ROLAND QAFOKU
Të bisedoje me Geraldina Apony nuk ishte e vështirë vetëm se ajo ishte mbretëreshë. Në moshë të thyer dhe me sëmundjen e rënduar të astmës, mjekët ia kishin ndaluar rreptësisht çdo kontakt, lëre me gazetarët. Por falë ndihmës së Fluturak Gërmenjit pas këmbënguljes time, arrita ta takoj dhe ti shkëpus disa fjalë për gazetën “Koha Jonë” që punoja atëherë. Për mua është nga personazhet më të dashura për të cilën kam shkruar në karrierën time si gazetar dhe biseda direkt me të, edhe pse ishte një miniintervistë, ma bën shumë më të pasur galerinë e personazheve që i kam intervistuar. Ishte gusht 2002 dhe të shkruaje për kthimin e familjes mbretërore dukej luks i tepruar. Disa injorantë as e kishin idenë se kush ishte Geraldina dhe Ahmet Zogu. Disa të tjerë nuk e quanin këtë hallin e vërtetë të Shqipërisë dhe të tjerë akoma të cilësonin zogist dhe legalist. Habia ishte se të tillë kishte edhe në media që të lumtur me paaftësinë e tyre shtronin pyetjen: Kujt i duhen këto shkrime?Bashkë me Edi Lesin që drejtonte gazetën në atë kohë kapërcyem edhe stërkëmbëshat e vjetër. Por, historia e Ahmet Zogut, e mbretërisë së tij dhe e mbretëreshës Geraldinë, është nga të bukurat në historinë e Shqipërisë. Sot 128 vjet nga lindja e tij, kam zgjedhur të ripublikoj një shkrim timin në gazetën “Koha Jonë” pas kthimit të familjes mbretërore në atdhe. Ndjehem krenar që kam shkruar atëherë kur kjo temë ishte tabu.
Portret i Geraldina Apony në 87 vjetorin e lindjes: “Jam shumë e lumtur që këtë herë e festoj ditëlindjen në shtëpinë time”.
Një mbretëreshë në Tiranë
Jeta plot zikzake e monarkes që erdhi nga Hungaria dhe që mbretëroi në Shqipëri. Dhuratat nga personalitete të huaja dhe takimi me Kadarenë

Nga Roland Qafoku
I dergjur në krevatin e tij në spitalin Foch të Parist, atë ditë të largët prilli të vitit 1961, Ahmet Zogu i tregoi të birit, Lekë, ëndërrën e fundit që kishte parë. “Nëna jote dhe gruaja ime më doli në gjumë e veshur me rrobat e mbretërisë dhe mbërriti në Tiranë. Edhe pse ishte e plakur, Geraldina dukej e bukur dhe plot freski, ndërsa pritej nën një ceremoni madhështore”. Vetëm pak orë pas këtij rrëfimi, ish-mbreti në mërgim i shqiptarëve ndërroi jetë. U deshën të kalonin 41 vite që skenari i parë në ëndërr të “realizohej” pikë për pikë. Ndonëse jo me titullin e monarkes, Geraldina Apony mbërriti në Shqipëri me të gjithë nderet e një mbretëreshe. Ndoshta supersticioziteti që e ka ndjekur Zogun hap pas hapi, kishte vlerë edhe për momentet e fundit të jetës. Bshkëshortja e tij hungareze, pa dyshim është tani në Shqipëri një nga personazhet më simatike. Sot kur mbushen 87 vjet nga lindja e konteshës së ardhur nga Hungaria, një pjesë e mirë e opinionit duket sikur po i kthen një borxh të madh që i kanë asaj.
Edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, Geraldina ka thënë ekskluzivisht për gazetën “Koha Jonë” se ndjehet shumë e lumtur që pas kaq vitesh, këtë herë e feston ditëlidnjen në Shqipëri
Mbretëresha sot 87 vjeç
Vetëm një vit në fron dhe për herë të dytë feston ditëlindjen në Shqipëri. Ndonëse e sëmurë nga një mungesë të mjaftueshme frymëmarje, Geraldina nuk e përshkuan dot gëzimin. Fluturak Gërmenji, njeriu më i afërt i familjes mbretërore kujdeset të përcjellë për gazetën “Koha Jonë” sa më me detaje emocionet e Nënës Mbretëreshë. Sipas tij, Geraldina është shprehur se ndjehet mjaft e lumtur për këtë. Për të ajo ka plotësuar dhe një moment tepër mbresëlënës në marrëdhëniet Zogut, ku me atë ëndrrën e largët ralizoi një dëshirë jo vetëm të familjes mbretërore por të gjithë shqiptarëve.
