Ish-kryeministri socialist, Fatos Nano ndodhet prej disa ditësh i shtruar në një nga spitalet private të Tiranës. Gazetarja Gerta Vasku raporton se ai ndodhet ende në reanimacion. Sipas stafit mjekësor, Nano është i stabilizuar dhe parametrat e oksigjenimit në gjak janë përmirësuar krahasuar me ditët e para.
Megjithatë, ish kryeministri vazhdon me frymëmarrje të komanduar dhe nën vëzhgim nga stafi mjekësor. Nano është diagnostikuar me insuficencë respiratore, pamjaftueshmëria e mushkërisë për të funksionuar normalisht dhe të enjten e kaluar u dërgua në spital për të marrë shërbim mjekësore.
Më herët, gjatë ditës së sotme, kryeministri Edi Rama dekoroi ish liderin historik të PS-së, me medaljen Yll të Mirënjohjes Publike.
“Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik”, shkruante mes të tjerash kryeministri Rama. /kb