Sefer Pasha
Më datën 6 gusht 2003 u mbushën njëzet vjet nga vrasja e kolonelit të hekurt Gani Malushit. Udhëtoj në viset e Tropojës ku vendosi rendin trimi i rrallë. Më duket sikur nuk jam në Tropojë, por në ndonjë vend tjetër. Nga turistët nuk ke se ku të hedhësh kokrrën e mollës. Tropoja është bashkuar me Plavën e Guxinë. Pas 20 vjetësh të vrasjes së Gani Malushit të udhëtosh nëpër Tropojë që nga Qafa e Prushit e deri në ish piramidën 18 nga ku duken në Vuthaj kullat e Rexhep Qoses mbetesh i befasuar. Është tjetër jetë e ka të tjera pamje. Nuk dëgjon si dikur krisma topi e kallashnikovi. Askush nuk vrapon për të blerë në qytet qumësht e bukë. Në spital nuk ka të vrarë e të plagosur. Edhe të sëmurët janë me kokrra. Nuk ulen e ngrihen më helikopterët për të transportuar të plagosurit për në Spitalin e Traumës në Tiranë. Nuk ka gjithashtu vjedhje të bankës. Rrogat nuk vijnë më me eskorta të Forcave të Ndërhyrjës së Shpejtë. RENEA nuk duket më rrugëve të Bajram Currit. Bandat e hajdutëve nuk vjedhin në fshatarat e Malësisë së Gjakovës. Edhe udhët kanë ndryshuar. Është asfaltuar rruga në Grykën e Valbonës. Një rrugë e re është hapur për në Plavë e Guxi. Nuk ka ndryshuar vetëm vendi ku pushonte Dervishi i Luzhës. Tek ish piramida 28 kur kthehej nga Vuthajt pushonte Dervishi i Luzhës. Udhëtarët aty hedhin lekë. Edhe kur shërbente Gani Malushi. Ato lekë që janë letër i merr era dhe bëhen humus, kurse monedhat aty janë. Edhe hajdutët më të mdhenj lekët e vendit ku pushonte Dervishi i Luzhës nuk i zënë me dorë. I ruhen mallkimit të Dervishit.
Kam ardhur në ish postën e policisë së Valbonës. Me vete kam librin “Gani Malushi legjendë mbeti”. Ulem në zall të lumit të Valbonës dhe sjell në mendje një takim me Gani Malushin. Për vendosjen e rendit koloneli më ngarkoi me detyrë që të qëndroja tre muaj në Luginën e Valbonës për të vendosur rendin qysh nga Dragobia e deri në Rragam. Ishte thatësirë dhe nuk kisha ku të lahesha. Lumi shteronte çdo ditë dhe unë për tu larë merrja çantën dhe gjurmoja zallin, ku gjatë natës Valbona fshihej thellë në zall dhe e nxirte “kokën” në mëngjes. Ujë që fshihej nën zeje luante “lojën” me mua. Ishte një lloj “teatri” i vet natyrës. Kështu unë çdo mëngjes e kërkoja “syrin e kaltër” drejt Dragobisë. Mbi një shkëmb gri Kolonelit Gani Malushit ja tregova çudinë. Një mëngjes tek po kërkoja të shikoja “brirët” e lumit që vdiste dhe ngjallej pashë që mu lagën këmbët. Kthej kokën. Lumi i Valbonës po vinte nga pas meje. Kishin rënë shirat në majat e maleve dhe lumi kishte dal në shtratin e tij. Më kishte zënë dimri. Rendi qe vendosur.
