Spanja ka shënuar fitore me rezultat minimal 1-0 ndaj Norvegjisë duke siguruar kështu matematikisht kualifikimin në EURO 2024 që do të mbahet në Gjermani.
Iberikët morën avantazhin që në minutën e 20-të të takimit përmes Alvaro Moratës por pas rishikimit nga VAR-i, goli u anulua për pozitë jashtë loje.
Dy skuadrat shkuan në pushimin mes pjesëve me rezultat të barabartë 0-0.
Goli i fitores dhe ai që i dhuroi kualifikimin Spanjës, u shënua në minutën e 49-të nga Gavi i cili u gjend mjaft mirë në zonë dhe me një goditje precize çon topin në cepin e djathtë të portës kundërshtare.
Deri në fund nuk pati më raste të mira shënimi dhe Spanja kështu siguroi “biletën” për në Gjermani, teksa norvegjezët me këtë humbje i thonë lamtumirë kualifikimit pasi matematikisht tani janë jashtë garës.