuara në përmbushjen e pritshmërive minimale të sjelljes në komunitet, duke sjellë për korporatën detyrimin për të ruajtur dhe rritur standartin etik. Lidhur me performancën e korporatës e cila vlerësohet në kompleksitet evidentohet se ka ndikim marrja përsipër nga korporata të përgjegjësisë sociale dhe mjedisore, duke qenë se perfomanca sociale është indikator i drejtpërdrejtë i përgjegjësisë sociale të korporatës dhe ndihmon për një vendimmarrje efikase si dhe menaxhim më të mirë e rritje të përfitimeve.
Efektet e globalizimit
Ndër faktorët që ka patur një rol të rëndësishëm në zhvillimin dhe rritjen e ndjeshmërisë së korporatave përkundrejt përgjegjësisë sociale të korporatës cilësohet të jetë dhe globalizimi duke sjellë për korporatat rritjen e angazhimit të tyre për përgjegjësitë sociale për shkak të pasojave direkte që globalizimi ka sjellë ndaj biznesit si rritja e konkurencës, rrjedhja e informacionit, qarkullimi i fondeve financiare, adaptimi i teknologjive të reja dhe nevoja për një rregullim ligjor e krijimin e mekanizmave në nivel ndërkombëtar. Në përmbushje të detyrimeve etike dhe implentimin e politikave për marrjen e përgjegjësive sociale, korporatat angazhohen në hartimin e strategjive për përmbushjen e objektivave. Menaxhimi i një korporate, pjesë integrale e qeverisjes së përgjithshme të një korporate, është detyrë thelbësore e individëve që ngarkohen me këtë përgjegjësi jo vetëm në drejtim të mbikëqyrjes se personelit por edhe në arritjen e objektivave kryesore të organizatës.
Qeverisja e mirë e një korporate konsiderohet jetësore për përcaktimin e jetëgjatësisë së korporatës në treg për faktin se nëpërmjet këtij procesi arrihet përmbushja e synimeve kryesore të tregut. Përfitimet që i vijnë korporatës nga qeverisja e mire janë të shumta dhe konkretisht: krijimi i vlerave të qëndrueshme, evidentimi i mënyrave për arritjen e qëllimeve, kënaqja e palëve të interesuara, rrija e efikasitetit në menaxhim, rritja e besueshmërisë, menaxhimi më efikas i riskut, ruajtjen e balancave midis interesave ekonomike dhe atyre sociale. Së fundmi, vlen të theksohet se angazhimi i korporatave në politikat e përgjegjësisë sociale është indikator suksesi si në drejtim të rritjes së popullaritetit e besueshmërisë si dhe të përgjegjshmërisë sociale për çështjet mjedisore dhe të drejtat e njeriut por dhe në drejtim të rritjes së performancës ekonomike si rezultat i realizimit në rritje të të ardhurave.