Nga Sebi Alla
Një valle greke u nis të hiqej para KZAZ-së ku u numërua kutia e fundit dhe nxori fitues kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredi Beleri. Ai mundi rivalin Gjergji Goro të PS-së, duke e kthyer Himarën në ngjyrën blu, një blu që anon si në të hapur dhe pëngjan fort me atë të flamurit grek. Vetë “kryetari i ri” është në burg në akuzën e tentativës për blerjen e tetë votave dhe qerasjes së sekserit me dokumenta greke dhe nja 300 euro për t’i prishur qoftë edhe në ndonjë bodrum ku hidhen karafila dhe thyhen pjata për kokërr të qejfit. Tre muaj pas asaj valleje një tjetër “muzikë” po luhet nga elita politike greke. Në Himarë u protestua për lirimin nga burgu të Fredi Belerit. Dy kryebashkiakë grekë, ai i Athinës dhe Selanikut ishin të pranishëm në atë protestë që mblodhi ca dhjetëra njerëz. Fjalët e thëna kapërcyen kufirin ligjor me deklarata ekstremiste dhe vetëmburrje që ishin në “vatrën e helenizmit”. Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe ministra kanë kërcënuar haptas se “çështja Beleri” do të ndikojë në integrimin e Shqipërisë në BE, aq sa Greqia mund të vendosë veton e pengesës. Kushdo që ka një fije atdhetarie dhe ndihet keq sesi një krahinë shqiptare po bëhet “buzuk politik” për nacionalistët ekstremistë të fqinjëve tanë, duhet të kuptojë se e keqja më e madhe vjen nga vetja dhe “këta patriotët tanë”.
Berisha që shkeli mbi “gjakun e dëshmorëve”
Kush e bëri Belerin “beun e Himarës”, që edhe nga burgu mundi një kandidat më shumë se të lodhur? Ish-kryeministri Berisha dhe aleati i ngushtë Ilir Meta përfshinë në koalicionin “Bashkë Fitojmë” edhe PBDNJ-në e Vangjel Dules. Si një mjeshtër i vjetër në politikë, Dulja ka ditur të hajë majtas e djathtas, duke mbetur gjithnjë deputet dhe shëtitur me kutizën e votave që merr në Finiq, Dropull dhe Himarë. Ai bëri disa llogari dhe përzgjodhi Fredi Belerin si kandidat, madje u kushtëzua nga Beleri që i tundte në sy “flamurin e Vorio Epirit”. Në këtë vend ku gjithçka ka një çmim për të siguruar pushtet, futen në lojë edhe ndjenjat nacionaliste ekstreme që vijnë nga çmenduria. Fredi Beleri është një i akuzuar fillimisht për terrorizëm dhe vetë Greqia e ka dënuar kur u kap bashkë me disa të tjerë me 9 automatikë kallshnikov, dy pistoleta, maska dhe lloj e soj mjetesh që shërbenin për sulme terroriste. Ja çfarë shkruan pak ditë më parë shkrimtari dhe politlogu Themis Dimitrakopoulos. “E djathta e skajshme, anëtar i ekstremit M.A.B.H. (në vitin 1995 arrestohet me armë pa leje në kufirin greko-shqiptar, në vitin 1995, për 7 shtetasit shqiptarë me origjinë greke, njëri nga 7 ishte Fredi Beleri, i cili ishte arrestuar në