Pa ardhur Gani Malushi në Tropojë udhëtohej me makina të blinduara. Lëvizjet bëheshin vetëm ditën. Natën mund të bije në pritat e të tjerëve, që kishin hesape për të larë. Tregëtoheshin me fitime të majme jelekët antiplumb, kallashnikovët dhe pistoletat “Zastava’’. Çdo të djel në Dragobi bëhej dhe një panair për shitjen e armëve. Tregëtarët e armëve ishin nga Mali i Zi, nga Tirana e Kosova. Kam shkuar tek ky panair pa ardhur Gani Malushi. Në livadhin përpara fshatit Dragobi trafikantët e armëve, buzë lumit të Valbonës, kishin ngritur tezgat e bëra me hashra ahu. Jam habitur me gjuhën e trafikantëve të armëve. Në fjalorin e tyre nuk përdoreshin fjalët: – Sende nga Shpella e Dragobisë, varse floriri, kaseta me këngë, lahuta, apo xhubleta. Jo. Nëpër tezaga dëgjoheshin të thirruart: – Mitroloz, Pistoleta të markave të ndryshme, Antitank, 12.7., thika, hanxhar, helmeta, Kundër Ajror, Mina e fishek për të gjthë llojet e armëve. Mbi Dragobi ishte dhe një livadh që shërbente si poligon për të provuar saktësinë e armëve që shiteshin. Provoheshin dhe predhat e topave 75 milimetra pa zbrapsje. Bëhej luftë. E habitëshme i thashë vetes. Vetëm një herë në karierën time kisha bërë qitje me top. Ku të linte shteti të harxhoje predha kot së koti!. Përfundoje në burg. Tani në Dragobi ka më shumë predha topi sesa zall në brigjet e lumit të Valbonës. Ky nuk ishte panair për të fuqizuar ekonominë, por një treg ku shitej e blihej “mall’’ për tu mbrojtur dhe për të vrarë njerëz.
Që nga 7 gushti i vitit 2003 kur u vra Gani Malushi rendi ka ndryshuar për mirë. Jo, se nuk ka probleme. Shpesh dëgjojmë në lajme për vrasje makabre nëpër Shqipëri. Por në Tropojë gjej një qetësi, që pas kaq vitesh më ngjall emocione. Këto ditë i kam parë me sytë e mi grupe turistësh që ngjiten drejt Majës së Hekurave, në Valbonë, Ujezë, në Lumin e Gashit e në Çerem. Udhëtojnë natën e i ngrenë çadrat nëpër bjeshkë. Përpara bustit të Bajram Currit rri dhe mendohem nën vapën përvëluese. Shfletoj bllokun e kujtesës nga lufta që bëri Gani Malushi për vendosjen e rendit të dërrmuar qysh pas vitit 1977 si dhe gjatë luftës për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb. Për lexuesit e gazetës po përcjell motivet e tregimeve dramatike të asaj periudhe kur komisar Gani Malushi la gjurmë të arta në kujtësn e popullit të Tropojës.
Qyteti i Bajram Currit mirëpret ardhjen e Komisar Gani Malushit për vendosjen e rendit.
Qyteti i Bajram Currit është në ankth. Herë pas here dëgjohen krisma. Tropojanët lëvizin si nëpër një ciklon. Me vrap për të blerë bukën, qumështin dhe ushqimet nëpër dyqane. Fërshëllimat e plumbave i terrorizojnë. Më keq e kanë ata qytetar që çojnë të sëmurët në spital. Shetitorja kryesore dhe rrugët janë të boshatisura. Askush nuk shkon në punë. Ligjin e bëjnë kriminelët që lëvizin me shpejtësi me makina të blinduara e me xhama të zinj. Ata nga “frëngjitë” e makinave qëllojnë kot më kot e ngjallin panik. Tropoja si në qytet dhe në fshat është në gjëmë. Dal nga komisariati dhe qyteti më ngjan si një varrezë me pallate. Kafenetë janë bosh. Të gjitha perdet e grillat janë të mbyllura. E vetmja tregëti që sjell fitim është ajo e bërjes së dyerve të hekurt. Të gjithë qytetarët janë të armatosur. Edhe lëvizjet nëpër qytet bëhen me kallashnikov. Poshtë monumentit të Bajram Currit më pret Fatmir Haklaj, Jaho Saliu dhe Feriz Kërnaja. Ata edhe pse janë pjesë e efektivit të komisariatit të Tropojës nuk paraqiten në detyrë. Fatmir Haklaj më pyet nëse e njihja Gani Malushin. Ai kishte dëgjuar në stacionin e “Zërit të Amerikës” se komisar Gani Malushi vinte shef i komisariatit të Tropojës. Unë iu përgjigja se nuk kisha asnjë lloj njohje me Gani Malushin dhe se asgjë nuk kisha dëgjuar për të.
