Maksimilian Lamberci ishte albanolog austriak. Ai ka lënë rreth 60 dorëshkrime në të cilat paraqet të dhëna mbi folklorin e folkloristikën, mitologjinë, etnologjinë, gjuhësinë, letërsinë, historinë etj.
Maksimilian Lamberci u lind në 27 korrik 1882 në Vjenë; dhe ndërroi jetë më 26 gusht 1963 në Markkleeberg, Leipzig. E nisi studimin e shqipes si dialektolog, duke mbledhur materiale gjuhësore në terren më 1913–1914 gjatë një udhëtimi studimor në Itali. Qëndroi katër muaj në fshatrat arbëreshe. Aty regjistroi një lëndë të pasur dialektologjike e folklorike. Fryti i parë i kësaj pune është skica “Albanische Mundarten in Italien”, e shoqëruar me një hartë që tregon shpërndarjen e ngulimeve arbëreshe. Në këtë skicë sintetike të bie në sy puna e thelluar që ka bërë M. Lamberci për të njohur dhe përdorur gjithë botimet e arbëreshëve dhe për arbëreshët. Ai bën një paraqitje të përmbledhur të historisë së formimit të ngulimeve arbëreshe të Italisë, tregon me hollësi ç’ishte bërë deri atëherë për mbledhjen dhe studimin e të folmeve të tyre dhe thekson rëndësinë e studimit të këtyre të folmeve për historinë e gjuhës shqipe, sepse ato paraqesin mbetjet e fundit të shqipes mesjetare. Nga studimi i këtyre të folmeve ai arrin në përfundimin se djepi i arbëreshëve të Molizës ka qenë Shqipëria e Mesme dhe e Jugut dhe se ata, të ardhur prej krahinash të ndryshme, formuan aty gjatë shumë brezave një ligjërim të ri, të përbashkët, prandaj të folmet e fshatrave arbëreshe janë mjaft të ngjashme. Kjo tezë është rimarrë edhe më pas për të folmet e ngulimeve arbëreshe në vise të tjera të Italisë. Duke gjykuar nga këto të folme, M. Lamberci shpreh këtu mendimin se disa tipare dialektore të shqipes nuk kanë pasur në mesjetë shtrirjen e tyre të sotme, d.m.th. kufijtë e disa dukurive dialektore të shqipes kanë lëvizur në shekujt pas Skënderbeut. Pas botimit të kësaj skice, M. Lamberci iu rikthye materialeve të mbledhura dhe hartoi një monografi të gjerë që u botua në vitet 1923-1925. Në këtë punim autori trajton me hollësi veçoritë fonetike të të folmeve arbëreshe të Molizes, u kushton kujdes të veçantë veçorive fonetike, sidomos ndërrimeve të zanoreve e diftongjeve, duke dalluar dukuritë e trashëguara nga atdheu mëmë nga ato që janë përftuar në atdheun e ri si zhvillim i brendshëm a si ndikim i mjedisit dialektor italian. Në pjesën për morfologjinë trajtohen kryesisht format e sistemit emëror e foljor. Krahas përshkrimit të saktë të tyre, autori ka bërë edhe një varg vërejtjesh me karakter historik (për mënyrën lidhore, për format e së pakryerës etj.). Në pjesën e sintaksës ka vëzhgime për përdorimin e kategorive gramatikore, si dhe për disa tipa fjalish, si fjalia qëllimore, kushtore, lejore, pyetëse dëftore e urdhërore. Pjesa e tretë e punimit përmban tekste popullore të mbledhura drejtpërdrejt nga goja e popullit, ndërsa pjesa e katërt një glosar të pasur, ku M. Lamberci nuk kufizohet të japë vetëm kuptimet e fjalëve në ato të folme, por bën edhe një varg krahasimesh me të folmet e tjera arbëreshe, me fjalorët e shqipes të botuar deri në atë kohë, jep mendime për etimologjinë e një vargu fjalësh dhe për zhvillimet fonetike e morfologjike të tyre.
Kalendar
1896 Revolucionarët armenë sulmuan bankën otomane në Kostandinopojë, duke provokuar kështu një betejë treditore, në të cilën vdiqën rreth 6 000 armenë.
1813 Pas një fitoreje të parë, francezët nën drejtimin e Marshal Mcdonald, u mposhtën nga prusianët nën drejtimin e gjeneral Bluecher-it në betejën e Katzbach.
1920 U ratifikua Amendamenti i 19 i Kushtetutës amerikane, i cili u dha grave të drejtën për të votuar.
1990 – Në fatëkeqësinë më të madhe në historinë e Bosnjes, në xeheroren e lignjitit Dobrnja, në afërsi të Tuzllës humbën jetën 180 minatorë.
1999 Më shumë se 60 000 brazilianë që kërkonin dorëheqjen e Presidentit Cardoso u grumbulluan para Kongresit, në protestën më të madhe në historinë e këtij vendi.
2002 Parlamenti i Spanjës voton me shumicë dërrmuese për ndalimin e partisë politike baske, Batasuna, për shkak të mbështetjes që ajo i jep grupit me aktiv të gueriles të Evropës Perëndimore, ETA.