Italia ka nisur përgatitjet për dy impenjimet e radhës në kualifikueset për Euro 2024. Axurrët do të përballen fillimisht me Maltën më datë 14 tetor ndërsa tre ditë më pas, katër herë Kampionët e Botës do të sfidojnë Anglinë në Wembley. Trajneri Luciano Spalletti foli në konferencë duke prezantuar edhe organikën e të kaltërve për dy ndeshjet e radhës ndërsa theksoi se Giacomo Bonaventura mund të jetë Bellingham i Italisë.
“A mund të jetë Bonaventura, Bellinghami ynë? Po. Në mendjen time unë luaj gjithmonë me karta të hapura, nuk ka shumë rëndësi skema. Nëse je ofensiv apo difensiv, diferencën në fushë e bëjnë vetëm 10 metra. Sigurisht që do të ndryshonte shumë nëse mes linjave do të kishim një lojtarë si Del Piero apo Baggio, ashtu do të ishte një situatë tjetër.
Përpara kemi dy ndeshje të vështira, nuk kemi frikë të shkojmë në Wembley të bëjmë lojën tonë dhe të sfidojmë ata që kanë shpikur futbollin. Sa i përket formacionit, vendimet nuk do t’i marr në mënyrë emocionale, por në bazë të një arsyetimi korrekt”, u shpreh Spalletti.
Italia është aktualisht në vendin e dytë të grupit C me shtatë pikë, po aq sa edhe Ukraina e Maqedonia e Veriut teksa grupi kryesohet nga Anglia me 13 pikë dhe mbyllet nga Malta që nuk ka asnjë pikë.