Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në një intervistë pas Ministerialit të NATO-s është ndalur në procesin e gjyqit që po zhvillohet në Hagë ndaj ish-liderëve të UÇK-së për krime lufte. Xhaçka theksoi se udhëheqësit dhe komandanti i një lëvizjeje për çlirim po akuzohen padrejtësisht si kriminelë lufte.
Ministrja tha se, për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi.
Ajo u shpreh se, “si të gjithë bashkëkombësit tanë në Kosovë, Shqipëri dhe kudo nëpër botë, ne kërkojmë drejtësi. Jo që dikush të jetë mbi ligjin, por që të shihen faktet dhe të hiqet njolla e padrejtë e turpit nga lufta heroike e Kosovës për pavarësi. Dhe të mos harrohet se krime lufte, vrasje civilësh në masë, varre masive ende të pazbuluara, përdhunime, tortura, zhvendosje të detyruara, janë kryer prej regjimit të Millosheviçit. Për këto krime duhet drejtësi e vërtetë, duke përfshirë zbulimin e vendndodhjeve të të gjitha vendeve të varrimit”.
Xhaçka nënvizoi se dialogu Kosovë-Shqipëri duhet zbatuar për të lënë pas të kaluarën tragjike.
“Kjo është pjesë e angazhimeve të dialogut Kosove-Serbi të cilat duhen zbatuar tërësisht, në mënyrë që të lemë pas të kaluarën tragjike dhe të shohim nga e ardhmja e përbashkët evropiane. Shqipëria po bën përpjekje këmbëngulëse që drejtësia të vihet në vend. Dhomat e specializuara për Kosovën u ngritën pas Rezolutës së vitit 2011 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila siç e përmenda përfshiu akuzat e pambështetura në asnjë fakt e në asnjë provë të një reporteri të Këshillit të Evropës, për trafikun e organeve njerëzore”, tha Xhaçka.
Ajo shtoi se, Kuvendi ynë miratoi para rreth një viti një rezolutë ku konsideroheshin të pabaza këto pretendime dhe kërkohej që Asambleja Parlamentare e Këshillit te Evropës të rishikojë rezolutën e miratuar prej saj.
“Kryeministri Rama e paraqiti me forcë, me argumente e me pasion këtë kërkesë në një fjalim historik para Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, tha Xhaçka.
Ministrja Xhaçka e ka cilësuar futjen e Finlandës në këtë aleancë si një moment historik dhe mesazh të fortë ndaj Rusisë dhe agresionit të saj të paligjshëm në Ukrainë.
“Fokusi kryesor i diskutimeve tona ishte mbi kërcënimet kryesore të cilat prekin sigurinë e zonës Euro-Atlantike dhe mbështetja afatgjatë për Ukrainën dhe të drejtën e saj për vetëmbrojtje. Nënvizova rëndësinë e bashkëpunimit NATO-BE, veçanërisht në rajonin tonë dhe në këtë kontekst vlerësova arritjen e marrëveshjes së 18 marsit mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe rolin ndërmjetësues të BE-së dhe SHBA-së për arritjen e saj”, tha Xhaçka.