Geraldina dhe Kadareja
Ka qënë me të vërtetë shumë emocionues takimi i shkrimtarit të madh Ismail Kadare me Geraldinën një javë në parë në rezidencën monarke në afërsi të TVSH-së. Gërmenji tregon se e para që foli kur shkrimtari dhe bashkëshortja hynë në dhomë ishte mbretëresha: “Më në fund u takuam në Tiranë. Nuk e besoja që do të takoheshim dhe të bisedonim sëbashku këtu në Shqipëri, por ja që zoti e deshi ndryshe”. Ndërkohë Kadareja menjëherë nxjerr librin “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” dhe ia dhuron. Të njëjtën gjë bën edhe Helena. Ajo i dhuron librin e saj “Një grua nga Tirana” në shenjë mirënjohje dhe respekti. Mbretëresha mrekullohet nga ky xhest dhe shton me humor: “Tani unë jam me një grua nga Tirana”. Pas këtij takimi Kadare takohet me Lekën ku i transmeton të gjitha ato që ndjeu gjatë atyre momenteve: Ku e gjen gjithë atë dritë në fytyrë nëna juaj? De të dy bien në një mendje se kjo lloj drite buron nga çiltëria dhe se gjithçka që e thotë e ka me zemër.

Sëmundja e Mbretëreshës
Mosha e madhe kanë bërë që tek mbretëresha të shfaqen sëmundjet që në gjuhën popullore quhen të pleqërisë. Sipas mjekëve prej disa vitesh Geraldina vuan nga emfizemi që do të thotë pamjaftueshmëri të mushkërive për të funksionuar normalisht. E thënë më ndryshe është një llojë azme që i vështirëson frymëmarrjen. Por, diagnoza e dytë e mbretëreshës është edhe osteorporoza, që do të thotë dëmtimi i indit kockor dhe mungesë kalciumi e cila i jep mungesë rezistence. Ajo është nën kujdesin sistematik të mjekëve të cilët i japin ndihmën e nevojshme.
Geraldina, shumë urime për ty!
Ndërsa mbretëresha mbush sot 87 vjeç, në adresë të saj kanë mbërritur dhuratat dhe urimet. E para në listën e gjatë është mbretërsha Margaretë e Bullgarisë, nëna e Simeonit të II-të, i cili është edhe kryeministër i këtij vendi. Në urimin e saj, mikja e familjes i drejtohet Geraldinës me fjalët “teze”, një term që bullgarja e ka përdorur kur fati i mërgimit i ndoqi të dy familjet mbretërore në Spanjë, një vend ky kur miqësia e tyre ka qënë e afërt. Ajo është shprehur se është mjaft e lumtur që “më në fund tezja mbërriti në vendin ku mbetëroi dhe i uron edhe ditëlindjen”. Por, në radhën e urimeve janë edhe të dhjetra personaliteteve shqiptare dhe të huaj dhe diplomatëve të akredituar në Tiranë. Vet Leka ka qënë dje mjaft i impenjuar për dhuratën ndaj nënës, por vetëm sot ai do ta bëjë publike. Ndërsa Gërmenji tregon se kishte zgjedhur për dhuratë një ëngjëll, një objekt që Geraldina e përleu shumë.