Komisar Gani Malushi këmbëngul që në Tropojë të kthehet kënga dhe zogjtë e arratisur nga gjëmimet e armëve
Në stolat përpara komisarjatit ku ishte një kafene e Fatmir Haklajt isha ulur me Gani Malushin. Ai kishte pak ditë që kishte filluar detyrën e re. Më tregonte se po këmbëngulte fort që në Tropojë të kthehet kënga dhe shpendët e arratisur nga gjëmimet e armëve. Tropoja e ndjeu dorën e tij të hekurt. Por nuk ishte e lehtë. Qe vakt dreke dhe Gani Malushi më pyeti se çfarë kishte në mencen e policisë. Ju përgjigja se unë kisha ngrënë fasule, pilaf dhe salçiçe gjakove. Ai nuk foli. Të gjithë efektivit i kishte bërë përshtypje se komisar Gani Malushi ishte i vetmi që ushqehej në mencën e policisë. Të tjerët para tij drekonin tek Çarshia e Gjakovës. Gani Malushi po mendohej dhe prandaj e pyeta se çfarë i kishte bërë përshtypje në këto ditë të trazuara? Këtu është një tmerr i vërtetë tha ai me vështrimin e përqëndruar nga mali i Shkelzenit. Katrahurë shtoi aty për aty. Nuk ka më keq kur si në qytet dhe në fshat nuk dëgjon një këngë. Nuk ka festa, as dasma. Të merr malli të dëgjiosh një melodi me çifteli apo një daulle. Si shef i komisarjatit unë kam shumë detyra për vendosjen e rendit. Por po këmbëngul që ta kthej këngën. Në bulevardin para monumentit të Bajram Currit qytetarët të shetisin të lirë. Të iki frika. Është e habitëshme, por në Tropojë nuk ka fshesar. Punëtorët llahtarisen nga plumbat qorr. Kazanët e plehërave janë mbushur me kallashnikov e me granada dore. Por siç të thashë ka shumë rëndësi që të kthehet kënga e Fatime Sokolit dhe vallet tradicionale. Një malësor nga Padeshi, i cili banon në Tropojë më kërkoi që të pushoja krismat e armëve. Në qytetin e Tropojës nuk sheh një zog. Është ndoshta qyteti i vetëm në botë në qiellin e të cilit nuk fluturon asnjë shpend. Duhet të vështrosh me dylbi për të parë nga Majat e Hekurave ndonjë shqiponjë.
