I Ngarkuari me Punë i ambasadës amerikane në Tiranë, David Wisner u takua ditën e djeshme me kryetarin e Komisionit të Sigurisë Kombëtare Nasip Naço, dhe nënkryetarin Ferdinand Xhaferraj. Lajmin e takimit e publikoi ambasada amerikane në rrjetet sociale, ku theksoi se Ëisner diskutoi bashkëpunimin SHBA-Shqipëri në çështjet thelbësore të sigurisë kombëtare, si përparësitë në mbrojtje të NATO-s, sigurinë kibernetike dhe sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Ky takim vjen në një moment ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë alarmin disa herë për të hetuar si duhet skandalin e grabitjes së të dhënave të TIMS.
SHBA kërkoi hetim të shpejtë dhe të plotë, duke theksuar se janë të gatshme ta mbështesin Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit në hetimin e tyre. “I ngarkuari me punë vuri në dukje shqetësimet e SHBA në lidhje me ndërhyrjen e raportuar në sistemet TIMS në Policinë e Shtetit. Ai nxiti një hetim të shpejtë dhe të gjithanshëm dhe theksoi rëndësinë që ka mbrojtja e të dhënave vetjake/sensitive, përfshi edhe të qytetarëve amerikanë në Shqipëri,” ishte reagimi i ambasadës pak kohë më parë. Por pse gjithë ky alarm nga SHBA? Sistemi TIMS është një dhuratë e amerikanëve dhe sensibiliteti i ambasadës për këtë skandal është shumë i madh. Ky sistem është futur fillimisht në vitin 2009 deri në vitin 2011 kur iu dorëzua nga amerikanët Ministrisë së Brendshme. Teknologjia ka shkuar gati në vlerën gati e 20 milionë dollarëve. Është një sistem që përmban të dhënat e hyrje-daljeve të të gjithë qytetarëve jo vetëm shqiptarë, edhe nëse ne kemi ndërruar tre ose katër herë pasaportat, ajo i ruan të gjitha këto të dhëna. Nëse një person është në kërkim, të dhënat mbi këtë persona në kërkim, arsyen dhe fakti që ndodhet në kërkim, ndodhen në sistemin TIMS. Shqetësimi i tyre është dhe më i madh pasi dyshohet se në këtë skandal janë përfshirë radikalistë të shërbimeve të huaja, në serverat e policisë kanë futur duart persona të pacertifikuara
SHBA kanë informacion për dëme të mëdha
Pak kohë më parë edhe gazetarët dhanë alarmin se prania e SHBA në këtë situatë tregon se ata kanë informacion për dëmin që i është bërë TIMS-it. “Është e dhëna kryesore, është e dhëna që na lidh me botën, është çdo gjë sa i përket aktivitetit kriminal. Nëse do lëshonim kaq lirë dhe kaq natyrshëm këto të dhëna pse duhet të ankohemi nesër për njerëz që largohen ndërsa janë në kërkim. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore në të dhënat e TIMS ka çdo shkrim të një prokurori. Prokurori vendos në të dhënat e TIMS nëse e ka në përgjim, ndjekje, nëse personi që ndodhet dhe i po bën procedurat për t’u larguar apo për hyrë duhet ta lejojë pa asnjë lloj kontrolli. Nëse prokuroria po ndjek një person për trafik droge, prokurori e ka në hetim dhe përgjim dhe e lë personin të kalojë në TIMS duke pasur në kontroll dhe duke lajmëruar policinë homologe ku po zhvillon hetimin, pavarësisht se është në hetim, kalon, por tek TIMS e ka të shënuar ‘lejoje pa i dhënë asnjë dyshim të kalojë se është në hetim, dhe ka emrin e prokurorit. Çfarë mund të ketë tjetër, po në këto të dhëna. Nëse kalon në ndonjë moment, para se të kalojë ka një numër telefoni të një prokurori, oficeri që duhet lajmëruar menjëherë nga personi që po i bën procedurën, TIMS ka gjithçka. Me një lëvizje, në të dhënat personale”, është shprehur pak kohë më parë gazetari Sokol Dervishi./E.T