Kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri ka reaguar nga qelia e burgut duke akuzuar Ramën se ka ndikuar për arrestimin e tij politik me qëllim “grabitjen e pronave në Himarë”. Gjithashtu Beleri vetëquhet “luan që dallohet nga thoi”, ndërsa e fton kryeministrin në duel deklaratash. Pse u trimërua Beleri nga burgu dhe a po kërkon vëmendje të shtuar, sidomos nga Greqia?
Gati në një ekstazi trimërore, Fredi Beleri, i arrestuar më 12 maj për akuzën e “korrupsionit aktiv në blerjen e votave” ka reaguar ndaj qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama. Në një postim në rrjetet sociale, Beleri shkruan gjatë dhe më një “shqipe të pangatërruar” duke hedhur dyshime se ka pasur një redaktor serioz para botimit, i kujton Ramës fjalë të urta greke, me qendër luanin… “I miri” Edi Rama i referohet një fjale të urtë shqiptare duke kërkuar “të mos digjet jorgani për një plesht”. Më lejoni t’i them një fjalë të urtë greke: “luani dallohet edhe nga thoi”. Nuk nevojitet të shohim shumë. Nga ajo që ka bërë kryeministri Rama në rastin tim, mund të nxjerrim konkluzione të vlefshme për gjendjen e përgjithshme të drejtësisë dhe shtetit ligjor në atdheun tim Shqipëri”-shkruan Beleri. Qëndrimet e tij vijnë dy ditë pas protestës që u mbajt në Himarë për lirimin e tij, ku veç të tjerëve morën pjesë edhe dy kryebashkiakë grekë, ai i Athinës dhe i Selanikut. Kjo situatë e ka aktivizuar më shumë Belerin duke shpresuar në presionin që vjen nga Athina zyrtare për një lirim të mundshëm të tij. Tashmë çështja trajtohet si politike nga Greqia dhe opozita këtu në Shqipëri, por për kreun e qeverisë është “mirëfilltas çështje drejtësie”. Pavarësisht këtyre agumenteve pro dhe kundër, Rama u “detyrua” të jepte një shpjegim të gjatë për çështjen Beleri, pas gati tre muajsh injorim. Kryebashkiaku i zgjedhjes në Himarë, Fredi Beleri i është përgjigjur nga burgu kryeministri Edi Rama, pasi ky i fundit kërkoi që të respektohen vendimet e gjykatës shqiptare. ““I miri” Edi Rama flet për problemet që ekzistojnë në të gjithë Shqipërinë me të drejtat e pronësisë. Ai padyshim nuk e di që adashi i tij kryeministër, Edi Rama, nga e gjithë vija bregdetare e Shqipërisë, ka caktuar vetëm Himarën si zonë investimesh strategjike për turizmin. Në Himarë grabiten pronat e grekëve, jo në zona të tjera të Shqipërisë. Vetëm në Himarë kemi “investitorë strategjikë” që rezulton të jenë të gjithë miq të kryeministrit Edi Rama…”, shkruan Beleri. Gjithashtu Beleri ndalet edhe tek një tjetër çështje, për të cilën thotë se Shqipëria nuk e pranon faktin që në Himarë jeton një minoritet grek, duke shtuar se ngritja e flamurit grek është një e drejtë që ka ndodhur që nga krijimi shtetit shqiptar dhe ka qenë kusht që Shqipëria të njihet nga Lidhja e Kombeve. Duke përfunduar, “i miri” Edi Rama thotë le të lemë drejtësinë të bëjë punën e saj e pashqetësuar. Le t’i thotë pastaj kryeministrit Edi Rama të më lërë të betohem si kryetar bashkie. Kjo nuk është punë e drejtësisë. Është vendim i drejtorit të përgjithshëm të burgjeve. Po pres Edi Rama!”-përfundon Beleri. Në fakt ai ia arriti qëllimit që fillimisht për të të mblidheshin në protest ca dhjetaëra qytetarë të Himarës dhe c zyrtarë të vendit fqinj, por mbi të gjithë për të shkroi Rama… Këtë zjarrth të ndezur Beleri kërkon ta mbajë gjallë, duke ftuar Ramën që të merret me të, ndoshta edhe me shpresën që ai ti kthehet ashpër dhe Beleri të “viktimizohet” se po sulmohet vetëm se është pjesë e miniritetit grek. Po dje deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi në një deklaratë për mediat foli për çështjen ‘Beleri’ dhe protestën e zhvilluar të hënën në Himarë për lirimin e tij. Bylykbashi u shpreh se Fredi Beleri ka të gjithë të drejtën që të bëjë betimin e tij si kryebashkiak i Himarës, teksa shtoi se zgjedhja e tij nga himarjotët i prishi planet kryeministrit Edi Rama. Sakaq ai argumentoi se është parim themelor i OSBE-së që një i zgjedhur duhet të fillojë ushtrimin e detyrës pa asnjë vonesë./KB