Kush është Geraldina
Rrallë në historinë e Shqipërisë, personazhe të huaj kanë zënë një vend kaq të rëndësishëm sa të Geraldina Apony. Pas princit gjerman Vilhem Vidi që mbretëroi për gjashtë muaj në principatën shqiptare, hungarezja është pa me të voglin diskutim njeriu që ka merituar gjithnjë respektin dhe nderin e popullit tonë. E lindur nga prindër me gjak mbretëror, Geraldina ishte fëmija i parë i martesës së kontit hungarez Xhula me konteshën amerikane Gledin Stjuart, e cila kishte prejardhje skoceze dhe irlandeze. Trashëgimia aristokrate dhe edukimi arsimor formuan tek Geraldina një personazh tepër interesant. Edhe më shumë pikë i shtoi kësaj figure edhe sharmi i bukurisë. Në moshën 17 vjeçe ishte 1.75 e gjatë, me një fytyrë ëngjëllore dhe me sy të kaltër dhe ishin të shumtë ata që e cilësonin si një nga vajzat më të bukura të Budapestit. Edhe sot në enciklopedinë e princeshave evropiane Geraldina njihte si trëndafili i bardhë i kryeqytetit hungarez. Të gjitha cilësitë e nxjerra në pah në atë kohë, zgjuan tek mbreti Ahmet Zogu ëndrrën për të vënë kurorë. Ishte vitit 1938 kur monarku 42 vjeçar ishte në kërkim të bashkëshortes për të cilën kishin nisur intresimet edhe nga shumë shtete të huaja sidomos të Italisë. Por nga ana tjetër në jetën e Geraldinës ndodhi diçka që ia shtoi edhe më shumë dëshirën për tu bërë mbretëreshë. Ka qënë vitit 1937 kur magjistare hungareze i kishte thënë se do të bëhej mbretëreshë, por më pas erërat do ta shtyjnë në tallaze për tërë jetën. Dhe në fakt profecia e saj doli pikë për pikë, pavarësisht se Geraldina pëlqeu vetëm pjesën e parë të parashikimit. Më pas një foto e rënë në dorë nga ambasadori ynë në Vjenë, bëri që Zogu të niste kërkimet për këtë shëmbëlltyrë mbretreshe. Dhe takimi i parë u realizua në Tiranë kur diplomatët shqiptarë i prezantuan mbretit në një ballo vajzën 21 vjeçare për të cilën gezetarët shkruanin se ishin të dashuruar të gjithë. Në kujtimet e saj Geraldina është shprehur se ishte dashuri me shikim të parë dhe tregon se në momentin kur do të trokiste gotën me mbretin, dora iu drodh dhe gota i ra në dyshume. Ishte dashuri me shikim të parë. Në 28 prill të vitiyt 1938 përmes një ceremonie mondane me pjesmarrjen e dhjetra diplomatëve të huaj deri tek ministri i jashtëm italian Galeazzo Ciano, në Tiranë u krye martesa mes Ahmet Zogut dhe Geraldina Apony. Edhe një fakt tjetër do ti shtonte notat e rëndësisë kësaj ceremonie krejt të rrallë. Në një kohë kur media në botë ishte ende e pazhvilluar, dasmën e monarkëve shqiptarë e ndoqën 80 gazetarë vendas dhe të huaj, një numër ky edhe për ditët e sotme mjaft i lakmueshëm. Por, mbretërimi i vajzës së bukur hungareze nuk do të kalonte vaj. Që ngaa martesa ajo do të qëndronte në fron vetëm 12 muaj, por që edhe pse kaq pak, ajo do të fitonte simpatinë dhe zemrat e një populli. Në 5 prill ajo lindi Lekën, trashëgimtarin e fronit, por që vetëm pas dy ditësh bashkë me të do të detyrohej të linte Shqipërinë, për të nisur një kalvar udhëtimesh, vuajtjesh e pse jo një persekutim, i cili vinte pikërisht nga vendi ku mbretëroi. Italia Fashiste pushtoi Shqipërinë dhe një ultimatum i vënë ndaj Zogut e detyroi atë të largohej. Por, përpjekjet e Ahmetit në mërgim nuk rreshtën asnjëherë për tu rikthyer në pushtet. Ndërkohë që gruaja e tij ishte krahu i djathtë, mbështetjsa dhe miku i mirë i tij në të gjitha vështitrësitë. Greqia, Franca, Anglia, Egjipti, ShBA-ja, Spanja dhe së fundi Afrika e Jugut kanë qënë vendet në të cilat familja mbretërore udhëtoi dhe jetoi me të vetmen ëndërr rikthimin në Shqipëri. Në vitin 1961 Geraldina humbi burrin, Ahmetin, me të cilin jetoi plot 23 vjet. Gjatë viteve në mërgim, pushtetit i diktatorit Hoxha