Nga Sebi Alla
Me të bijën ende në avion në pritje për tu ulur në tokë dhe dhëndrin e prangosur në Aeroportin e Rinasit, ish-kryeministrit Sali Berisha i ra “qielli në kokë” teksa mësoi se sa i pafuqishëm ishte të ndryshonte diçka, për ta kthyer kohën pas dhe të bënte atë që nuk e bëri dot: shmangien nga drejtësia dhe akuzat penale.
Kjo ishte nata e 21 tetorit për Sali Berishën, që në darkë vonë i shkuan në zyrë edhe dy punonjës policie për t’i komunikuar vetë atij vendimin e gjykatës për masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe “bllokim pasaporte që të mos largohet jashtë vendit”.
Ironikisht Berishës i erdhi e keqja nga institucioni që ai “tallte” më shumë, duke e quajtuar “SKAP-in e partisë”. Liria fizike dhe mentale e Berishës u burgos. Nuk ka aq shumë rëndësi si do të përfundojë procesi gjyqësor, për më tepër që me gjasë kjo çështje do shkojë deri në Strasburg, por deri atëherë një shpirt i burgosur quhet i vdekur, paçka se merr frymë, madje tenton të bëjë edhe politikë, duke ëndërruar se do ngrejë “popullin në këmbë”…
Berisha është në ditët më të vështira të jetës së gjatë politike dhe njerëzore. Prangat kapërcyen pragun e shtëpisë së tij për akuza që nuk do donte t’i dëgjonte kurrë si një person i korruptuar jo vetëm vetë, por edhe familja.
Gjithçka lidhet me një hetim të Prokurorisë Speciale, SPAK për procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Ajo pronë iu kthye ish-pronarëve dhe aty u ndërtua një kompleks i madh pallatesh, ku përfitues kryesor ishte Jamarbër Malltezi, dhëndri i Berishës. SPAK ka dyshime të forta dhe prova sipas kësaj strukture hetimore, se Malltezi me ndihmën direkte të Berishës si kryeministër përfitoi këtë pronë dhe e zhvilloi për të arkëtuar jo pak, por 5.4 milionë euro. Vetë Berisha në kohën e të “mbipushtetshmit” dyshohet se ka hartuar VKM të veçanta për ta favorizuar drejtëpërdrejtë dhëndrin e tij.
Kush mund ta kishte menduar që pas 33 vitesh politikë aktive Sali Berisha të përfundonte i pandehur, në një moshë të thyer, i padëshiruar nga faktori ndërkombëtar, i bishtnuar nga bashkëpunëtorët dhe i “prerë në besë” nga bijtë politik?! A është Berisha fajtor bashkë me dhëndrin dhe ndërtuesit për këtë çështje?
SPAK-u thotë se ka prova që janë përfshirë në korrupsionin pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale e kryer në bashkëpunim, gjykata do jetë ajo që do japë vendimin përfundimtar, por përtej një çështje drejtësie dhe juridike ka edhe një çështje të madhe të hapur politike. Ish-kryeministri ka plot dhjetë vite i larguar nga çdo pushtet dhe ndikim në qeverisje, ndërkombëtarisht është i izoluar dhe i shpallur non grata nga SHBA dhe Britania e Madhe. Nuk është ai sot “lubia e korrupsionit”. Nuk është as “minues demokracie” sepse nuk ka forcë ta bëjë. Nuk është as vendimarrës, por një deputet pa vulë e logo partie që bërtet se do ngrejë popullin në këmbë e populli s’i bindet. Ngado ta kapësh Berisha është një “-ish” dhe si një “ish” mund t’i vendosen me të drejtë shumë mëkate, disa prej të cilëve në kohën e tij qeverisëse me humbje jetësh njerëzore si tragjedia e Gërdecit 2008 dhe protesta e 21 janarit 2011.
Ç’bëhet nga nahija e pushtetit, apo kur të bëhen ish-a?
Në momentin që doli lajmi se Malltezi u arrestua, ndërsa për Berishën ishte vendosur masa “detyrim paraqitje” në institucionet e drejtësisë të gjithë e dinin edhe çfarë do thoshte Berisha në konferencën e pazakontë. “Është vendim politik, i ndikuar nga Rama, jemi në monizëm dhe do luftoj deri në fund”-këto ishin qëndrimet e Berishës, duke deklaruar haptas se drejtësia e re është një vegël më shumë në duart e kryeministrit Edi Rama.
Prokuroria Speciale SPAK dhe dy shkallët e Gjykatës Speciale kanë treguar me vepra që kanë prekur disi lart, por me një fakt të dukshëm, deri më tani po gjëmojnë ish-at. Pyetja që mundon çdo qytetar mbetet pa asnjë përgjigje të qenësishme: Përse SPAK nuk heton pushtetarët aktual, ata që janë në poste sot, që kanë edhe një mal me akuza publike, madje edhe raporte ndërkombëtare për “shtrirje të korrupsionit në nivele të larta qeverisëse”? Disa optimistë për nga natyra shprehen se të gjitë ata që kanë shkelur ligjin dhe janë majmur me para korrupsioni do u vijë dita.
Të tjerë dyshojnë se ajo ditë nuk do të vijë, por po bëhet vetëm një “drejtësi selektive” e cila është edhe më e rëndë sesa mungesa e drejtësisë. Ka edhe ca “analistë të mëdhenj” që mbushin dynjanë me “kataklizmo drejtësie” që fshin një klasë të tërë politike të korruptuar, duke i ngritur lapidare djejtësisë së re, veçanërisht SPAK-ut. Por e vërteta që e deshifrojnë lehtë qytetarët e thjesht është se kjo “drejtësia e re” është ndoshta edhe më e vjetër se e vjetra, pasi në disa çështje aktuale ka çeduar jo pak, kur ka mbyllur sy e veshë ndaj shumë rasteve që ulërasin si afera. Ky është rreziku më i madh që drejtësia e re të bëjë muzikë me tinguj prangash vetëm për ish-drejtues, apo drejtues të nivelit të ulët apo edhe të lartë disi, por që të kenë gjithnjë prapashtesën “ish-a”. Për momentin jemi para një fakti të kryer që Berisha me mitin që krijoi vetë si “i paprekshëm” ra aq poshtë sa ulëritja për drejtësi duket gati si klithje për mëshirë.
Për Berishën ka vetëm dy matje: ata që e urrëjnë shumë dhe ata që e duan shumë, me këta të fundit që mund të “lotojnë” për të në shtëpi, por pa sakrifikuar që të bëhen “martirë”. Për të gjithë ata që thonë se pasi humbi pushtetin nuk duhet të merren me Berishën duket se janë disi në gabim konceptual sepse drejtësia vepron kur je dhe nuk je në qeverisje, pasi e masin vetëm me të vetëm metër që kanë: “ka shkelur apo jo ligjin”.
E vetmja hollësi që çedon shumë dhe në fakt është thelbi i gjithë problematikës mbetet dyshimi që SPAK-u është bërë sëpatë e mprehtë për ish-at dhe pupël ledhatuese për pushtetarët aktualë… Megjithatë edhe nëse luhet vetëm kjo muzikë, pushteti nuk është i përjetshëm, një ditë shumë syresh mund të quhen ish-a… Prova e gjallë por e “plagosur rëndë” është vetë Sali Berisha./kb