Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në kryeqytet pak ditë më parë, ku një vogëlush trevjeçar ka ndërruar jetë pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirugjikale në një klinikë dentare. Prindërit e të miturit, kanë denoncuar në polici mjekun reanimator, Roland Xhaxho, për injektim të një sasie të tepërt narkoze. Sipas dëshmisë së tyre, djalit i është bërë anestezi totale dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave, kanë marrë fëmijën dhe janë larguar drejt banesës. Por pas disa orësh, ai ka shfaqur probleme shëndetësore dhe ka ndërruar jetë 3 ditë më vonë në spital.
Lidhur me këtë ngjarje ka reaguar sot shumë e shqetësuar aktorja dhe moderatorja Eliona Pitarka, e cila ka thënë se një eksperiencë të ngjashme në këtë klinikë ka pasur edhe ajo me nipin e saj. Ajo tregoi mes lotësh se një vit më parë i nipi ka kryer një mbushje dhëmballe dhe është zgjuar nga narkoza pas 5 orësh. Eliona tregon se klinika as nuk denjoi t’u përgjigjej telefonatave të tyre, teksa shton se e zgjuan vetë të voglin.
“Para një viti kemi dërguar nipin tonë në atë klinikë. Pas narkozës që i ka aplikuar nipit tim për mbushjen e kësaj dhëmballe te kjo klinikë, iu desh 5 orë që të zgjohej. Pasi është zgjuar nipi kishte marrje mendsh, flistë përçart, ka vjellë. Dhe ajo klinikë asnjëherë nuk na u përgjigj në telefon për të na thënë nëse kjo ishte normale. Dhe pengu im më i madh është që nuk e bëra publike atë rast. Dhe them peng sepse kur i tregova rastin tim ababit të 3 vjeçarit tha: “Ku ta dija unë se ku e çova djalin. Nëse do e dija nuk e kisha çuar”. Dhe ndihem fajtore që nuk e bëra publik rastin.”-tha ajo mes të tjerash./E.Ç