e denigroi figurën e Ahmet Zogut si një njeri që tradhëtoi atdheun, vodhi thesarin që u vetshpall mbret e të tjera cilësime negative pa asnjë lloj shpjegimi. Ndërsa për Geraldinën ndodhi më e çuditshmhja. Emri i saj nuk u përmend nga askush e për të nuk u shkrua asnjë fjalë në historiografinë shqipatre. Një pjesë e historianëve modernë e cilësojnë këtë harresë një lloj arme hakmarrëse, ndërsa të tjerë e lidhin me mosgjetjen e asnjë të mete në figurën e saj. Vetëm pas viteve ’90-të Geraldina do të shfaqej përsëri, ndonëse e plakur, me po atë sharm dhe me atë zgjuarsi e oratori si dikur. Që nga Johanezburgu gruaja e bukur nisi të dërgojë dhjetra mesazhe shqiptarëve, të komunikojë me personalitete dhe me gazetarë derisa të vitnte 28 qershori i vitit 2002 ditë kur mbërriti në Shqipëri. Duke plotësuar kështu ëndrrën e largët të burrit. Ndonëse nuk u rikthye si monarke, shteti shqiptar i bëri të gjitha nderset si të ishte e tillë. Kjo vërtetohete dhe në këtë përvjetor ditëlindje, kur politikanë personalitete e njerëz të thjeshtë e urojnë me gjithë zemër këtë mbretëreshë që erdhi nga Hungaria dhe që e bëri Shqipërinë atdheun e saj të dashur
Amaneti i Geraldinës
Nga Roland Qafoku
Nuk ka asnjë rast të vetëm në historinë e Shqipërisë që një figurë si Geraldina Apony të mos jetë përgojuar e përfolur në asnjë kohë, në asnjë rrethanë dhe në asnjë regjim. Ikona austro-hungareze që zuri fronin e mbretëreshës 63 vite më parë në vendin e vogël ballkanik, për dekada të tëra gjatë sundimit dhe gjatë shtegëtimeve të hidhura, nuk ka marrë me vehte asnjë grimcë negative nga kushdoqoftë. Këtë nuk e kanë bërë as komunistët, të cilët nuk e kishin për gjë t’i binin në qafë Merlin Monrosë dhe NATO-s, coca colës dhe Elvis Presley-t. Pikërisht ata që bashkëshortin e saj e përçudnuan si figurë, duke i varur në qafë etiketën e rëndë “tradhëtar, satrap e hajdut”, nuk arritën të gjenin në qënien e saj defektin më të vogël. Por, vdekja e Nënës Mbretëreshë, përveç hidhërimit, duhet t’i shërbejë historisë dhe shtetit shqiptar për një rishikim zyrtar të kësaj figure që kapërceu aq lehtë regjimet dhe epokat. Që diti të përshtatej ditëve të gëzimit dhe të hidhërimit, përndjekjes dhe ekzilit e deri tek momenti kur shiti unazën e fejesës për të jetuar. Një veprim që duhet të përkojë edhe me ridimensionimin edhe të figurës së vetë Ahmet Zogut. Dhe është momenti më i mirë që pas ceremonisë mortore të Nënës Mbretëreshë, shteti shqiptar duhet të kujdeset që të kthehen në atdhe eshtrat e ish-mbretit Zog, të cilat prehen në varrezat e Parisit që nga viti 1961. Ka ardhur koha, që të paktën tani pas vdekjes, ata që themeluan dhe drejtuan për 15 vjet shtetin modern shqiptar, që ndërprenë anarkinë e bënë me ligje të kohës dhe ndërtuan institucione të nivelit europian, të shpërblehen me një nderim tepër modest: Një varr pranë e pranë. Ndoshta duke thënë nga Johandesburgu i largët se “dua të vdes në Shqipëri”, mbretëresha e urtë dhe e mençur, duhet të ketë patur parasysh që shqiptarët një ditë do të arrinin të “bashkonin” çiftin mbretëror. Ndonëse kjo ndodhte në banesën e fundit.
Ismail Kadare:
1. Historia një ditë ka për të shpjeguar qëndrimin, fisnikërinë e Geraldinës që kapërceu aq kehtë regjimet dhe epokat
2. Geraldina është padyshim sovrania e vetme në botë që pas përmbysjes së bashkëshortit të saj, ndponëse ky i fundit ëhstë trajtuar si tradhëtar, judë, tiran, vrasës, demon, i ka shpëtuar edhe përgjimit më të vogël prejt cilitdoqoftë
Jozefinë Dedet, shkrimtare dhe gazetare franceze
Mbretëresha Geraldinë ka ditur tu përshatej me një lehtësi të habitshme si ditëve të lumturisë ashtu edhe ditëve të zymta pa dhënë kurrë një shmbëlltyrë të ndryshuar të vetvetes.