Komisar Gani Malushi vështron fshatin Vuthaj ku ka lindur Rexhep Qosja
Komisar Gani Malushi po i bie cep më cep Tropojës. Si ushtarak i mirfilltë që është këtë ai e quan rikonicjon. Por në fakt ai po shkel në “zonat e minuara” ku fshihen kriminelët. Qysh në Rragam më mori me vete. Makinën me shofer Kovashicën e lam në postën e policisë së Valbonës. Me mundime u ngjitëm nëpër bjeshkë deri sa dolëm tek piramida 18. Vendi denbaden është quajtur Qafa e Shelegëve. Mbi piramidën 18 ku ishte një shkëmb i gjerë si aerodrom u ngjitën të dy. Unë fillova t’i tregoj fshatin Vuthaj ku ka lindur Rexhep Qosja. E dija që Gani Malushi e kishte idhull filozofin e madh të Kosovës. Komisari vuri dylbitë dhe vështronte me durim në drejtim të fshatit Vuthaj. Pasataj Gani Malushi më kërkoi që ti tregoja udhën që të nxirte në Luginën e Shalës. Ju përgjigja. Atë zonë e kisha shkelur me këmbë. Ai pasi i hoqi dylbitë më tha se me të vendosur rendin në Tropojë do të shkonim në Bjeshkët e Shalës. Kishte lexuar kujtimet e Rexhep Qoses të përmbledhura tek libri “Tronditja e Shekullit”. Atij i kishin bërë përshtypje sidomos ato që kishte treguar i ati i Rexhep Qoses, i cili qe zhvendosur në mars të vitit 1913 prej Vuthajve në Shkodër. Kalimi qe bërë nëpër Shalë në pikë të dimrit. Në Shkodër i kishte vdekur nëna, babai dhe vëllai i Vetëm. 17 vjet i kaloi në Shkodër.
Komisar Gani Malushi mes luleve dhe minave
Pas 15 ditësh nëpër Luginën e Sylbicajve, të Lumit të Gashit e të Burimit të Çek Hasanit takohem me Gani Malushin në postën e policisë së Çeremit në kreshtën, ku është piramida 19 – të. Gani Malushi e ka vendosur rendin në Tropojë. Shqetësimi i kohëve të fundit janë për komisarin dëmet që po shkaktojnë minat e vendosura nga serbët gjatë gjithë vijës së kufirit. Ka viktima në njerëz dhe në gjenë e gjallë. Dëme po bëhen sidomos mbi tufat me derra të egër. Era e kufomave ndihet që larg. Kjo është arsyeja që Gani Malushi ka ardhur në fshatin Çerem. Pasi i raportova për gjendjen në kufi, që nga Padeshi e deri në Çerem, u ulëm afër piramidës 19– të.
-Ka dëme në njerëz? – tha Gani Malushi.
-T’i kam dërguar informacionet me shkrim, – iu përgjigja.
-I kam lexuar, – u shkoqit ai. Desha të di për ndonjë ngjarje të freskët?
-Ka tre plagosje me mina në Sylbicaj, – e sqarova. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore në Bajram Curri dhe janë kthyer sërish në stane.
-Po në bagëti?
-Tek kreshta e Lumit të Gashit një bariu i kishte rënë e gjithë tufa në mina, – i thashë. Prej tyre i kishin ngordhur 30 krerë dele. E gjithë kreshta ishte e mbushur me korba.
-Punoni me banorët! – tha Gani Malushi. Millosheviçi ka thënë se kufirin me Shqipërinë e kam siguruar për 500 vjet. E kishte fjalën për minimin e madh.
-E kemi shumë të zorshme me banorët, – i thashë. Janë nëpër stane e larg njëri – tjetrit.
-Atje ku të jenë, – foli ai me qortim.
-Çfarë keni dëshirë që të shikoni? – i thashë.
-Plavën e Guxinë, – mërmëriti ai. Por i pashë pa ardhur ti. Dylbitë i kam marrë me vete. Nuk i kisha parë kurrë. Tani do të më shpjesh tek Burimi i Çek Hasanit dhe tek Shkëmbi i Gjon Palit.
-Jo! – e kundërshtova. Biem në mina. Unë mezi kam ardhur i hipur mbi një kal. Jo shumë larg prej këtej vura re një arushë, që kishte rënë në mina. Ishte pa këmbë. Më shikonte mua dhe ulërinte si grua.
-Dua që ta shikoi, – tha prerë.
Pas dhjetë minutash mbërritëm pikërisht aty ku arusha ulërinte si mos më keq. Gani Malushi kur e pa i erdhi keq. Ka kohë që nuk kam parë arusha belbëzoi ai. Por nuk paska më keq të shikosh një arushë pa këmbë.
