Kreu i PD-së zyrtare Lulzim Basha në strategjinë për tu konsideruar si “politikan ndryshe”, po reagon duke akuzuar se Rama, Berisha dhe Meta janë bashkë në afera korruptive. Pasi u zgjodh kryetar i PD-së zyrtare, Basha kërkon rikthimin në partinë e tij të të djathtëve që kanë ikur tek Berisha.
Kreu i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, po kërkon të ngrejë një “kullë politike” të tijën, duke tentuar shkëputjen nga treshja kryesore politike, Rama-Berisha-Meta. Në një postim në rrjetin social, Facebook, Basha shkruan se shqiptarët e kanë të qartë se pas fasadës së “betejës” sa për sy e faqe të qeverisë me nongratat, qëndrojnë interesa multi-milonëshe që kanë joshur dhe ushqyer llumin e hedhur gjithë këto kohë ndaj Partisë Demokratike. “Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk e fshehin dot bashkëpunimin e dukshëm dhe të padukshëm me Sali Berishën. Kullat dhe përfitimet nga qeveria nuk mund të fshihen as pas betonierave anonime dhe as pas hartimeve gjasme të inatosura që i postojnë njëri-tjetrit në FB”-shkruan Basha, duke iu referuar lejes së një kulle në qendër të Tiranës pas së cilit aludohet se fshihen interesa financiare të Berishës dhe familjes së tij. Për këtë çështje pak ditë më parë reagoi kryeministri Rama duke e cilësuar shpifje të ulët që sipas tij nxitet nga ata që pas gjumit të gjatë tentojnë të rikthehen në politike. “Fillimisht një grupth që endet nëpër Tiranë me misionin e shpëtimit të Shqipërisë nga murtaja kapitaliste, u mblodh tek rrethimi i kantierit për të vënë kujën e tij karakteristike të kundërshtisë qorre, duke hedhur pjesën e vet të baltës rreth hurit të mullarit të ri, ku shumë shpejt nxituan të turren plot nga të zakonshmit e këtyre rasteve; ca të pagjumë nga drejtësia e re që po u rrethon trojet e xanuna të jetës së tyre publike pa atdhe, din e iman; ca të vrerosur nga dështimet e njëpasnjëshme të revolucioneve të dhunshme, që i plakën kanal më kanal e portal më portal, po s’erdhën kurrë; ca me vulë, ca pa vulë e ca me vulëasvulë, mes të cilëve edhe ndonjë derdimen i sapozgjuar, me bluzën e jeshilosur nga djersa e gjumit të stërgjatë, ama me flokët pikë, njësoj si në çastin kur u zhduk nën jorgan në hyrje të verës së shkuar, plus ndonjë pinjoll i përcëlluar, si thëngjill ende i pazbuluar në nëntokat e xanuna, po edhe ndonjë tjetër akoma, pa lidhje fare me këta, që i’u turr projektit të kullës, si të ishte hartë e vjetër romake që të çon tek zbulimi i një thesari, krijuar këtë herë nga një konspiracion i madh financiar, me prapavijë konsensuale politike, i cili orkestrohet nga kush tjetër, përveçse nga unë dora vetë, që u hidhkërkam kocka kundërshtarëve nga frika se mos më kafshojnë me gojën e tyre të mosozotshme, ku thuajse s’ka mbetur asnjë dhëmb”-mbajti qëndrim Rama. Por kjo situatë nuk është lënë me kaq nga Basha I cili dje theksoi se betejën do e vijojë edhe ligjërisht, duke denocuar “kullën e korrupsionit” sipas tij në SPAK. “Ne jemi po ashtu të qartë e të vendosur në qëndresën tonë të pakompromistë ndaj tentakulave të krimit në qeverisje dhe korrupsionit e arrogancës në kurriz të qytetarëve. Për inceneratorët e qeveritarëve dhe kullat e bashkëpunimit me nongratat si dhe për çdo akt tjetër korruptiv, ne inkurajojmë SPAK të hetojë dhe të nxjerrë përpara drejtësisë çdokënd që ka përgjegjësi për zhvatjen që po i bëhet shqiptarëve”-shkruan Basha.
Basha i lexueshëm
Menjëherë pasi u zyrtarizua kryetar i PD-së zyrtare, Lulzim Basha ka nisur një betejë publike nëpërmjet daljeve mediatike që të “vetëveçaohet” fillimisht nga Berisha, duke ndarë përgjithnjë hesapet politike me të. Ndërsa me Berishën tashmë dukshëm kaluan nga miq në armiq, Basha me partinë e mbetur po përpiqet të quhet “opozitë e vërtetë”. Demokratëve po u shet idenë se do jetë “vetvetja” tani që nuk ka influencuesin Berisha, duke e quajtur veten kryetar I pandikueshëm. Me këtë nismë tregon se kryesorja për të në këto momete është që të gjithë dështimin në tetë vite si kryetar I PD-së tia faturojë Berishës, pasi ai ishte “de facto” kryatar. Betejë të gjatë ka për të tërhequr demokratët përreth vetes të cilët qartësisht në zgjedhjet lokale bënë zgjedhjen dike anuar më shumë nga Berisha. Nga ana tjetër Basha po kërkon të shtrihet më gjerë, duke artikuluar se që të tre kundërshtarët Berisha, Rama dhe Meta janë bashkë. Ai gjithashtu po kërkon të jetë “mbi ta” duke denocuar disa raste korruptive sipas tij dhe përkrahur SPAK në hetime. Në këtë mënyrë edhe ndërkombëtarisht Basha po kërkon një oaz që të mbesë në protagonizmin politik që gjithsesi është dominant në anën tjetër me fuqinë elektorale që kanë si Rama ashtu edhe Berisha./K.B