Gjatë një tryeze pune të organizuar nga KQZ u prezantua Platforma Elektronike për Raportimin Financiar për forcimin e monitorimit të financimit të partive politike dhe transparencës së fondeve në fushatë. Kreu I KQZ-së, Ilirjan Celibashi u shpreh se kjo platforma do kontribuojë në mbikëqyrje efikase.
“Projekti i digjitalizimit mbetet nje nga projektet më të rëndësishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Në thelb synohet mbështetja e KQZ për raportimin dhe monitorimin e financimit të partive. Platforma nuk është mekanizmi që zgjidh problemin me financimin e partive, por ndihmon administrimin dhe mbikëqyrje efikase”, tha Celibashi.
E pranishme në këtë tryezë ishte edhe ambasadorja e BE në Shqipëri, Christine Hohmann. Ajo tha se kjo platformë u jep forcë qytetarëve duke u ofruar atyre më shumë transparencë dhe mundësi për të luftuar korrupsionin. Diplomatja e BE-së tha se kjo qasje shton transparencën dhe përmirëson demokracinë e vendit.
Gjithashtu në takim janë prezentë edhe organizata dhe përfaqësuese të shoqërisë civile, të cilat kanë në fokus monitorimin e zgjedhjeve në vendin tonë.