-Po na kërkon ndihmë, – tha Gani Malushi. Me zor çohet në këmbë. Si të jetë njeri. Qysh mundet ta ndihmojmë?
-Ikim! – i thashë. Asgjë nuk i bëjmë dot. Minat surprizë janë me mijëra.
-Më mirë ta vrasim se sa ta lëmë në atë gjendje të llahtarëshme, – foli ai me ngulm.
-Unë nuk kam zemër, – i thashë.
-As unë, – belbëzoi ai.
Kur u nisëm për të lëvizur në udhën që të çon për nga Lumi i Gashit, Gani Malushi, pasi bëri disa hapa u kthye sërish mbrapa. Ai thirri një nga malësorët e Çeremit, i tha kush ishte, dhe si të thuash e urdhëroi prerazi, që me kallashnikovin që e kishte në krah ta vriste arushën e bërë copa – copa nga minat. Do të ishte më mirë edhe për arushën fatkeqe, por edhe për ne. Më mirë t’i dal shprti një sekondë e më parë. Nuk kemi pse ta lëmë që të torturohet. Dhe malësori nuk e bëri fjalën dysh. Ai me një breshëri kallashnikovi e vrau arushën. Gani Malushi nuk e ktheu kokën andej. Bëm dy orë udhë gjersa mbrritëm tek Lumi i Gashit, por ai nuk më tha asnjë gjysëm fjale. Vrasja e arushës e brengosi.
Atentati në Cërnicë ndaj Fatmir Haklajt e trondit Tropojën
Jam kthyer nga Zherga me urgjencë në komisarjat. Fatmir Haklës i kanë bërë atentat në Cërnicë. Ai po kthehej nga Qafa e Morinës dhe tek kthesa e egër e Cërnicës i kishin zënë pritë, që nga bregu i Valbonës në krahun e Tropojës. Me mina të telekomanduara u rrëzuan shkëmbinj të mëdhenj si ata të malit të Shkelzenit. Makina e Fatmir Haklës ishte e blinduar. Fatmiri që nisi të mbrohej me kallashnikov nuk mund të kthehej mbrapa. Nuk kaloj asnjë gjysëm minute dhe në dalje të kthesës së Cërnicës një tjetër minë gremisi gjysmën e mezhdës mbi rrugë. Makina e Fatmir Haklës s’mund të bënte as mbrapa dhe as para. Fatmiri dhe ata që e shoqëronin qëllonin me breshëri e granada dore. Por atentatorët ishin në pjesën e përtejme të lumit të Valbonës. Përplasja me armë e mina nuk zgjati shumë. Në të dy anët e udhës mbrritën udhëtarët me makina. Të gjithë ishin të armatosur dhe nisën të qëllojnë kot më kot. Atentatorët u larguan. Fatmir Haklaj i shpëtoi atentatit se nuk zbriti nga makina e blinduar, e cila u bë petë nga shkëmbinjtë që ranë mbi të. Ngjitur me zyrën time, me pamje nga Maja e Hekurave, kishin parkuar makinën e blinduar të Fatmir Haklës. Kolegët më thanë se pamjet e atentatit të Cërnicës me shkëmbinj e mina atentatorët i kanë filmuar. Po kush e ka kasetën?