tentativë për të futur në Shqipëri armë të rënda (nëntë automatikë kallashnikov, 2 pistoleta, bajoneta, uniforma kamuflazhi dhe kapuç) nga rojet kufitare GREKE në stacionin kufitar në Delvinaki, natën e 18 marsit 1995. Ata po planifikonin një sulm terrorist në tokën shqiptare. Në gjyqet që pasuan, veprat penale origjinale u ndryshuan në kundërvajtje, dhe çështja u mbulua dhe u harrua – sepse kështu funksiononte për të gjithë në atë kohë. Siç raporton gazetari i KATHIMERINIS, Stavros Tzimas në librin e tij “Mbi plejadën e nacionalizmit“, me një parathënie të Alexis Papahelas: “në atë kohë nuk kishte asnjë dyshim se të arrestuarit [në 1995] po planifikonin të sulmonin një objektiv ushtarak, që ishte kampi i Logos, pak larg nga kufiri. Gjithashtu u zbulua se ishte i njëjti grup MAVI, ose të paktën disa nga anëtarët e tij, që kishte goditur në Ano Episkopi (shënimim; Peshkëpi) dhe kishte vrarë 2 ushtarë shqiptarë në vitin 1994…. Shkrimi vijon me akuza drejtuar elitës politike greke që mbrojnë një person të dyshuar për terrorizëm… Ky është Fredi Beleri, i njohur ndryshe edhe si Dhionisis Alfredis Petro Beleris. Po Berisha dhe Meta ç’patën? Kandidati i tyre është individ i akuzuar për masakrën e Peshkpisë, i hetuar disa herë, i dyshuar se theu kutitë e votimit në zgjedhjet e vitit 2003 e madje përdhosi flamurin shqiptar, duke i vendosur këmbën mbi të, atë këmbë që me gjasë, sipas të gjithë dyshimeve dhe akuzave edhe të palës greke, shkeli në repartin ushtarak më 10 prill 1994 kur një grup paramilitar grek kaloi kufirin dhe sulmoi repartin tonë. Mbetën të vrarë ushtari në vendroje Arsen Gjini dhe komandati i repartit, kapiten i parë, Fatmir Shehu. Edhe tanët në atë kohë bënë sikur hetuan thellë, siguruan ca prova por “atdhetarët”, që sot i sulen “Fred grekut” i zhdukën nga dosja hetimore dhe gjyqësore çdo dokument. Kjo është prova më e madhe sesi flamurtarët e “demokracisë” shkelën gjakun e atyre dy dëshmorëve që nuk patën as mundësi të mbroheshin, pasi pushteti i kohës në vitin 1994, ushtarakët i kishte lënë edhe pa municione, ndoshta nën frikën e “puçit” për rikthimin e komunizmit. Çmendinë e madhe. Vetë Berisha në atë kohë kur ishte president bashkë me ministra trimëroheshin duke veshur uniforma ushtarake e kishte të qartë se e keqja erdhi sa nga ekstremistët grekë, aq edhe të ashtëquajturit “minoritarë grekë” në Shqipëri, që nuk kanë asnjë lidhje me këtë komunitet që ka vuajtuar apo është lumturuar njësoj si çdokush tjetër që “mburret” se është pasardhës i Pellazgëve. Këtë “grekun e poshtër” që e quante pushteti i Berishës në atë kohë, sot e kthyen në “qytetarin e parë” të Himarës, edhe nga qelia e burgut.
