Në SHBA pritet që sot të nisë gjyqi për një nga personazhet kotrovers, ish-zyrtarin e nivelit të lartë të FBI, Charls McGonigal, i akuzuar për lidhje me oligarkët rusë, por edhe disa udhëtime të dyshimta në Shqipëri, mes të cilës është edhe një aferë prej 225 mijë dollarësh të marra nga “personi A”. Për herë të parë gazeta ngre dyshimin se McGonigal është shprehur gjatë hetimeve se ishte autorizuar nga FBI për takimet me Ramën…
Gazeta prestigjioze amerikane, New York Times, i ka kushtuar një artikull të gjatë ish-agjentit të FBI-së, Charles McGonigal, i cili pritet të dalë ditën e sotme para gjykatës. “Një nga agjentët e rangut më të lartë të FBI-së që mund të dënohet për një krim”, shkruan media amerikane, duke shtuar se: “Ai është planifikuar të dalë të martën në gjykatë në Neë York ku pritet të pranojë fajësinë në lidhje me akuzat se ka punuar për oligarkun rus të saksionuar nga SHBA, Oleg Deripaska.” Sipas NYT, rasti ka ngritur pyetje shqetësuese në lidhje me aftësinë e FBI-së për të zbuluar korrupsionin brenda radhëve të saj. Sipas prokurorëve McGonigal udhëtoi shumë, gjatë kohës që ishte në zyrë, duke u takuar me zyrtarë të huaj dhe biznesmenë, të cilët, në pamje të parë, nuk kishin asnjë lidhje me punën e tij. Agjentëve u kërkohet të raportojnë kontakte të tilla dhe transaksione të caktuara financiare dhe të bëjnë teste të zbulimit të gënjeshtrës, por byroja mbështetet shumë në integritetin e njerëzve që ka vendosur në pozicione të besuara. Për më shumë se tre vjet, hetimi nuk ka prodhuar deri më tani asnjë provë se McGonigal u ka dhënë sekrete të sigurisë kombëtare rusëve ose dikujt tjetër, sipas zyrtarëve amerikanë që kërkuan të ishin anonimë. Drejtori i FBI-së, Christopher A. Wray, tha se akuzat demonstruan “gatishmërinë e FBI për të hedhur dritë mbi sjellje krejtësisht e papranueshme, përfshirë edhe kur është një prej njerëzve tanë.” Midis dy aktakuzave, McGonigal akuzohet për fshehje të detajeve të financave dhe aktiviteteve të tij jashtë shtetit, shkelje të sanksioneve të SHBA-së dhe pastrim parash. Disa akuza mbartin dënime të mundshme me burg deri në 20 vjet. Gjithashtu shkruhet se McGonigal kishte pranuar para nga një ish-oficer i inteligjencës shqiptare, Agron Neza dhe kishte filluar të punonte me Deripaskën. Ai u njoh me biznesmenin shqiptar gjatë një darke në Manhattan në 2017. Agron Neza jeton në Leonia, N.J., dhe njihet si “Personi A” në aktakuzën e Uashingtonit. Neza kishte punuar në Shërbimin Informativ Shtetëror Shqiptar përpara se të transferohej në Shtetet e Bashkuara. Në gusht 2017, sipas prokurorëve, McGonigal u propozoi atyre të bënin marrëveshjen e tyre, në të cilën Neza do t’i jepte hua 225.000 dollarë kesh. Prokurorët nuk kanë treguar pse McGonigal i duheshin ato para ose çfarë mund të ketë rënë dakord të bënte në këmbim. Ndërkohë në artikullin e New York Times përmenden edhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. “Ai u miqësua me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama dhe e përdori pozicionin për të mbështetur bizneset e huaja të bashkëpunëtorëve të tij, sipas aktakuzës së ngritur kundërt tij në Ëashington”, raporton NYT. Ndërsa artikulli vazhdon: “Në një rast, McGonigal hapi një hetim në FBI për një lobim të rivalit kryesor politik të kryeministrit shqiptar, thanë prokurorët. Nga ana tjetër, prokurorët shtuan, se ai ndihmoi në sigurimin e një licence për shpime nafte për të përfituar Agron Neza dhe të tjerë.” Ka pasur disa tregues se FBI ishte në dijeni të marrëdhënieve të tij me shqiptarët. Sipas dy personave që folën me të, McGonigal tha se “FBI më ka autorizuar t’u drejtohem kontraktorëve amerikanë për të punuar me Ramën për të ndihmuar në reformimin e qeverisë shqiptare, e cila ishte rrënuar prej kohësh nga korrupsioni dhe joefikasiteti”. Në janar 2021, agjentët e FBI-së arrestuan McGonigal në aeroportin Kennedy teksa kthehej nga një udhëtim pune në Sri Lanka. “Ai u bë një personazh i famshëm në Shqipëri, ku kundërshtarët e Ramës dhe mediat e quajtën atë “çështja McGonigal”,”- shkruan New York Times. Tani, zoti McGonigal, 55 vjeç, duket se do të bëhet një nga agjentët e rangut më të lartë të F.B.I që do të dënohen ndonjëherë për një krim. Ai është planifikuar të paraqitet në gjykatën federale në Nju Jork të martën për një pranim të mundshëm fajësie në rastin që përfshin z. Deripaska dhe është në bisedime për të zgjidhur një aktakuzë të ngritur nga prokurorët federalë në Uashington. Derisa të finalizohet ndonjë marrëveshje, ajo ende mund të prishet dhe zoti McGonigal, i cili deri më tani është deklaruar i pafajshëm, mund të shkojë në gjyq./K.B