Ambasadori amerikan Limpreht e falenderon në Valbonë komisar Gani Malushin
Në Fushën e Gjasë në Valbonë Gani Malushi sot në orën 12 priti ambasadorin amerikan Limpreht. Masat e sigurimit qenë të jashtëzakonëshme. Për nder të ambasadorit Limpreht dhe të miqve të tjerë paria e Valbonës shkoi një dash në hell. Në drekë me sa vura re ambasadori nuk e preku mishin e dashit. Mori pak lakra të egra të pjekura në saç. Ambasadori Limpreht e kishte në krah Gani Malushin. Unë isha pas tyre. Doja të isha më afër për të bërë ndonjë fotografi, por kjo ishte e pamundur. Biseda e Gani Malushit me ambasadorin vazhdoi gjatë. Përkthyesja ndonjë fjali e përsëriste dy herë. Gani Malushi nuk dinte anglisht. Në një fraksion të minutës kur i çova radion komisar Malushit (kishte një ngjarje në Bajram Curri) ambasadori amerikan Limpreht tha: “Komisar Malushi! Të përgëzoj për vendosjen e rendit në Tropojë. Jeta e banorëve është kthyer në normalitet”. Vetëm kaq mundi të rrok veshi im. Në bisedë ndërhyri dhe ministri Spartak Poçi, që shoqëronte ambasadorin amerikan. Më bëri përshtypje që Gani Malushi, i cili si karakter impulisiv kërkon t’i reklamoj sukseset, për herë të parë po e shikoja, që ai të heshtëte çuditërisht. Vetëm nga fundi i drekës i rrëfeu ambasadorit Limpreht për luftëtarin e Valbonës Mushak Haxhia në luftë me malazezët. I tregoi gjithashtu dhe këngën: – /Në Valbonë gurëve të zallit/ /E hanë korbat ushtrinë e kralit/ /Vishoviçi, kryetuli/ /Tek Gurra e Kikës/ /Topat seç i nguli/.
“Përplasja” për parrullën në malin e Shkelzenit
Është mëngjes dhe me Gani Malushin jemi ulur tek stolat e drunjtë përpara komisarjatit. Komisari është me humor. Problemet e rendit janë në udhë të mbarë. Më mba vesh më tha Gani Malushi. Nesër do të marësh një skuadër me policë dhe do të ngjitesh në Shkelzen. Do ta prishësh fjalën “Enver’’ nga faqja e malit. Më thanë se ka 70 vjet që është shkruar. Unë e zbatoj urdhërin ju përgjigja. Por siç më kanë thënë kërnajasit në fillim të viteve nëntëdhjetë një grup i madh me të rinj u ngjtën në majën e malit të Shkelzenit me kazma e lopata në krah. Sa filluan të prishin gërmën e parë “E’’ të emrit “Enver’’ filloj të fryjë një ciklon i paparë. Cikloni i flaku të rinjtë poshtë gërmave sikur ata të ishin shpend. Kazmat dhe lopatat fluturuan dhe disa ranë në Kërnajë e të tjerat në Përruan e Zapllatës. Qysh atëherë nuk ka guxuar njeri që të ngjitet dhe të prish fjalën “Enver’’ me gërmat e gjata njëqind e ca metra. Tropojanët komunist çdo pranverë gërmat i lyejnë me gëlqere. Dhe fjala “ Enver’’ duket që nga Qafa e Malit. Komisar Gani Malushi pa i hequr sytë nga Shkelzeni ra në mendime. U çuditë nga ajo që i thashë unë. Dhe këtë temë nuk ma zuri më në gojë. Besonte tek misteret.
