Leon Trotsky ishte një marksist revolucionar, teoricien dhe politikan sovjetik. Fillimisht mbështeti fraksionin e Menshevikëve brenda Partisë Socialiste Demokratike të Rusisë, ndërsa më pas iu bashkua bolshevikëve, pak para Revolucionit të Tetorit 1917, duke u bërë menjëherë një nga udhëheqësit kryesorë brenda Partisë Komuniste.
Në vitet e para të Bashkimit Sovjetik shërbeu fillimisht si Komisar i Popullit për Punët e Jashtme, dhe më vonë si themelues dhe komandant i Ushtrisë së Kuqe, duke spikatur në fitoren e bolshevikëve në Luftën Civile Ruse (1918-1923). Pasi udhëhoqi një betejë të dështuar të një fraksioni të majtë kundër politikave dhe ngjitjes në pushtet të Josif Stalinit në vitet 1920, dhe kundër rolit në rritje të burokracisë në Bashkimin Sovjetik, Trocki u rrëzua nga pushteti në tetor 1927), u dëbua nga partia një muaj më pas, dhe u internua në Alma-Ata të Kazakistanit janarin e 1928-ës, për t’u larguar përfundimisht nga Bashkimi Sovjetik një vit më pas.
Si drejtues i Internacionales së Katërt, Trotsky vazhdoi nga mërgimi t’i kundërvihet burokracisë dhe krimeve staliniste në Bashkimin Sovjetik. Më 20 gusht 1940, ai vritet nga Ramon Mercader, një agjent i shërbimit sekret rus NKVD. Mercader, i lindur në Spanjë, e goditi Trotsky me një çekiç në kokë, sipas udhëzimeve të vetë Stalinit.
Trotsky u zhduk nga librat e historisë nën sundimin e Stalinit, dhe qe një nga figurat e pakta politike sovjetike, që nuk u rehabilituan nga qeveria sovjetike nën drejtimin e Nikita Khruschev në vitet 1954-1964. Vetëm në fund të viteve 1980, librat e tij u lejuan të botoheshin në Bashkimin Sovjetik./kb