Në Stamford Bridge, në ndeshjen e tretë të sezonit, Chelsea ia del të marrë tre pikët e para në këtë sezon të Premier League. “Blutë e Londrës” mposhtën Luton me shifrat 3-0, një sukses ky që vjen edhe falë një Raheem Sterling të frymëzuar me sulmuesin që shënoi dy golat e parë dhe asistoi të tretin që u realizua nga Nicolas Jackson.
Pas sfidës, trajneri Mauricio Pochettino ishte i kënaqur me performancën e të besuarve të tij ndërsa veçoi paraqitjen e Sterling dhe Jackson. Tekniku argjentinas pati elozhe për dyshen e repartit ofensiv, madje për Jackson, Porchetino theksoi se ka potencialin për t’u shndërruar në një nga sulmuesit më të mirë të Premier League.
“Sterling meriton fjalët më të mira, jam shumë i lumtur për të. Më ka thënë se sezonin e kaluar ka vuajtur shumë dhe tani unë jam i gëzuar sepse ai ndjehet mirë. Sterling është i lumtur. Për një sulmues është ndjesia më e bukur kur shënon gol dhe asiston.
Jackson? Është i mrekullueshëm, është e vështirë të gjeni një tjetër si ai në qarkullim. Skuadrat e tjera nuk e kanë një lojtar si Jackson. Për mua ka potencialin për t’u shndërruar në sulmuesin më të mirë të Premier Leagues. I duhet pak kohë që të përshtatet plotësisht, por askush nuk do ta nxitojë. Do të ketë të gjithë kohën në dispozicion”, u shpreh Pochetino.