Qafa e Prushit dhe Gjakova
Ishim në Qafën e Prushit. Jo vetëm unë, por dhe disa shefa sektorësh. Nxora bllokun e nisa të mbaj shënime. Gani Malushi fliste me zë të lart. Ishte shumë i revoltuar. Ai na tha se ka të dhëna, se edhe nëpër zonat e minuara të kufirit, vepronin trafikantët e drogës, të tregëtimit të paligjshëm të karburanteve, që vidhet qysh në Ballësh, të matrapazve të lëndës drusore e të grabitjes së tufave me dema e bagëti në rrethinat e Gjakovës, pa u marr me banditët, të cilët marrin çikat e bukura të Kosovës dhe i trafikojnë nëpër botë. Në fund ai komunikoi dhe dy masa disiplinore. Na tha se po vinte nga Tirana dhe disa kuadro të kompromentuar nga dora e krimit do t’i nxirrte në lirim. Asnjë nga shefat e sektorëve nuk e kundërshtoi. Kur mbetëm vetëm dhe dolëm tek sheshi i bukur i Qafës së Prushit, nga ku dukej në pëllëmbë të dorës Gjakova, unë u përpoqa që ta qetësoja Gani Malushin. Isha më i madh në moshë nga ai dhe në ndonjë rast çoç më dëgjonte. I thashë me butësi se situata është më ndryshe nga ajo që paraqiti me shefat e sektorëve. Gjithashtu i thashë se isha në Gjakovë dhe banorët afër kufirit me Tropojën janë të kënaqur kohët e fundit. Janë pakësuar vjedhjet e gjësë së gjallë dhe të banesave. Edhe forcat italiane të KFOR – rit thonë fjalë të mira për Gani Malushin. Me ardhjen e tij në Tropojë ata kanë me pak problem me trafikantët. Kur i thashë kështu mua mu duk sikur atij i erdhi mirë.
-Si është ajo puna e helikopterit të serbëve për të cilin thuhet se e rrëmbeu një djal nga Tropoja? – tha Gani Malushi. Të jemi me këmbë në tokë. Është një fakt real, apo baladë tropojanësh?
-Ju keni ardhur më vonë zoti kolonel, – i thashë. Unë kam qenë në komisariat kur u përfol kjo ngjarje. U stërtha se në një tunel afër Qafës së Prushit të forcave serbe kishte mbetur një helikopter ushtarak. Këtë e kishin zbuluar disa tropojanë, njëri ish oficer i xhenjos. Ata çminonin udhët dhe merrnin sende me vlerë në transhetë e serbëve dhe në postën serbe të Qafës së Prushit, të Zogajve dhe të Stobertës. Të gjitha i kishin minuar serbët, por xhenjerët e Enver Hoxhës ua dinin hiletë. Dhe po merrnin sende me vlerë si frigorifer, lavatriçe, soba elektrike e lloj – lloj materialesh të kostueshme. Kur i morën ç’u duhej u mbeti dhe helikopteri. Një djal nga Tropoja, që kishte mbaruar për pilot, pasi xhenjerët e çminuan tunelin, ku ishte helikopteri, një ditë vetëm fare e furnizon helikopterin dhe e nxjerr nga tuneli. Deri këtu ka një farë saktësie. Pastaj problemi ndërlikohet e zmadhohet. Thuhet se djaloshi nga Tropoja e mori helikopterin dhe e solli mbi shtëpinë e të dashurës, që banonte në qytetin e Bajram Currit. Në fakt banorët nën zë kanë thënë se është parë mbi qyett një helikpter misterioz. Pasi ka bërë një fluturim mbi qytet ai e ka vazhduar flutrimin për në drejtim të Grykës së Dragobisë. Asgjë tjetër nuk dihet. Disa ditë më vonë u hap fjala në fshatin e Ragamit se në mal ishte dëgjuar një gjëmim i fuqishëm. Fshatarët kishin shkuar për të parë, por nuk kishin gjetur asnjë gjurmë. Kaq di unë. Askush nuk është marrë me këtë bëmë. Të tilla qarkullojnë shumë në Tropojë.
-Po piloti a njihet në qyetin e Bajram Currit? – pyeti Gani Malushi.
-Askush nuk tregon, – u përgjigja. Tropoja doli nga lufta dhe siç të thashë ka qindra ngjarje. Kush merret me helikopterin e serbëve?
Gani Malushi nuk më bëri pyetje të tjera. Por e dija që ai sa të kthehej në Bajram Curri do të kërkonte, që nëse nuk kishte dosje, të hapej dosja e zhdukjes së helikopterit të serbëve, poqese kishte ndonjë të vërtetë. Me broçkulla ai nuk merrej. Zanati i tij mirfilli ishte ajo e agjenturistit./kb