Cilësime të gazetave evropiane pas dasmës së Ahmet Zogut dhe Geraldinës më 28 prill të vitit 1938
Mbretëresha më e bukur e botës, mbretwresha bionde me të cilën janë dashuruar të gjithë, kontesha e magjishte me flokië të artë
Orgjinë aristrokate, ngjyra e glamurit amerikan dhe përmasë trupore prej manekini
Pasaporta
Emri: Geraldinë
Mbiemri: Apony
Ditëlindja: 6 gusht 1915, ora 15.25
Vendlindja: Gjenevë
Atësia: konti Xhula nga Hungaria
Amësia: Gledis Stjuart, një amerikane me prejardhje skoceze dhe irlandeze
Gjatësia trupore: 1.75
Të veçanta: sytë ngjyrë bojëqielli
Edukimi: 1929 mbaron liceun në Budapest, fituese një konkursi kërcënimi në vals në një ballo
Gjuhët që flet: Frëngjisht, shqip, hungarisht, gjermanisht, anglisht
Familja: Martuar me mbretin e shqiptarëve Ahmet Zogu, kurorëzuar më 28 prill të vitit 1938. Ka të birin Lekë të lindur në 5 pril të vitit 1939
6 prill 1939 largohet nga Shqipëria dhe stacionohet në Greqi, Turqi, Francë, Londër, Kajro, Aleksandri.
9 prill 1961 humb burrin në Paris
28 qershor 2002, kthehet në Shqipëri pas 63 vjetësh në ekzil
Falja e madhe e historisë
Nga Roland Qafoku

Kthimi nga mërgimi i hidhur i familjes mbretërore, më shumë se një eveniment, është një falje e madhe që shteti shqiptar i kërkon Ahmet Zogut për atë denigrim që i është bërë në historiografi. Një falje që nga pas është kompesuar me mbërritjen në atdhe të të gjithë suitës monarke, akomodimi në një vilë luksoze në qëndër të Tiranës, por edhe një pritje madhështore që ata e meritojnë. Në këtë “operacion” emancipues të shtetit, mund të hyjë edhe kthimi në atdhe të eshtrave të ish-mbretit Zog, të cilat që nga 9 prilli i vitit 1961 qëndrojnë në varrezat e Parisit. Por, e gjithë kjo aureolë e thurur ndaj familjes mbretërore, do të ishte gjysmake nëse do të vërtitej vetëm tek kjo figurë dhe tek pasardhësit e tij. Varre të harruara në tokë të huaj për ata që i kanë dhënë Shqipërisë mund të numërohen me dhjetra, porse eshtrat e Ali Pashë Tepelenës në Stamboll e Janinë dhe të Fan Nolit në Boston të SHBA-së, duhet doemos të kenë nga një copë tokë në Shqipëri. Vetëm kështu shteti shqiptar do të plotësojë tërë atë boshllëk të krijuar prej viteve, dekadave dhe shekujve, falë politikave, sistemeve dhe hakmarrjeve politike. Atë boshllëk që e vuajnë brezat pasardhës të cilët historia iu bëhet lëmsh nga turli tekstesh të politizuara. Fundja, të gjithë ata shtetarë apo burra shteti, me të mirat dhe gabimet e veta gjatë sundimeve, në kohë e situata të ndryshme, kanë qënë shqiptarë. Kanë drejtuar këtë vend të përvuajtur në shekuj dhe përveçse kanë të drejtë të jenë personazhe të historisë, duhet të kenë edhe nderimet përkatëse. Në fakt era e re ka nisur. Nderimet ndaj familjes mbretërore tregojnë se shteti shqiptar nuk është më ai i pas ’45-ës kur komunizmi e cilësonte Zogun satrap, hajdut, tradhëtar e njëmijë e një cilësi negative. Por, as i harresës si në rastin e Geraldinës, kësaj ikone austro-hungareze që për një vit mbajti kurorën e mbretëreshës së shqiptarëve. Dhe kjo nismë doemos bëhet vetëm nën një emër: falja e madhe e shtetit ndaj figurave që e drejtuan atë.