Rama e shpalli “hero”
Nuk është rasti i parë, nuk do të jetë as i fundit që kryeministrit i flet ndonjëherë goja përpara mendjes. Në ditën kur shkeli në Himarë më datë 9 maj të këtij viti, Rama e quajti Belerin “injorant”, “mbeturinë”; “surrat i shpifur që të kall datën”; “një gdhë”…. Të gjitha këto citate të marrë në kontekst apo “dalje nga konteksti”-(siç justifikohen pushtetarët pasi i thonë pa u menduar asfare), në fakt nuk bënë gjë tjetër përveçse lartësuan një individ të damkosur të dyshuar si pjestar i “Grupit terrorist MAVI”. Vetëm tre ditë pas këtyre deklaratave të Ramës, kandidatit për kryebashkiak nën siglën e “rëndë” të dyshes Berisha-Meta iu vendosën prangat. Çedim i madh nga kreu i qeverisë i cili ankohet shpesh se “hidhet baltë mbi të” por këtë herë “pa dashje” ledhosi veten. Po kë kishtë përballë Fredi Beleri, aq sa shqetësoi Ramën se mund të humbiste këtë bashki? Ishte Gjergji (Jorgo) Goro, një kryebashkiak që vetë Rama e kishte kritikuar ashpër një vit para se të zhvilloheshin zgjedhjet. Aq denigruese ishte ajo deklaratë për të sa të gjithë vinin bast se Goro nuk do ishte më kandidat për kryebashkiak. Provat? “Nuk mund ta konceptoj dot, jam dëshmitar dhe viktimë si një nga qytetarët e shumtë që në periudhën e pushimeve shkoj në Himarë, Dhërmi, s’e konceptoj dot. Shikoj mbetjet, zgjoj Jorgon nga gjumi dhe pastaj vjen një dum-dum”-tha Rama në mbledhjen me kryebashkiakët të mbajtur në tetor 2021. Pikërisht këtë “kryebashkiak të dështuar” Rama vendosi ta rikandidojë, duke harruar edhe vlerësimet që kishte për të, minimalisht si i paaftë. Mospasja e një kandidature bindëse ishte një nga arsyet që Fredi Beleri fitoi me ato 17 vota të arta më shumë se rivali. Përzgjedhja e kandidatit është përgjegjësi e kryeministrit dhe këtë Rama e ka të qartë, e po aq i qartë është se edhe kur bën keq, brenda partisë nuk ka njeri zë ta kritikojë. Beleri akuzohet se do të blinte tetë vota me 5 mijë lekë “copa”. Po si është e mundur që në Himarën ku vetëm një shezlon për një ditëqëndrim buzë detit kushton 5 mijë lekë, po aq u shitka edhe vota? Në Himarë pak të rinj gjen. Shumë kanë ikur në emigrim, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen në Greqi, duke iu gëzuar atyre dokumentave. Në zonën më të pasur të vendit, me resorte të mëdha turistike, bregdet mahnitës dhe me “investitorë strategjik”, u shitka vota për 5 mijë lekë?! Kjo duhet të shqetësojë më shumë qeverinë dhe vetë Ramën sesi në vitin 2023 paska qytetarë në këtë zonë të pasur me miliona turistë që shkojnë e shesin votën e bashkë me të edhe dinjitetin për kaq pak. Dhe kujt? Fredi Belerit që ngatërron shqipen me greqishten, duke mos e ngarë mirë as greqishten e as shqipen dhe ndoshta “libri i fundit” që mund të ketë lexuar do jetë ndonjë broshurë e ekstremistëve grekë për “Vorio Epirin”. Beleri është një pretekst i politikës greke për të rikthyer sa herë dëshiron “shovinizmin nacional” të kamufluar aq bukur siç dinë ata nën gjoja “të drejtat e njeriut dhe minoritetit”. Na kërcënojnë hapur se do të bëhen pengesë për integrimin tonë në BE, ndërsa emrin e Belerit e njohin edhe në Parlamentin Europian. Kaq shumë nuk ishte folur kurrë për një individ me të shkuar e të tashme të errët, i cili papritmas u kthye në një personazh që vetëkënaqet në burg sa herë që për të diskuton një mik mes “buzukut” grek dhe “mejhanes” politike këtu në vendin tonë. Ndërsa Athina zyrtare ka në duar pretekstin Beleri, shkakun e vërtetë, me shumë gjasë pa dashje ua ofroi vetë Rama me Berishën dhe Metën, duke e konsideruar një “hero”, që po bën “burg për liri, të drejtat e minoritetit dhe të drejtën e pronës”. Halabakëria po shitet shtrenjtë dhe çmimin ia kanë vënë disa që dikur në duar mbanin bisturi, penel, apo shtangë. Të tre bashkë gjetën dikë që me shumë mundësi dikur mbante armë në duar, ndërsa sot mburret nga burgu për të siguruar intervista në mediat e “shtetit mëmë”, me dëshirën që emri të mos i shuhet kurrë…, qoftë edhe për keq!/kb